HomeMesazhi 6Përse e luftoi fenë komunizmi?

Përse e luftoi fenë komunizmi?

Arsyeja qendrore e kësaj fushate lidhej pa dyshim me botëkuptimin komunist, i cili nuk përputhej me botëkuptimin fetar. Feja, duke predikuar ekzistencën e botës qiellore, përbuzte realitetin tokësor dhe për pasojë akuzohej se largonte masat nga revolucioni dhe ndërtimi i socializmit.

Vlen të përmendet këtu ai slogani që u përdor kaq shpesh gjatë periudhës komuniste, «Feja është opium për popullin» dhe shikon me anë të kësaj propogande se si marksistët i shikonin të rrezikshme jo vetëm institucionet fetare por më thellë akoma, besimin te Zoti. Në vend të Përëndisë, ata donin që populli të besonte te forca dhe pushteti që ka vetë njeriu.

Dhe sigurisht që kjo forcë njerëzore do të drejtohej prej tyre dhe në menyrë të pashmangshme erdhi zëvëndësimi i Zotit me besimin te Partia dhe Udhëheqësi. Feja shihej edhe si pengesë për realizimin e modelit që pushteti komunist kërkonte t’i impononte shoqërisë.

Mendimtarët e komunizmit, Marksi dhe Engelsi, kishin predikuar qartazi nevojën për dhunë për të çuar njerëzimin përpara. Në këtë plan, ishin të papranueshme ndjenjat e mëshirës dhe të faljes që bëjnë pjesë në kulturën fetare. Parimet e dashurisë universale dhe humanizmit binin në kundërshtim me konceptet dhe praktikat e luftës së klasave.

Ndarjet fetare
Përdorimi në të kaluarën i ndasive fetare për qëllime politike antikombëtare pushteti komunist e shfrytëzoi për të justifikuar  politikën e tij antifetare. Sigurisht që e gjithë propaganda që feja është një faktor përçarës ishte një demagogji për arsyen se shqiptarët prej kohësh kishin realizuar një
bashkekzistencë shembullore fetare.

Aq më tepër që patriotët e mëdhenj shqiptarë nuk kishin qenë asfarë ateistë, por të edukuar me parime fetare, të krishtera ose islame, sidoqoftë gjithmonë të lidhur me vlerat e dashurisë për atdheun dhe kombin.

Zakone prapanike
Propoganda kundër fesë krijoi gjithashtu një lidhje të ekzagjeruar midis bestytnive popullore të prapambetura dhe besimit fetar duke e ulur në këtë mënyrë vlerën e këtij të fundit. Shoqëria shqiptare vuante disi nga supersticioziteti, por pjesa dërrmuese e bestytnive popullore binin në kundërshtim jo vetëm me arritjet shkencore por edhe me mësimet e mirëfillta të fesë.

Institucionet fetare e kishin shpjeguar me kohë se një besim i vërtetë ishte i papajtueshëm me magjinë dhe në asnjë mënyre nuk mund të pranonte që besimi fetar të zëvendësonte shkencën, apo të mënjanonte kontributin e mjekësisë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme.

Mirëpo, duhet pranuar se besimtarë të ndryshëm, sidomos në zonat rurale të vendit, e bënë lëmsh duke e ngatërruar bestynitë popullore me besimin te Zoti. Dhe ndoshta një pjesë e klerikëve të bazës pranonte të mos i kundërvihej hapur çdo lloj bestytnie apo mentaliteti magjish që  praktikohej nga njerëzit, mjaft që ai të dukej se shkonte në favor të rritjes së ndikimit të fesë në shoqëri.

Një pjesë e besimtarëve bënte kështu një kompromis fatkeq me një mentalitet popullor të prapambetur zakonor. Shtypi komunist përfitoi cinikisht prej këtyre kompromiseve dhe nuk rreshti së diskredituari besimin ndaj Zotit duke shfrytëzuar rastet e mashtrimeve sharlatanësh.

Propaganda zyrtare bashkonte pra kështu dy gjëra që nuk qëndonin aspak bashkë. Tjetër është besimi fetar dhe krejt tjetër paragjykimet mistike të besimeve popullore.

Most Popular

Recent Comments