HomeAktualitetKAMPIONI I BOTËS, ARMIKU I VETVETES

KAMPIONI I BOTËS, ARMIKU I VETVETES

“Ka 7 miliard njerëz në botë, e vetëm një kampion të peshës së rëndë dhe unë jam ai!” pohon TYSON FURY, kampioni i botës.

Fury, me një karrierë mbreslënëse që përfshin fitore mbi më të fuqishmit, është një figurë polemizuese, si për shkak të deklaratave të tij bombastike kundër kundërshtarëve, ashtu për opinionet e shprehura mbi çështjet e nxehta sociale.

“Njerëzit mund të thonë çfarë të duan për mua, por unë kam një zemër të madhe e do të vazhdoj përpara,” shprehet boksieri, duke shpërfilluar kritikat e forta që kanë ardhur në adresë të tij.

Biografia e Fury-it

Të shikosh Fury-in nga afër, me një gjatësi prej 206 cm, është e vështirë të besosh që ka lindur shtatanik, me një peshë vetëm 0.5 kg. Dyshimet e doktorëve për mbijetesën e tij gjatë 24 orëve të para, nuk u pranuan nga i ati, që kishte vënë re shpirtin e luftërtarit te foshnja shumë e vogël. Jo më kot ia vuri emrin Tyson.

I lindur në Angli, Fury vjen nga një familje “gypsy” me origjinë irlandeze, të cilët e kanë në traditë “street fighting”, dmth boks jo i liçensuar. Si fëmijë, ai përjetoi përçmimin që ndjek kudo familjet gjipsi, duke lënë shkollën në moshën 12 vjeçare për të punuar në ndërtim. Faji për paragjykimet e shoqërisë ndaj komunitetit gjipsi në Britani është i dyanshëm, sepse lidhet edhe me stilin e jetës së këtij komuniteti. Gjithsesi, duket se kjo e ka nxitur më shumë Fury-in të provojë që ai është dikush në jetë dhe shpjegon në këtë mënyrë disa nga pasiguritë e tij personale.

Babai i Fury-it u dënua me burg për një sulm të egër mbi një gjipsi tjetër, kur i biri ishte në hapat e para të karrierës së tij si boksier. Mirëpo, duket se kjo u doli për mirë të dyve. Dalja e babait nga skena i dha mundësinë Tysonit të vihej nën kujdesin e menaxherëve më të qetë, ndërsa vitet pas hekurave ia zbutën inatin e Fury-it më të moshuar, duke e kthyer atë në një këshilltar të mirë për djalin, pasi rifitoi lirinë.

Aktualisht, Fury është martuar me një grua që vjen nga i njëjti sfond, “Irish traveller” dhe së bashku kanë gjashtë fëmijë. Fury-i shprehet: “Nuk e di si mund të jetosh jetën pa pasur një në krah që të thotë si qëndron puna vërtetë. Unë kam një familje që s’kanë frikë të më thonë kur gjërat s’janë në rregull. Kjo ka qenë ndihmë e madhe.”

Boksieri besimtar

Lutjet publike të Fury-it përpara ndeshjeve, si dhe deklaratat e tij pas çdo fitoreje “I thank my Lord and Saviour Jesus Christ” (Falendëroj Zotin dhe Shpëtimtarin tim Jezus Krisht) nuk lënë shumë dyshim për qëndrimin e tij në këtë fushë. Si rrjedhojë, nuk janë të paktë ata besimtarë që gëzohen që një sportist i famshëm deklaron hapur besimin e tij, sidomos në një kohë kur një pjesë e medias kërkon të minimizojë zërin e fesë. Megjithatë, ka të tjerë që shqetësohen për sjelljen e boksierit. Kjo nuk lidhet me përfshirjen e tij në një sport të dhunshëm (boksi mbikëqyret më mirë sot, sesa në çdo kohë) aq sa ka të bëjë me jetën e Fury-it jashtë ringut, ku spikat fjalori vulgar, si dhe problemet që ai ka pasur me alkolin dhe stimulantë të tjerë.

Çdo sportist i famshëm ka një ndikim mbi të rinjtë, ndaj ngrihet pyetja: “Përse Fury nuk është më i përgjegjshëm përpara fansave të tij?” Mbrojtësit e Fury-it do thoshnin që gjuha fyese është pjesë e spektaklit që shoqëron boksin sot, duke theksuar që ai është gjithmonë respektues ndaj kundërshtarit në momentet pas ndeshjes, gjë që shihet në xhirimet televizive. Mirëpo, duhet pohuar që ka boksierë të tjerë, që megjithëse nuk janë praktikant të besimit, kanë një sjellje më të pranueshme para publikut.

Armiku i brendshëm

Ajo për të cilën të gjithë bien dakord, është fakti që Tyson Fury është treguar shumë transparent për problemet që ka pasur me shëndetin mendor. I pamposhtur brenda ringut, Fury u rrëzua nga një luftë e brendshme, që për pak sa nuk i mori jetën.

“Beteja më e madhe që kam pasur ndonjëherë,” rrëfen Fury, “më shumë sesa me çdo kundërshtar tjetër, ka qënë ajo e shëndetit mendor. Mund të kesh çdo gjë në jetë, e prapë ndihesh kot ditë pas dite, edhe pse të tjerët nuk kuptojnë ç’po të ndodh përbrenda.”

Rrallëherë është parë që një kampion bote të bjerë në një gjendje depresive kaq shpejt sa ra Fury pas fitores së tij të famshme mbi ish kampionin, Klitçkon. Duke ditur këtë, kush nuk mund të duartrokasë mënyrën sesi ai arriti të rikthehej në formë nga ajo gjendje tepër dëshpëruëse, Jo vetëm që u aktivizua përsëri në sport, por rimori edhe titullin kampion nga i frikshmi Deontay Wilder. Ky i fundit ishte deri në atë kohë i pandalshëm, boksieri që thonë se e ka goditjen më të fortë në planet, por që është ndaluar dy herë me KO nga Fury pas ndeshjeve të forta, pasi Britaniku arriti të rezistojë grushtin e kundërshtarit.

Fury deklaroi: “Më tronditi e më rrëzoi, por kështu e ka boksi, kështu e ka dhe jeta. Nuk është puna sa herë rrëzohesh, por nëse vazhdon të ngrihesh!”

Është e pamohueshme që, duke u ngritur përsëri në këmbë (pas goditijeve brenda ringut dhe jashtë tij) Fury i ka dhënë zemër mijëra njerëzve të rrëzuar, siç ishte ai, që të mos dorëzohen, por të luftojnë në jetë.

“Gypsy King”

Sigurisht që Tyson Fury është kritikuar prej vitesh, si për pikëpamjet e tij negative për homoseksualizmin, ashtu edhe për komentet e tij shumë të forta kundër abortit. Ai ka shprehur gjithashtu pikëpamje për rolin e gruas në shoqëri, që janë shumë konservatore; mëgjithëse s’do shumë mend të kuptosh që këto nuk janë opinione që shkaktojnë shumë pakënaqësi mes tifozëve tipikë në botën e boksit.

Realiteti është që Fury përfaqëson kulturën gjipsi e përzier me idetë e kristianizmit popullor, dhe jo të filozofit. Tyson Fury nuk pretendon të jetë ndryshe, ai është “Gypsy King” që kërkon të mbretërojë sipas rregullave të botës së tij! Pa dyshim që kjo e bën Tyson Fury një njeri kontradiktor. Dhe e bën të vështirë etikimin e tij sipas një modeli të caktuar. Por a nuk jemi të gjithë kontradiktorë, në njëfarë mënyre? Pastaj, cili është ai njeri që aspiron të jetojë sipas parimeve pozitive, që nuk bie poshtë atij standardit që i ka vënë vetes, e jo më standardit të Perëndisë?

Çfarëdo mendimi kemi për Fury-in, të paktën duhet vlerësuar çiltërsia e këtij boksieri që nuk hiqet si shenjtor, por thjesht si një mëkatar që ka përjetuar dorën e Të Madhit në jetën e tij. Nëse ai ndjen që Zoti e ka ndihmuar të triumfojë mbi djallin, pavarësisht mangësive të tij personale, kjo është pjesë e historisë së tij që nuk mund të mohohet.

Hapin tjetër?

Përsa i përket të ardhmes, ngelet për të parë nëse Tyson Fury do të vazhdojë karrierën e tij apo jo. Kampioni nuk është i sigurtë nëse “ka nevojë të luftojë përsëri” pas fitores së tij të fundit. Ai mund të varë dorezat dhe të përqendrohet më shumë në punën e tij bamirëse, si dhe t’i përkushtohet familjes, pasi i ka arritur të gjitha objektivat e tij në boks. Nuk i mungon karizma, dhe nëse do të dojë, ai mund të vazhdojë të frymëzojë burrat e tjerë të luftojnë varësitë e këqija, me ndihmën e forcës hyjnore, pa të cilën kush mund të triumfojë mbi të ligun?! Dëshmia e Fury-it: “Çdo gjë që kam dashur e kam arritur dhe e gjithë lavdia i takon Perëndisë. Me Zotin, çdo gjë është e mundur, dhe unë jam prova e gjallë për këtë. Lutem për falje, për ndihmë, e për drejtimin e duhur. Sa herë që i largohem fjalës së Zotit, përfundoj bosh e në errësirë. Do përpiqem të bëj të mira me forcën që kam, në vend që t’i shërbej së keqes, duke shitur mend e duke ardhur vërdallë me makina luksoze. Dua të përfshihem më shumë me njerëzit. Dua të ndihmoj ata që kanë nevojë për ndihmë. Unë jam besimtar i Zotit Jezu Krisht. Do ta them pavarësisht sa njerëz ofendohen.”

Most Popular

Recent Comments