HomeMesazhi 6PERSONA NON GRATA

PERSONA NON GRATA

Dy vajza nga perëndimi rrezikuan gjithçka për të sjellë libra të ndaluar në Shqipërinë komuniste

Kthehemi në vitin 1973. Shqipëria është një vend ku feja është e ndaluar dhe që ka mbyllur portat ndaj botës perëndimore. Reona Peterson, një vajzë nga Zelanda e re, dhe shoqja e saj e ngushtë, Evi Mugleton arritën t’i bashkohen një grupi të rinjsh marksistë-leniniste francezë, të cilët do të
bënin një udhëtim dy javor në Shqipëri.

Në fakt të dy shoqet nuk kishin aspak bindje markiste, por ishin besimtare të krishtera dhe kishin vendosur të bënin diçka për të sjellë fjalën e Zotit në Shqipërinë ateiste. Me këtë qëllim ato fshehën në një çantë disa libra fetare në gjuhën shqipe.

Gjatë kohës që qëndruan në Tiranë ato linin librat e tyre të vegjël kudo që shkonin, në stolat e parkut përballë Hotel Dajtit, në shkallët e Pallatit të Kulturës, në xhaminë e Ethem Beut. Dukej sikur çdo gjë shkonte mirë, deri në momentin kur Reona
dëgjoi një trokitje mbi derën e dhomës së Hotelit. Reona tregon:

Atë natë nuk flija dot sepse pata disa dhembje të forta në stomak. Në mëngjes u binda se nuk isha në gjendje të shkoja në eskursionin dy ditor që ishte organizuar për të vizituar Beratin e Sarandën.
Në orën tetë grupi u nis, ndërsa unë u përpoqa të flija pak, për të plotësuar kështu  kohën e humbur të gjumit.

Rreth mesditës, dëgjova një trokitje në derë. Ashtu, e përgjumur siç isha, u përgjigja: Hyr! Në dhomë u fut një burrë, i cili me një frengjishte të keqe, më tha se duhej të ngrihesha e të shkoja me të. I thashë se isha sëmurë e s’mundesha. Ai, përsëriti prerë se më priste jashtë, deri sa të vishesha. Nuk kundërshtova.

Vesha fustanin, këpucët e dola. Duke ecur përgjatë korridorit, vrisja mendjen se ç’mund të kishte ndodhur. Burri u ndal para dhomës 201 e më tha të futesha brenda. Dhoma qe e errët, me perde të mbyllura, mbushur plot tym duhani. Brenda saj ndodheshin pesë vetë. Dikush më ftoi të ulesha.

Siç mësova më pas, një prej tyre qe përkthyes, tjetri përfaqësues i Albturizmit e tre të tjerët, të ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë. Hetimi filloi me  pyetjet e zakonshme: emri, mbiemri, kombësia, profesioni etj… Pastaj, një burrë thinjosh, i cili me sa dukej qe shefi i grupit, nxori nga canta e vendosi mbi tavolinë një libër.

Përkthyesi, më pyeti, në se e njihja atë libër. I thashë se një të tillë e kisha parë por nuk qe i imi.
Atëhere, hetuesi, qetësisht, m’u përgjegj: Zonjushë! Eshtë e kotë t’a mohosh. Ky është libri yt! Kundërshtova kategorikisht. Atëhere, hetuesi bërtiti: Nuk do të luash teatër me ne! Kemi prova që ky libër është i yti.

Më pas, duke parë se unë vetëm heshtja, ai ndryshoi taktikë. Më sugjeroi se, nëqoftëse do të tregohesha e sinqertë, s’do kisha asnjë pasojë e do të më linin të lirë. Gjatë hetimeve, ata ishin të interesuar të dinin sidomos, se nga vinin këto lloj librash, ku botoheshin e si kishin hyrë në Shqipëri. Unë u shmangesha pyetjeve provokuese.

Atëherë, hetuesi nuk duroi por, i nevrikosur, i ra me grusht tavolinës, duke bërtitur përsëri: Gënjeshtare! Mashtruese!… Orët kalonin e mezi mbahesha në kembë. Hetimi vazhdonte: Pse kisha ardhur në Shqipëri? Kush më kish dërguar? A e dija se Bibla ishte e ndaluar këtu?…

Dikush futi brenda dy burra të ndrojtur e të frikësuar. Hetuesi më pyeti, nëse i njihja ata persona. Kur i’u përgjegja në mënyrë mohuese, ai shpërtheu: Këta janë dëshmitarët e krimit tënd! Ti do të dënohesh, pikërisht, mbi bazën e deponimeve të tyre.

Erdhi mbrëmja dhe hetuesi u afrua përsëri pranë meje dhe pyeti nëse i kisha prindërit gjallë. Iu përgjigja se po. Atëherë, ai bërtiti: Mirë, pra! Ta dish që ti s’ke për t’i parë më!… Ti je armike e Republikës Popullore të Shqipërisë. E, tek ne, njerëz si ti, pushkatohen!

Kuptova që e kish me gjithë mend, por nuk e shfaqa tronditjen. Hetuesi vazhdoi përsëri: E kuptove ç’të thashë?! Mblodha veten e i’u përgjegja: Po, zotëri! Ju thatë se do të më pushkatoni!… Heshtje. Askush nuk foli. Qe ora një e mëngjesit.

Më pas, më çuan në dhomën time e aty, para syve të mi, kontrolluan çdo gjë me imtësi. Hoqën çarçafët e krevatit, sirtarët e komodinës, shqyen astarin e çantës dhe nxorrën që andej gjithë librat që gjetën brenda. Mbasi mbaruan punë, para se të dilnin nga dhoma, hetuesi më tha: Ne, e dimë që ti je agjente e Vatikanit, por këtë dëshirojmë t’a dëgjojmë nga vetë goja jote. Pra, mendohu mirë.

Nuk hapa gojë. Përse më akuzonin si agjente? Unë s’kisha asnjë lidhje me Vatikanin. Kalova një natë plot endërra të këqija. Në orën 9 të mëngjezit më çuan përsëri në dhomën 201. Për çudi, atë mëngjes, hetuesi kishte ndërruar mendje lidhur me idenë që unë isha agjente e Vatikanit. Ai më paraqiti një variant tjetër akuze: Ne e dinim që ti nuk je agjente e Vatikanit. Në fakt, ti punon për një tjetër shërbim të huaj, i cili të ka ngarkuar të mbledhësh informata për vendin tonë.

Ai “arsyetim”, m’u duk aq qesharak, sa që mblodha buzët me përçmim. Hetuesit nuk i shpëtoi reagimi im e m’u drejtua plot inat: Në se nuk do tregoni të vërtetën, atëherë do të të dënojmë me burgim të përjetshëm! Një drithmë m’a përshkoi trupin nga këmbët gjer te koka…

Të nesërmen në mesditë, mbas kthimit të grupit nga ekskursioni dy ditor, më urdhëruan të zbrisja në sallën e hotelit. Aty qe vendosur një tavolinë e madhe, ku kishin zënë vend hetuesit e mi, përkthyesi shqiptar si edhe një person tjetër, i cili u prezantua si Prokurori i Përgjithshëm. Përpara tyre, në qendër, zumë vend unë e shoqja ime, Evi.

Së pari, e mori fjalën prokurori i cili, me një pamje tepër serioze shprehu pakënaqesinë që, pikërisht mes një grupi të huajsh që vendi i tij i konsideronte “miq”, kishin hyrë dy “kriminele”, të cilat kryenin veprimtari spiunazhi kundër Shqipërisë Socialiste. Prokurori urdhëroi: Dy kriminelet
të ngrihen në këmbë!. I’u bindëm menjëherë urdhërit.

Ai nisi të lexojë akt-akuzën. Thuhej se ne kishim kaluar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri botime fetare dhe i kishim shpërndarë ato në mjedise publike, duke kryer kështu një krim të rëndë. Në fund, prokurori na u drejtua me këto fjalë: Jemi menduar gjatë për masën e dënimit. Sipas provave që ne disponojmë, ju jeni plotësisht fajtore dhe meritoni burgim. Qysh nga ky moment ju konsideroheni “persona non grata” e duhet të largoheni nga territori i vendit brenda 12 orëve.

Mbas gjysëm ore, së bashku me Evin, na hipën në një makinë policie dhe na nisën drejt kufirit shqiptar.

Materiali i botuar këtu bazohet te libri “Tomorrow you die” shkruar nga Reona Peterson, botuar më 1976 në gjuhën angleze ndërsa përkthimi i këtij libri me emrin “Nesër do të vdesësh” mund të merret në librari të ndryshme.

Most Popular

Recent Comments