HomeAktualitetKRISHTLINDJA: SHPRESË, PAQE, GËZIM!

KRISHTLINDJA: SHPRESË, PAQE, GËZIM!

Në Shqipëri, si në të gjithë Europën, festa e Krishtlindjes ecën dorë për dorë me festën e ndërrimit të viteve. Pemët zbukuruese i gjen gjithandej, bashkë me dritat, zilet, shiritat, çorapet e varura, jo pak boçe pishe, kurora, dhe aty ku mungon pema, degë bredhi me shumicë.

S’të bien në sy vetëm stolitë festive, por kudo që shkon të shoqërojnë meloditë tradicionale të stinës. Ai që arrin të përballojë trafikun e shtuar, vrapimet në treg, dhe ngjeshjet nëpër dyqane, ka mundësi të shijojë atmosferën e këndshme që krijohet, sidomos nëse bëhet pjesë e një tavoline ku ka bashkëbisedim të ëmbël. Disa njerëzve, koncertet e fundvitit u sjellin kënaqësi, ndërsa të tjerë i shfrytëzojnë ditët e pushimeve për të bërë ndonjë ekskursion. Shumë familje, sidomos ata që kanë fëmijë të vegjël, përjetojnë momente vërtet të bukura këto ditë.

Nuk është e vështirë të kuptosh se ajo që e ka bërë të veçantë Krishtlindjen ndër breza, nuk janë elementet e saj të jashtme. Edhe festat e tjera kanë zbukurime dhe ushqime me bollëk, por prapë nuk e kanë atë lezet që ka kjo festë. Sepse, dhe atëherë kur e veshën plakun e Vitit të Ri me rrobat që ia vodhën plakut të Krishtlindjes, dhe e ripagëzuan pemën festive me emrin e Vitit të Ri, nuk arritën ta zëvendësonin pjesën më esenciale, më shpirtërore të Krishtlindjes.

Përse? Sepse në thelb, Krishtlindja është një festë fetare, diçka që lidhet me hyjnoren: zbritja e Shpëtimarit nga qielli në formën e një bebeje, një ngjarje kjo, që mrekulloi njerëzit si në atë kohë dhe në çdo kohë. Po ku qëndron rëndësia e kësaj për njerëzimin?

Lindja e Jezusit ishte një ndodhi që ngjalli shpresë te të humburit dhe sinjalizoi pajtim me Zotin; një gëzim të madh për mbarë botën. Kjo ngjarje, e papërsëritshme në histori, solli ndryshime të pamohueshme mes atyre që u prekën prej saj. Dhe nuk do shumë mend të kuptosh që Fryma e Shenjtë nuk veproi vetëm mbi ata që e panë Jezusin fizikisht, por edhe mbi shumë e shumë të tjerë që e dëgjuan emrin e tij nëpërmjet ungjillit. Nuk mbaron këtu, sepse për shkak të Jezusit, burra e gra kanë shkuar kudo në botë duke realizuar vepra të mira, dhe po me aq rëndësi, duke predikuar fjalën e tij, e cila ka çliruar shpirtra të panumërt nga prangat e mëkatit.

Mund të themi pa frikë, se po të mos kishte lindur fëmija i shenjtë, bota sot do të ishte një vend krejt i ndryshëm. Prej ndjekësve të Jezu Krishtit u themelua mjekësia moderne, u ndërtuan spitalet e para, dhe u hapën shumica e universiteteve të mëdha të botës. Ndryshe nga sa mendojnë disa, arsimimin masiv nuk u shpik nga shteti dhe është një fakt i vërtetueshëm që shumë nga pionierët e shkencës u frymëzuan të zbulojnë ligjet e natyrës pikërisht nga besimi te Zoti, bazuar tek Bibla, e cila i çliroi nga botëkuptimi besëtytnor.

A ka luftëra mes nesh? Patjetër që ka. Sa pa ardhur princi i paqes në tokë, e gjithë bota ishte në luftë, pa pushim madje! Prandaj, nuk është fare ekzagjerim të thuash që emri i Jezusit ka zbutur egërsinë mes njerëzve, në mënyrë të atillë, që kanë dhënë e marrë falje kushedi sa herë armiq të betuar. Asnjë forcë tjetër nuk e bën dot këtë.

E çfarë e bindi më në fund shoqërinë që skllavëria ishte një praktikë e patolerueshme? E kush e drejtoi fushatën kundër saj? Prapë se prapë, ndjekësit e Jezusit u gjendën në vijën e parë. Sepse vlerat e humanizmit nuk u avancuan gjerësisht nga filozofët, apo nga pushtetarët, sa u fituan nga ata që ndoqën shembullin e Jezusit nga Nazareti.

Shkurt, sikur Jezusi të mos kishte lindur, njeriu do të kishte mbetur në errësirën e mëkatit dhe të injorancës. Lindja e tij i ka sjellë të mira të pallogaritshme ekzistencës sonë fizike dhe shpirtërore. Me të drejtë festohet lindja e tij, e jo më kot ai quhet Drita e Botës! Qoftë Jezusi drita juaj!

Most Popular

Recent Comments