HomeAktualitetFJALA E FUNDIT

FJALA E FUNDIT

Qindra drejtues shtetesh u mblodhën dje për t’i bërë nderimet e fundit Mbretëreshës Elizabeta II, duke marrë pjesë në ceremoninë kishtare para varrimit të saj. Ndërsa arkivoli u rrinte në mes, në foltore qendroi kryepeshkopi, i cili e nisi predikimin me këto fjalë: “Prirja për shumë drejtues është të lartësohen në jetë dhe të harrohen pas vdekjes…” Nuk e di nëse i digjej veshi ndonjërit që ishte në sallë, por kleriku anglez shqiptoi mesazhe të tjera mjaft të vlefshme për ata që donin t’i dëgjonin. Predikimin e plotë e gjeni më poshtë:

Prirja për shumë drejtues është të lartësohen në jetë dhe të harrohen pas vdekjes. Ndërsa modeli për të gjithë ata që i shërbejnë Zotit (me nam apo pa famë, të respektuar apo të shpërfillur) është të kalojnë përmes vdekjes në lavdi.

E ndjera, Madhëria e saj, në moshën 21-vjeçare bëri një deklaratë, ndërsa festonte ditëlindjen, që ajo do t’i përkushtohej kombit dhe Komonuelthit për gjithë jetën e saj. Rrallëherë është mbajtur një premtim aq mirë. Dhe të paktë janë ata drejtues ndaj të ciliëve është shfaqur ajo lloj dashurie që kemi parë këto ditë.

Jezusi, i cili në leximin e sotëm nuk u tregoi dishepujve sesi të ndjekin, por kë të ndjekin, tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.”

Shembulli që shfaqi e ndjera, Madhëria e saj, nuk u realizua përmes pozitës apo ambicies së saj, por përmes Atij që ajo ndoqi. E di që Madhëria e Tij [Karli] ndan të njëjtin besim dhe shpresë në Jezus Krishtin që kishte dhe e ëma, si edhe gatishmërinë e njëjtë për të shërbyer dhe për të bërë detyrën.

Në vitin 1953, Mbretëresha e nisi ceremoninë e kurorëzimit me një lutje private, aty [tregon me dorë] ku ndodhet kryealtari. Përkushtimin ndaj Perëndisë e ndërmori përpara se ndokush t’i betohej asaj personalisht. Shërbimi i saj ndaj kaq shumë njerëzve të këtij kombi, të Komonuelthit dhe të botës, kishte për bazë faktin që ndiqte Krishtin, Zotin vetë, i cili tha se nuk erdhi t’i shërbejnë, por të shërbejë dhe të japë jetën e Tij si shpengim për të shumtët. 

Në çdo fushë të jetës, njerëzit që shërbejnë me dashuri për të tjerët janë të rrallë. Drejtues që shërbejnë nga dashuria për të tjerët janë akoma më të rrallë. Në çdo rast, kush shërben në këtë mënyrë do të mbahet mend për mirë, ndërsa ata që kapen pas pushtetit dhe privilegjeve do të harrohen.

Pikëllimi i kësaj dite, që bashkë me familjen e Mbretëreshës po përjetohet nga njerëz nga e gjithë bota, vjen ngaqë kemi humbur atë që qëndroi gjithë jetën me ne duke na shërbyer me dashuri. Ajo sillte gëzim, ishte e gjendur dhe preku një mori jetësh.

Lutemi në veçanti për familjarët e saj, që janë të hidhëruar në këtë kohë, ashtu si shumë familje të tjera në botë që kanë humbur dikë kohët e fundit, por me një ndryshim në këtë rast: se atyre u duhet të mbajnë zi ndërsa qëndrojnë nën dritë [vëmendje] të madhe.

Zoti e shëroftë pikëllimin e tyre dhe ai boshllëk u zëvendësoftë me kujtime gëzimi dhe jete!

Madhëria e saj transmetoi një fjalim gjatë kovidit, në kohën e karantinimit, duke e mbyllur me fjalët: “Ne do të takohemi sërish!” Ky ishte teksti shpresdhënës i një kënge të Vera Linit [një nga këngëtaret e preferuara të Mbretëreshës]. Shpresa e krishterë është një pritshmëri e sigurt për atë që nuk është parë ende me sy.

Krishti u ngrit prej së vdekuri dhe u ofron jetë të gjithëve, jetë me bollëk tani dhe jetë me Zotin në përjetësi. Siç thuhet në këngën e Krishtlindjes: “Krishti ende vjen te të përulurit që e pranojnë.”

Ne të gjithë do të përballemi me gjykimin e Perëndisë. Secili mund të përfshihet në atë shpresë që kishte Mbretëresha, shpresa që e frymëzoi në jetë dhe në vdekje për të qenë një udhëheqëse e përulur.

Të shërbyerit në jetë! Shpresë në vdekje! Të gjithë ata që e ndjekin shembullin e Mbretëreshës në besim dhe mbështetje te Zoti, mund të thonë bashkë me të: “Do të takohemi sërish!”

Most Popular

Recent Comments