HomeJehona 20E veçanta e Krishtit

E veçanta e Krishtit

Budizmi mbështetet në mësimet e Budës, islamizmi në mësimet e Muhamedit, konfucianizmi në mësimet e Konfucit, marksizmi në mësimet e Marksit. Ndërkohë, krishterimi nuk mbështetet në ato që mësoi Jezusi por më tepër në atë se kush është Jezusi dhe çfarë kreu ai.

 

Natyrisht, ajo që mësoi Jezusi është shumë e rëndësishme. Askush nuk ka folur ose mësuar ndonjëherë si Jezusi, por në analizë të fundit, vlera e asaj që tha ai varej nga çështja se kush ishte ai dhe ajo çfarë bëri ai. Disa përpiqen ta vendosin Krishtin midis udhëheqësve të mëdhenj fetarë të historisë, si një ndër shumë të tjerë, por kjo është groteske dhe absurde. Natyra unike e Krishtit është aq e madhe saqë, askush nuk mund të krahasohet me të në asnjë mënyrë.

Ardhja e tij e parashikuar

Fakti i profecive të plotësuara është një karakteristikë unike e jetës së Krishtit. Ardhja e Jezu Krishtit u profetizua me shumë hollësi në lidhje me prejardhjen, natyrën dhe vendlindjen e tij, vendin ku do të ringjallej, karrierën dhe qëllimin e tij, mënyrën dhe natyrën specifike të vdekjes së tij, ringjalljen e tij, si dhe shumë profeci të tjera të përmbushura. Dhe të gjitha këto profeci u bënë qindra vjet para lindjes ose ardhjes së tij të parë.

Lindja e tij – e pashoqe

Lindja e Krishtit qëndron e pashoqe në histori. Nëpërmjet veprës së mrekullueshme të Frymës së Shenjtë, Perëndia vuri një fëmijë të shenjtë në mitrën e një virgjëreshe në formë embrionike.

Si pasojë e kësaj lindjeje unike, Krishti arriti të anashkalonte mallkimin e mëkatit. Prandaj ai, si askush tjetër, ishte i kualifikuar si njeriu i pamëkatshëm që të shkonte në kryq për të vdekur si Qengji i Perëndisë, si dhe të mbretëronte mbi fronin e atit të tij, Mbretit David.

Personi i tij – i pashoq

Bibla deklaron që Jezu Krishti është njëkohësisht njeri dhe hyjnor. Si Fjala e Perëndisë ai krijoi të gjitha gjërat (Gjoni 1:1; Kolosianët 1:16). Si njeri ai ishte pa mëkat dhe erdhi si zëvendësi i pamëkat për të vdekur në vendin tonë.

Ai është dhurata e patregueshme dhe e pahulumtueshme e Perëndisë për botën. Ai është Personi më unik i universit. Asnjë udhëheqës tjetër fetar nuk ka bërë ndonjëherë një pretendim të tillë sepse askush tjetër nuk mund ta mbështeste këtë pretendim me jetën e vet.

Jeta e tij – e pashoqe

Jeta e tij është pa paralel nga bukuria, gjerësia, karakteri, dhe efekti. Askush nuk ka folur ndonjëherë si Jezu Krishti, apo bëri gjërat që bëri ai, ose pretendoi gjërat që pretendoi ai. Duke marrë parasysh fjalët dhe veprat e fuqishme të Krishtit, si dhe faktin që njerëzit e cilësuan si një njeri të përsosur dhe të pamëkat, pretendimet e tij nuk mund të refuzohen.

Nëse njerëzit duan të jenë të ndershëm përballë evidencave historike, ata nuk mund të refuzojnë pretendimet e Krishtit sikur të ishin pretendimet e një të çmenduri ose ta hedhin poshtë si mashtrues. Skeptikët e sotëm përpiqen të shpjegojnë mrekullitë dhe pretendimet e tij thjesht duke iu referuar karakterit të jetës së tij.

Por ata e bëjnë këtë thjesht, për shkak të paragjykimit të tyre kundër dritës dhe kundër gjërave të mbinatyrshme, jo për shkak se mungojnë evidenca të mirëfillta historike.

Vdekja e tij – e pashoqe

Edhe vdekja e tij është unike, jo sepse ai u kryqëzua, por sepse u parashikua në profecinë e Psalmit 22 shumë kohë para se të shpikej vdekja nëpërmjet kryqëzimit: “një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët”.

Së dyti, ajo është unike për shkak të mënyrës se si vdiq ai, duke treguar karakterin e tij të pamëkat dhe të shenjtë.

Dhe së treti, për shkak të mrekullive që ndodhën në kohën e vdekjes së tij—errësira, tërmeti, dhe hapja e varreve. Pasi pa Krishtin mbi kryq dhe ngjarjet e asaj dite, centurioni romak që kishte parë qindra të vdisnin mbi kryq tha, “ky ishte vërtet Biri i Perëndisë.”

Ringjallja e tij – e pakrahasueshme

Ringjallja e Jezusit ishte prova përfundimtare për të treguar vërtetësinë e dëshmisë së tij. Provat e saj nuk mund të anashkalohen lehtë përveç duke mbyllur sytë ndaj dritës së historisë.

Most Popular

Recent Comments