HomeJehona 20“Merry Christmas and a Happy New Year”

“Merry Christmas and a Happy New Year”

Historia e kartolinave për festat e fundvitit

Kartolinat e krishtlindjes janë përdorur për herë të parë në Angli para 150 vjetësh. Shkak për këto kartolina u bë fakti që një zotëri anglez i quajtur sër Henri Koll nuk gjente kohë të shkruante me shkrim dore letra urimi për festën. Si zgjidhje, në vitin 1843, ai porositi një artist të pikturonte një kartolinë e cila më pas u shumëfishua.

Kështu që, sër Henri kishte kartolina të mjaftueshme jo vetëm për t’i dërguar miqve të tij por edhe për të shitur. Kartolina e parë e krishtlindjes u pikturua me disa skena dashamirësie në të cilën ndihmoheshin të varfërit. Ndërsa skena kryesore paraqiste një familje të gezuar duke u përqafuar në diten e festës.

Urimi që u shkruajt mbi kartolinën e parë të krishtlindjes ishte: “A Merry Christmas and a Happy New Year to You” (Gëzuar Krishtlindjen dhe një Vit të mbarë). Është interesante fakti që sër Henri nuk prodhoi kartolina të tjera vitin pasues, megjithatë veprimi i tij nxiti shumë të tjerë të bënin një gjë të tillë dhe shitja e kartolinave u përhap shumë shpejt.

30 vjet më vonë, në vitin 1875 një emigrant gjerman në Sh.B.A i quajtur Luis Prang hapi një shtypshkronjë të vogël me një investim prej vetëm 250 dollarësh, dhe botoi aty linjën e parë të kartolinave të krishtlindjes. Krijimet e tij të para tregonin lule dhe zogj. Më vonë ai shtypi kartolina me skena bore, bredh, dhe femijë duke luajtur pranë oxhakut me lodra.

Deri në vitin 1881 ai arriti një sukses shumë të madh duke shitur mbi 5 milion kartolina krishtlindjesh në vit. Vitet e fundit është shënuar një rënie në numrin e kartolinave që dërgohen për krishtlindje. Arsyeja për këtë është përhapja e formave moderne të komunikimit dhe dërgimi i kartolinave elektronike më anë të postës elektronike ose internetit.

Megjithatë numri i kartolinave të dërguara çdo vit mbetet mjaft i lartë. Përafërsisht u dërguan 1.9 miliard kartolina vetëm në Sh.B.A gjatë vitit të kaluar. Prandaj nuk ka të ngjarë që kartolina e krishtlindjes të dalë së shpejti nga përdorimi si një mjet urimi!

Most Popular

Recent Comments