Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e ri!

0
12

Këto festa kanë si motiv kryesor afrimim e njerëzve me njeri-tjetrin si dhe forcimin e lidhjeve familjare e shoqërore. A nuk ndiejmë në ato ditë festive se duhet të jemi pranë atyre që janë të dashur për ne? Në kohët e lashta Zoti urdhëroi të zhvilloheshin festa të përvitshme që do të shërbenin si ditë falendërimi dhe adhurimi, por njëkohësisht si tubime njerëzore, ose gëzime familjare.

Ai e di shumë mirë që njeriu ka nevojë për të patur disa ditë të shënuara, të veçanta, kur punët e zakonshme lihen mënjanë dhe njeriu merret me aktivitete që pasurojnë jetën familjare dhe shpirtërore. Në këtë fund viti, le të mos tregohemi egoistë duke bërë prioritet “dëshirat dhe kënaqësitë e mia!”, sepse njeriu nuk është i lumtur kur jeton vetëm për veten por gjen kënaqësi duke shfaqur mirësi ndaj të tjerëve, ndaj familjes së tij në rradhë të parë, por edhe ndaj të tjerëve.

Dhuratat nuk mund të zëvendësojnë ngrohtësinë e njerëzve të dashur. Netët në lokale luksoze nuk e mbushin dot zbrazëtinë e një shpirti egoist. Ka mënyra për ta bërë festën tërheqëse dhe jo të mërzitshme, gjëra që mund të realizohen me pak imagjinatë dhe pa shumë vështirësi. Sigurisht që edhe gjatë festave duhet të përpiqemi të mos na zaptojë bota digjitale.

Ata prindër që organizojnë lojëra, këndojnë këngë, lexojnë libra dhe ndërtojnë njeriun e borës me fëmijët e tyre gjatë festës së Vitit të Ri, do shikojnë se çfarë investimi të mirë kanë bërë kur të vijnë vitet që fëmija, tashmë në moshë më të rritur, kërkon të qëndrojë në shoqërinë e familjes dhe jo të shkëputet prej saj.

Festa e Krishtlindjes krijon disa mundësi të veçanta, siç është edhe frekuentimi i kishës për të kënduar këngët festive në mënyrë kolektive, për të dëgjuar fjalë të mira dhe për të shprehur mirënjohje ndaj Zotit për mirësinë e tij ndaj nesh.

A ka mënyrë më të mirë për t’u përgatitur për Vitin e Ri, se sa duke kërkuar dritën e Krishtit në shpirtin tonë një javë përpara ndërrimit të viteve? As fishekzjarret e Vitit të Ri nuk e ndriçojnë zemrën e njeriut siç e bën drita e Krishtit kur ajo shndrit mbi ne.

Gëzuar festat e fundvitit në familjen tuaj!