HomeAktualitetNUK E PËRBALLON DOT VITIN E RI?

NUK E PËRBALLON DOT VITIN E RI?

Për shumë njerëz festat e fundvitit nuk sjellin gëzim por janë një faktor që krijon më shumë stres dhe mërzitje. Madje, sipas mjekëve, rastet e depresionit mund të jenë më të shpeshta në këtë periudhë sesa në çdo kohë tjetër të vitit.

Sigurisht që arsyet për këtë janë të ndryshme: pritjet e parealizueshme përsa i përket festave dihet që prodhojnë pezmatim, sidomos te persona të ndjeshëm. Shtrëngesa ekonomike është një faktor tjetër për tensionimin e jetës gjatë festës, sepse duhen kryer shpenzime shtesë në një kohë kur buxheti familjar është tashmë i rënduar.

Është vënë re gjithashtu, që konfliktet familjare shpeshherë shfaqen ose rihapen gjatë festave. Kjo është disi paradoksale sepse festat synojnë pikërisht të kundërtën, afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin. Ndërsa ata që kanë humbur një të afërm gjatë vitit mund të përballen me boshllëk dhe trishtim në kohën e festave të fundvitit, gjë që është deri diku e pashmangshme.

Përveç kësaj, mbingarkesa në kohën e festave shkakton lodhje dhe rrjedhimisht më shumë nervozizëm, edhe pse aktivitetet në të cilat mund të jeni të përfshirë janë të kënaqshme në vetvete.

Një nga problemet që shkakton më shumë mërzitje është vetmia. Njerëzit që nuk kanë të afërm përreth, kur shikojnë të tjerët të rrethuar nga dashuria familjare gjatë festave, ndihen më keq sesa zakonisht. Por vetmia prek edhe ata persona që po përjetojnë marrëdhënie jo të mira familjare: gruaja që s’gjen ngrohtësi në martesë; fëmija që s’ndjen dashurinë prindërore; vajza që keqtrajtohet; i riu që s’ka shoqëri të mirë.

Si mund ta ulësh nivelin e stresit ose të luftosh vetminë në jetën tënde gjatë festës? Ka disa hapa që ti mund të marrësh për të ndihmuar veten:

• Mos krijo pritje që festat duhet të dalin të përsosura. Nuk ka gjë të përsosur në këtë jetë.

• Ki kujdes të mos kryesh më shumë shpenzime sesa duhet për Vitin e Ri.

• Ndihmo një person që është më fatkeq. Shumëkush ka zbuluar sekretin që duke ndihmuar një person në nevojë ai përmirëson gjendjen e vet emocionale gjithashtu.

• Sill ndërmend gjithçka që është e mirë në jetën tënde dhe mos mendo vetëm për problemet e tua dhe gjërat negative.

• Mos rri në shtëpi gjithë ditën. Dil, bëj një shëtitje dhe tako njerëz të tjerë. Edhe një përshëndetje ndërsa shkëmbehesh me dikë në rrugë është ilaç i mirë për shpirtin.

• Merr pjesë në programin e një kishe të mirë nga ato që nxisin shpresën. Kishat janë vende për lutje ndaj Zotit, por edhe vende për të gjetur miqësi, inkurajim dhe mbështetje. Nëse nuk ke marrë pjesë ndonjëherë në kishë, mos ki turp ta provosh.

Çfarë të bëj tjetër?

Nëse mendoni që keni depresion dhe nuk po vuani thjesht nga mërzitja është e këshillueshme të kërkoni ndihmë profesionale. Gjithsesi, është e rëndësishme të dini që njeriu nuk ka lindur rastësisht në këtë botë. Ka një Perëndi që ka krijuar njeriun dhe ai nuk është larg nesh nëse e kërkojmë. Provo t’i lutesh Zotit për ndihmë. Ndoshta ndihma do të vijë në një formë ndryshe nga ajo që ke menduar, por çdo ndihmë që vjen nga lart është e mirë

Most Popular

Recent Comments