Home Jehona 39 Pema e Vitit të Ri apo e Krishtlindjes?

Pema e Vitit të Ri apo e Krishtlindjes?

Një nga traditat më të pëlqyera lidhur me festat e fundvitit është vendosje e një pemë halore brenda shtëpisë. Ceremonia e zbukurimit të pemës në një familje ngjall ndjenjën që koha e festave ka ardhur dhe krijon atmosferën e duhur për fundin e vitit. Por çfarë emri duhet t’i vëmë kësaj peme? Shumë familje shqiptare që kanë shijuar atmosferën e festave të fundvitit jashtë shtetit, por dhe atyre që e kanë parë vetëm nëpërmjet ekranit të televizorit, e dinë mjaft mirë që bota, pemën zbukuruese, e quan “pema e krishtlindjes”. Ndërkohë në shumicën e familjeve shqiptare, ajo gëzon një emër tjetër, “pema e vitit të ri”. Përse ndodh kjo? Shpjegimi është i thjeshtë dhe lidhet me shtetin rus, ose më mirë të themi Bashkimin Sovjetik, siç quhej dikur. Shqipëria komuniste ndoqi shembullin e ‘vëllait të madh’ në emërtimin e pemës që u popullarizua në kohën e sistemit. E vërteta është që tradita moderne e pemës së fundvitit vjen nga Gjermania. Faktikisht ata e quajnë këtë pemë të zbukuruar, pemë e krishtlindjes. Prej Gjermanisë kjo traditë filloi të përhapej në vende dhe në popuj të tjerë përreth, përfshi dhe Rusinë. Mirëpo, pati një reagim kundër pemës së krishtlindjes, për shkak të armiqësisë midis Gjermanisë dhe Rusisë në luftën e parë botërore. Kjo u forcuar më shumë pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Rusi, të cilët e shikonin pemën e zbukuruar si e lidhur me shtresat e pasura, por në veçanti si diçka që lidhej me fenë, gjë që ata e luftonin. Ndryshimi në qendrimin rus erdhi në datën 28 dhjetor të vitit 1935, kur u botua një shkrim i famshëm në gazetën “Pravda”, që kërkoi që “pema e vitit të ri” të ngrihej në shkolla, në pallatet e pionerëve, në klube fëmijësh, dhe në institucione kulturore. Në këtë mënyrë pra, pema e mori emrin e saj të ri zyrtar. Dhe nuk është e vështirë të kuptosh pastaj që lidhjet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik mundësuan importimin e pemës së vitit të ri edhe në vendin tonë. Çështja se si do të quhet në vazhdim kjo pemë festive mbetet për t’u parë. Mungesa e besimit të krishterë në disa familje mund të bëjë që pema të vazhdojë të lidhet me vitin e ri – aktualisht kjo është praktika që zbatohet sot në Turqi. Ndërsa dëshira për t’iu bashkuar traditës evropiane për të festuar krishtlindjet, mund të bëj që në disa familje të tjera, pema të rizbulojë identitetin e tij të dikurshëm. Sigurisht që toleranca shqiptare do t’i përballojë këto përplasje të vogla kulturore.

Pemë pagane?

Ka dalë edhe një version tjetër për historinë e pemës. Qarkullojnë zëra që përdorimi i pemës së krishtlindjes (apo e vitit të ri) ka origjinë në fetë pagane. Sa e vërtetë është kjo? Dihet që pemët kanë figuruar në festat fetare, në kohën e lashtë, përpara se të lindte feja e krishterë. Sidoqoftë, nuk ka asnjë provë që pema e krishtlindjes ka lidhje me tradita pagane. Kjo është e pabazë. Mirëpo, është e vërtetë që ka të krishterë në vende të ndryshme të botës që nuk e njohin pemën e krishtlindjes, ose sepse nuk e kanë në traditën e tyre kishtare, ose sepse janë të pakënaqur me mbivendosjen e elementeve të tjera në këtë festë, e cila për ata, duhet të ruante një karakter thjesht fetar.

Historikisht

Historikisht, përdorimi i pemës së krishtlindjes filloi mes protestantëve të Gjermanisë rreth shek. të 15-të. Pema e krishtlindjes përmendet për herë të parë në një kronikë të një shoqate tregëtare në Bremen në 1570, e cila tregon se si një bredh i vogël u zbukurua me mollë, arra, hurma, biskota dhe lule prej letre, dhe u ngrit në sallën e shoqatës, për të kënaqur fëmijët e anëtarëve të shoqatës, të cilët i hëngrën këto gjëra të shijshme ditën e krishtlindjes. Në fillim të shek. të 18-të, ky zakon ishte përhapur në qytetet e Rajnlandës së sipërme, dhe kur arrijmë në shekullin e 19-të, e gjejmë këtë praktikë mes shtresave të larta Gjermane. Nuk donte shumë kohë pastaj, që pema e krishlindjes të përhapej në oborre të tjera mbretërore. Në Francë, pema e parë e krishtlindjes u përdor në 1840 nga dukesha e Orleansit. Në Angli, pema e krishtlindjes u popullarizua nga mbretëresha gjermane e Mbretit Xhorxh III. Pas botimit të një ilustrimi të familjes mbretërore angleze përpara një peme krishtlindjeje, moda e pemës filloi të përhapej edhe në Shtetet e Bashkuara. Po të marrësh pjesë në festimet e fundvitit në Amerikë sot, është e vështirë të besosh që tradita e pemës nuk është një praktikë dhe aq e vjetër në atë vend.

Domëthënia e pemës

Për shumicën e njerëzve, pema është thjesht një zbukurim. Në Gjermani dhe ne vende të tjera të krishtera, pema e krishtlindjes është parë si simbol i jetës së përjetshme sepse ajo nuk pushon së lulezuari gjatë dimrit. Këta të krishterë, besojnë që Jezus Krishti erdhi në botë për t’u dhënë njerëzve dhuratën e jetës së përjetshme duke vdekur mbi një pemë (kryqi) për të shlyer mëkatet e tyre. Në disa raste, pemët simbolizojnë dhurata të veçanta përkujtimore, si në Sheshin e Trafalgarit në Londër ku qyteti Oslo i paraqet një pemë popullit të Londrës si falenderim simbolik, për përkrahjen britanike për rezistencën norvegjeze gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Previous articleartikull 1
Next articleNdërsa vijnë Krishtlindjet…

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments