Home Jehona 39 Krishtlindjet 1914

Krishtlindjet 1914

Letra e dërguar familjes së tij nga Scrutton-i, një ushtar anglez që shërbente me regjimentin Essex Nga llogoret tona: ““Mirëmëngjesi Fritz [emri që ushtarët anglez e përdornin për gjermanët]” (S’mori përgjigje).“MIRËMËNGJESI FRITZ!” Nga llogoret gjermane: “Mirëmëngjesi.” Nga llogoret tona: “Si jeni?” “Në rregull jemi.” “Eja këtu, Fritz.” “Jo. Nëse vij më qëlloni.” “Nuk të qëllojmë. Hajde.” “Kam frikë.” “Hajde dhe merr ca cigare, Fritz.” “Jo. Hajde ti në mes të rrugës dhe takohemi aty.” “Mirë. Dakord.” Një nga tanët i mbushi xhepat me cigare dhe doli sipër. Gjermani doli nga llogorja e tij, dhe me gjithë mend u takuan në mes te rrugës, Fritz-i i mori cigaret dhe në shkëmbim na dhuroi ca djath.”

Kujtohet 100 vjetori i armëpushimit në mes të luftës

E pabesueshme por e vërtetë. Në mes të luftës së parë botërore, ushtarët armiq i ulën armët e tyre dhe shkëmbyen urime dhe dhurata për festën e krishtlindjes. Historia i konsideron ngjarjet në frontin e luftës të vitit 1914, kur spontanisht ushtarët pushuan së qëlluari njeri tjetrin, si tepër të vëçanta. Lufta e parë botërore kishte disa muaj që kishte nisur. Përpjekjet për të thyer forcat kundërshtare kishin dështuar dhe lufta po vijonte me krijimin e një fronti qindra kilometra të gjatë. Nga pamundësia për të korrur një fitore të shpejtë, të dy ushtritë kishin mbetur në llogore përballë njeri-tjetrit duke qëlluar dhe bombarduar njeri-tjetrin vazhdimisht. Në shumë vende llogoret kundërshtare ishin vetëm disa dhjetra metra larg. Afërsia e armikut lejonte komunikim me zë mes ushtarëve kundërshtarë të cilët, ndonjëherë, shkëmbenin edhe batuta, e jo vetëm plumba. Sigurisht, që kjo afërsi ishte një faktor që i lejoi ushtarët të “miqësoheshin” ditën e festës. Faktori tjetër, për këtë armëpushim në mes të një lufte të përgjakshme, ishte besimi dhe kultura e përbashkët që kishin ushtarët armiq. Si ushtarët gjermane në njërën anë, ashtu dhe ushtarët britanike e franceze në anën tjetër, i përkisnin të gjithë besimit të krishterë. Është një dëshmi për kulturën e krishterë në këto popuj, që forca e këtij besimi arriti të mposhti, qoftë edhe vetëm për disa ditë, propagandën shtetërore që ndaj kombit armik nuk duhej treguar aspak dashamirësi.

Dëshmitë okulare

Kështu ndodhi që në prag të krishtlindjes, me datë 24 dhjetor, shumë ushtarë gjerman ngritën pemë të vogla me llamba (jo elektrike kuptohet) mbi pozicionet e tyre. Pastaj, sipas zakonit, ata filluan të këndonin këngët e tyre tradicionale për krishtlindje. Të nesërmen në mëngjes, pas një natë të ftohtë dimri kishte zbardhur gjithçka, thuhet që skena dukej tamam si ajo që mund të pikturohej në një nga ato kartolinat festive. Letra origjinale e një ushtari anglez (e përkthyer më poshtë) është tipike për atë çfarë ndodhi më pas:

“Do të habitesh kur të them se si e kaluam ditën e krishtlindjes.Në prag të festës, gjermanët në llogore përballë nesh na thirrën “Gëzuar Krishtlindjet!” dhe “Cigare!”, “Puding!”, kështu që dy nga tanët u çuan, dolën mbi pozicionet tona dhe iu drejtuan pozicioneve gjermane. Në tokën asnjëanëse u takuan me katër gjermanë, që thanë se nuk do të qëllonin ditën e krishtlindjes nëse nuk qëllonim ne. Gjermanët u dhane shokëve tanë disa puro e një shishe verë, dhe këta u dhanë atyre një ëmbëlsirë dhe disa cigare. Me t’u kthyer tanët, dola unë me disa shokë dhe u takuam nga një grup prej 30 ushtarësh gjerman, që m’u dukën djem të mirë. Njërit prej tyre i kërkova të shkruante emrin dhe adresën e tij mbi një kartolinë, për suvenir. Përgjatë gjithë mbrëmjes, u kënduam këngë dhe na kënduan këngë.”

Rifleman C H Brazier, nga regjimenti Queen’s Westminsters.

Ndeshje futbolli në fushën e betejës

Një nga ngjarjet e komentuara të asaj dite është zhvillimi i ndonjë ndeshje futbolli. Në muajin janar, u botua një letër nga një oficer britanik, në gazetën Times, e cila tregonte për një ndeshje futbolli që u zhvillua mes ushtarëve në sektorin e tij. Vërtetësia e kësaj letre dëshmohet edhe nga rezultati i ndeshjes: Anglezët u mundën nga Gjermanët 3 me 2! Edhe ushtari gjerman Kurt Zehmisch (që shërbente me regjimentin Sakson Nr.134) shënoi në ditarin e tij: “Anglezët nxorrën një top futbolli nga llogoret e tyre, dhe pa kaluar shumë kohë filloi një ndeshje e vërtetë. Sa e çuditshme ishte aq edhe e mrekullueshme. Kështu u ndjenë edhe oficerët anglezë. Ja pra, krishtlindja, kjo festë e dashamirësisë, i bashkoi për pak kohë armiqtë më të betuar.”

Fundi i armëpushimit

Në shumë zona, armëpushimi zgjati vetëm për disa orë dhe me përfundimin e këtij afati rifilloi shkëmbimi i zjarrit njësoj si më parë. Por në zona të tjera, është dokumentuar që dëshira për të mos qëlluar mbi njeri-tjetrin zgjati për shumë ditë të tjera. Madje në disa sektore të frontit u pa e nevojshme të zëvendësoheshin njësitë ekzistuese me njësi të reja. Reagimi nga eprorët ishte i pritshëm. U urdhërua rreptësisht që nuk do të kishte më kontakt mes forcave, dhe u lajmërua që do të arrestoheshin ata që flisnin me armikun.

Morali i kësaj historie

Armëpushimi i krishtlindjes së vitit 1914 kujtohet si një ngjarje pozitive. Një moment kur ndjenjat fisnike mposhtën politikat armiqësore.

 

Disa komentues e shikojnë si të pa vlerë, përderisa lufta vazhdoi dhe për katër vjet të tjera. Ka dhe disa historianë që argumentojnë që lufta e parë botërore shkaktoi rrëzimin e besimit në shoqërinë europiane, qoftë në idealet humaniste por edhe ndaj kishave shtetërore, duke qënë se shumë prej tyre u implikuan në politikat luftënxitëse. Mëgjithatë, një bashkëkohës, një oficer skocez në regjimentin Highlander, e vlerësoi atë moment me një largpamësi kur shkruajti për gazetën Times në vitin 1915: “Na jep shpresë për paqe në të ardhmen kur dy kombe që urrejnë njeri-tjetrin me një urrejtje të pashoqe, dhe që janë betuar për hakmarrje të përjetëshme, arrijnë të lënë menjanë në ditën e krishtlindjes armët e tyre, dhe për hir të emrit të asaj dite këmbejnë cigare dhe i urojnë njeri tjetrit lumturi”.

 

Është e vërtetë që luftëra të shumta na kanë shoqëruar në këto 100 vite të shkuara, gjë që dëshmon se njeriu shpesh dështon përballë pasioneve të tij më negative, por nuk duhet harruar që ai armëpushim spontan në mes të luftës nuk është një rast i izoluar i dashamirësisë dhe faljes. Për shkak të emrit të Jezus Krishtit shumë njerëz sot kanë gjetur forcën, siç parashikoi ai oficer skocez, të mposhtin urrejtjen dhe të punojnë për një ditë më të mirë. Ndoshta morali i kësaj është: A do të zgjedhim ne të jemi pjesë e një historie faljeje apo do të jemi pjesë e urrejtjes dhe konfliktit që e prodhon kaq kollaj shpirti i njeriut?

Gjith’ Ju Që Besoni

Me g’zim të ngadhënjysve Shpejtoni,

shpejtoni në Betlehem.

Mbreti i engj’jve sot ndër ne ka lindur.

Refreni: Të shkojm’ ta adhurojmë

Të shkojm’ ta adhurojmë

Të shkojm’ ta adhurojmë

Jezusin Zot!

Barinjtë në fushë tufat krejt i lanë

Dhe shkuan të kërkojn’ shpëtimtarin ton’

Dhe siç u thanë,

Në një grazhd e gjetën.

Kënga që kënduan bashkë ushtarët anglezë dhe gjermanë në krishtlindje 1914

Previous articleKëpucari Papa Panov
Next articleKrishti u bë kurban

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments