Home Aktualitet ZOTI I FLET TË SËMURIT

ZOTI I FLET TË SËMURIT

Herët a vonë, çdo njeri sëmuret. Pavarësisht ku jeton në botë, apo në ç’grup shoqëror bën pjesë, është e pashmangshme që do të sëmuresh një ditë. Edhe pse pasuria mund të sigurojë trajtimin mjekësor më të mirë, nuk është e thënë që të siguron shëndet të mirë.

Pa dyshim që është eksperiencë përulëse të sëmuresh. Të fortin e bën si fëmijë dhe trimin e bën të dridhet. E ndonëse mjekësia ka bërë shumë përparime dhe janë gjetur kura për shumë sëmundje, e vërteta e Biblës qëndron: “Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje”. Gabimisht, disa njerëz mendojnë që sëmundja është shenjë e zemërimit të Perëndisë, kur ajo fare mirë mund të jetë një shans për të rimenduar drejtimin e jetës. A nuk e dini që ka persona që vijnë në vete vetëm pasi të jenë sëmurur? Çuditërisht i bën më të mirë. Sepse në urtësinë e tij, Zoti është në gjendje të përdorë dhimbjen dhe vuajtjen për të prodhuar diçka të mirë në zemrën, mendjen dhe shpirtin e njeriut.

Shumica e njerëzve jetojnë sikur nuk do vdesin kurrë, pastaj kur sëmuren detyrohen të mendojnë për fatin përfundimtar, ndoshta për herë të parë. Normalisht, kur njeriu ka shëndet të mirë, e harron Zotin. Ndërsa sëmundja i kujton se një ditë do të dalë përpara

Perëndisë. Prandaj, përvoja e të qënit sëmurë mund t’ua ndryshojë mendimin rreth gjërave që më parë i konsideronin të rëndësishme. Për shembull, njeriu që ka pasion sportin, modën apo muzikën, mund të mësojë se ato nuk i japin ngushëllim në kohë sëmundjeje.

Sëmundja na ndihmon të përulemi. Nga natyra ne jemi mendjemëdhenj. I shohim të tjerët me përbuzje. Por kur sëmuremi vetë, mund të na bëjë më të dhembshur ndaj të tjerëve. E sigurisht që sëmundja e vë në provë besimin te Zoti. Na ndihmon të kuptojmë nëse besojmë vërtetë apo jo.

Nuk dua të mendoni që sëmundja u bën gjithmonë të tilla të mira njerëzve. Aspak! Shumë njerëz që përjetojnë sëmundjen nuk mësojnë asgjë prej saj dhe veprimet e tyre të mëpasshme e vërtetojnë një gjë të tillë. Zemra e tyre është e ngurtë ndaj nuk përfitojnë asgjë të mirë. Por ka të tjerë që Zoti ua kthen sëmundjen në një faktor pozitiv në jetën e tyre. E përdor për t’i folur e për t’i nxitur që të kërkojnë Shpëtimtarin. Sëmundja i kujton vdekjen, dera prej së cilës kalojmë drejt gjykimit. A nuk është ky një mësim i vyer? A nuk duhet të përgatitet njeriu të takojë Perëndinë?

Unë u ofroj këtë këshillë atyre që nuk janë gati të dalin në gjyqin përfundimtar: Pa vonuar, kthehu te Zoti! Pendohu e vrapo drejt Krishtit. Asnjë bastexhi në botë nuk është aq budalla sa ai që luan me fatin e shpirtit të tij. Ju e dini që mëkatet tuaja kanë nevojë të pastrohen. Dhe ti je në dijeni që ke nevojë për një Shpëtimtar. Atëherë shko tek ai, dhe lutju të të shpëtojë shpirtin. Shko tek ai menjëherë. Kërkoji falje dhe paqtohu me Perëndinë. Kërkoji të të ndryshojë nga brenda. Ai ka për të të dëgjuar. Sido që të kesh qenë në të kaluarën, ai nuk do e refuzojë lutjen tënde. Ai tha: “Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë”.

Përveç kësaj, i nxis të gjithë besimtarët e vërtetë të shtrihen të qetë në duart e Zotit në ato çaste të vështira. Kjo është një çështje e rëndësishme. Unë e di sesa e gatshme është zemra për të dyshuar. Kam përvojë edhe me depresionin që zë fëmijët e Perëndisë kur sëmuren papritur dhe detyrohen të pushojnë. Por është pikërisht në kohë sëmundjeje kur virtyte si qetësia, butësia, besimi dhe durimi duken më qartë. U kërkoj të gjithë besimtarëve të sëmurë, të kujtojnë se me durimin mes vuajtjes ata mund t’i sjellin lavdi Perëndisë po aq sa dhe me jetën aktive. A nuk e dini që shumë njerëz kanë patur ndikim në jetën e të tjerëve, jo me anë të fjalëve, por nga mënyra se si iu përgjigjën vuajtjes? 

U bëj thirrje të kujtojnë dhembshurinë e Jezusit për të dobëtit. Vetë

Krishti ka përvojë me sëmundjen. Ai njeh zemrën e të sëmurit. Zoti Jezus ishte njohës i vuajtjes. Edhe dishepujt që vuajnë kanë mundësinë të mësojnë mendjen e Shpëtimtarit që vuajti.

Së fundi, nxis të gjithë besimtarët të vazhdojnë ecjen e tyre me Krishtin. Nëse duam të kemi “ngushëllim të fortë” në kohë nevoje, duhet të kultivojmë një marrëdhënie me Perëndinë. Kur ilaçet s’do kenë efekt dhe kur s’do na mbetet gjë tjetër veçse të vdesim, kush do na ngushëllojë neve? Kush do na bëjë të mos i frikësohemi të keqes? Asgjë, asgjë s’mund ta bëjë, përveç Krishtit. Krishti duke jetuar në zemrën tonë, Krishti duke vendosur krahun e tij të djathtë nën kokat tona, Krishti duke qëndruar pranë nesh, Krishti, i vetmi që mund të na japë fitore në përpjekjet tona të fundit! Njerëzit e botës mund të tallen, por mos u shqetësoni! Se kur të sëmureni, ju do të keni paqe. Koha është e shkurtër. Bota po shuhet. Disa sëmundje më shumë dhe gjithçka do mbarojë. Disa funerale më shumë dhe do kemi radhën ne më pas. Disa stuhira më shumë dhe ne do jemi të sigurt në liman! Pastaj, në prezencën e Zotit do të jetë vendi ynë. Aty Perëndia do thajë çdo lot nga sytë e popullit të tij. Ndërkohë, le ta jetojmë jetën tonë në tokë me besim tek Biri i Perëndisë. Ai jeton, ndonëse ne mund të vdesim. Ai jeton, ai që shfuqizoi vdekjen dhe solli në dritë jetën dhe pavdekësinë me anën e ungjillit. Prandaj, në sëmundje dhe shëndet, në jetë dhe vdekje, le të mbështetesh me besim te Zoti!

Previous articleNUK TË GËNJEN SYRI

Most Popular

ZOTI I FLET TË SËMURIT

Herët a vonë, çdo njeri sëmuret. Pavarësisht ku jeton në botë, apo në ç’grup shoqëror bën pjesë, është e pashmangshme që do...

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

Recent Comments