HomeMesazhi 9Zëri i Dyshimit

Zëri i Dyshimit

Zëri i Thomait, Dyshuesi

Të gjitha planet tona u prishën. E të gjitha shpresat u thyen. Jezusin e gozhduan në një kryq dhe vdiq. Pastaj e hoqën dhe e vunë trupin e tij në një varr. Na dukej sikur gjithçka kishte marrë fund…

Unë jam Thomai, një nga të dymbëdhjetët. Besoja plotësisht. Në fakt, isha gati të vdisja për të. Kur erdhi lajmi që Llazari kishte vdekur, Jezusi na tha se do të shkonte në Betani ku banonte familja e Llazarit. Por kjo do të ishte e rrezikshme, sepse armiqtë e tij do të ishin aty afër, dhe ata që kërkonin të vrisnin Jezusin mund të gjenin rastin e duhur.

Kështu, nuk doja ta lija të shkonte vetëm dhe vajta bashkë me të, edhe pse kjo ishte me rrezik… Ndërkohë sot, e kuptoj që ai po na thoshte që duhet të vuante. Por në atë kohë, asnjëri prej nesh nuk e rrokte dot. Ai tha se do të ikte për të përgatitur një vend për ne.

Ne nuk e dinim se çfarë po thoshte. E pyeta, “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon, kështu si mund ta dimë rrugën?” Nuk po dyshoja; vetëm se nuk e kuptoja. Kur e zunë dhe e kryqëzuan ne u arratisëm. Kishim frikë për jetën tonë. Besonim që kryepriftërinjtë ose ushtarët romakë do të ndiqnin pastaj dishepujt e Tij.

Prandaj u fshehëm në shtëpi të ndryshme në Jeruzalem për dy ditë. Të dielën në mëngjes Pjetri, Gjoni dhe disa prej grave shkuan tek varri. Ata u kthyen duke thënë se varri ishte bosh, dhe duke pretenduar që Jezusi ishte ringjallur nga të vdekurit.

Atë natë të gjithë u mblodhën fshehtazi, dhe më vonë më treguan që Jezusi i vizitoi dhe pastaj u zhduk. Por unë thjesht nuk e besoja dot. Një i vdekur nga një varr, i gjallë? M’u kujtua që Llazari doli nga varri. Por Llazari nuk u shfaq dhe u zhduk në mënyrë misterioze si Jezusi. Jo, u thashë, vetëm nëse mund të vendos duart në plagët tij, ta shikoj me sytë e mi dhe ta prek me duart e mia, ndryshe nuk mund ta besoja dot.

Dishepujt e tjerë ende ngulën këmbë që e kishin parë të gjallë. Dy prej tyre treguan që ai kishte ecur me ta gjatë rrugës për në Emaus. Por nuk mund të besoja pa e parë vetë unë. Duhej që ta shihja vetë. Unë isha zëri i dyshimit. Një javë më vonë të gjithë u mblodhëm në të njëjtën dhomë ku të tjerët thoshin se e kishin parë më parë.

Papritmas, Jezusi u shfaq në mesin tonë. E dija që Ai nuk kishte hyrë përmes derës. Ai na përshëndeti. Atëherë m’u drejtua mua. Zemra më rrihte fort. Më vështronte drejtpërdrejt. I shtriu duart dhe foli emrin tim. “Thoma, vëre gishtin këtu në duart e Mia.

Vëre dorën në këtë plagë në anën Time dhe mos dysho, por beso!” Ai e dinte se si kisha dyshuar. E dinte tamam ç’kisha thënë. Ai tha, “Ja duart e Mia.” Kisha thënë që nuk do të besoj përveçse nëse mund të vija dorën në anën e Tij. Ai më tha, “Vëre dorën këtu.” Edhe pashë ato shenja. Shenjat e njerëzve që e përçmuan dhe e keqpërdorën mizorisht.

Ato ishin shenjat e njerëzve të cilët nuk donin të besonin. Edhe unë isha bërë njeri që nuk donte të besonte. Rashë në gjunjë dhe i thashë, “Perëndia im dhe Zoti im.” Po ju?

Gjithsecilit prej jush që dyshon që Jezusi është i gjallë, gjithsecilit që dyshon nëse Ai është Zoti i ringjallur dhe i gjallë, gjithsecilit prej jush që dyshon nëse Ai është shpëtimtari, unë po ju them, mos dyshoni më, por besoni.

Ai më qortoi me butësi ndërsa të tjerët vështronin. Ai tha që unë kam besuar sepse kam parë, por Ai tha që një bekim akoma më i madh do të vijë mbi ata të cilët nuk kanë parë e prapë besojnë.

I adaptuar nga Ungjilli sipas Gjonit.

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments