HomeJehona 37MISTERI I YLLIT TË KRISHTLINDJES

MISTERI I YLLIT TË KRISHTLINDJES

Ylli i Krishtlindjes, i quajtur gjithashtu Ylli i Betlehemit, është një yll që u zbuloi dijetarëve lindjen e Shpëtimtarit e që më pas i priu për në Betlehem.

Sipas Ungjillit: Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë, disa dijetarë erdhën nga lindja në Jeruzalem dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë». I thanë: “Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit”. U nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija. Kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan.

Janë bërë shumë përpjekje për të shpjeguar Yllin e Krishtlindjes. Disa studiues mendojnë se ky “yll” ishte në fakt kometa Halley, që interpretohej nga të lashtit si shenjë qiellore që njoftonte ngjarje të veçanta në tokë. Megjithatë, të dhënat për shfaqje të kometës nuk korrespondojnë mirë me datën që mendohet se lindi Krishti. Kometa Hallej u shfaq në vitin 11 p.e.s, por ekziston një konsensus që Krishtlindja ndodhi rreth viteve 5 deri 7 p.e.s.

Të tjerë besojnë se “ylli” u shkaktua nga një bashkim planetesh që dallohej gjatë natës. Përderisa planetet vijnë rrotull diellit me shpejtësi dhe distanca të ndryshme, ka raste që duket sikur i afrohen njëri-tjetrit, nga këndvështrimi tokësor. Johannes Kepler (1571-1630) parapëlqente këtë shpjegim sepse e dinte që ka ndodhur një bashkim i Jupiterit dhe Saturnit në vitin 6 p.e.s. Sidoqoftë, bashkimi i planeteve nuk ngjan si një burim i vetëm drite ashtu si përshkruhet te historia e Biblës.

Një tjetër teori për të shpjeguar Yllin e Krishtlindjes është se ai mund të ketë qënë një yll shpërthyes, ose supernovë. Disa yje janë të paqëndrueshëm dhe kur shpërthejnë kanë një shkëlqim më të dukshëm se normalisht. Megjithatë, të dhënat historike nuk tregojnë se është shfaqur ndonjë supernovë në kohën e lindjes së Jezusit.

Vlen të theksohet se asnjë nga këto shpjegime nuk përputhet tamam me detajet e lindjes së Krishtit, siç përshkruhen nga Ungjilli. Ka dy detaje me interes të veçantë: së pari, megjithëse kometat, bashkimet dhe yjet mund të jenë të dukshme për këdo mbi tokë, teksti biblik nënkupton se vetëm dijetarët e panë yllin. Së dyti, ylli shkoi para dijetarëve dhe i priu nga Jeruzalemi drejt Betlehemit. Kjo është një distancë prej rreth dhjetë kilometra, në drejtim veri-jug. Megjithatë çdo objekt në qiell lëviz nga lindja në perëndim sipas rrotullimit të tokës. Përveç kësaj, është e vështirë të imagjinosh se si një dritë natyrore mund t’i drejtonte për një fshat të caktuar, le pastaj t’i orientonte drejt një shtëpie të veçantë.

Meqenëse Yllit të Krishtlindjes nuk mund t’i jepet shpjegim prej shkaqeve natyrore, ka të ngjarë se ai ka qenë një dritë e përkohëshme por e mbinatyrshme. Një shpjegim i tillë do të përputhej edhe me faktin që Krishtlindja e parë ishte një kohë mrekullish. S’do të ishte hera e parë që Zoti përdori ndriçime të veçanta për të udhëhequr njerëzit.

Të çfarëdo forme, ylli ka qenë një dritë e siguruar hyjnisht. Nën dritën e kësaj të vërtete, misteri më i madh i Yllit të Krishtlindjes nuk lidhet me origjinën e tij, aq sa lidhet me pyetjen: përse u zgjodhën dijetarët për t’u ndriçuar, dhe jo të tjerët? I njëjti mister përsëritet mes nesh çdo Krishtlindje. Disave u bëhet e qartë se duhet të kërkojnë Jezus Krishtin, ndërsa të tjerëve u duket e pakuptimtë, ose u kalon pa e vënë re.

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments