Gjergj Qiriazi ka qenë një nga figurat kryesore të rilindjes kombëtare, që dha kontribut të pallogaritshëm në ringjalljen e gjuhës së shkruar shqipe dhe ishte pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit.
Ky Kongres vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila shpejt u bë e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe. Vjersha më poshtë është shkëputur nga libri i këngëve të Kishës Ungjillore të Korçës, botuar nën kujdesin e vetë Gjergjit dhe është kënduar nga besimtarë shqiptarë të brezit të tij.
Jetën unë për ty kam dhën’
E dhashë si Ati im ka thën’
Nga vdekja e faj të të liroj,
E derdha gjakun të të shpëtoj.
U kyqëzova që ti të rrosh,
Dhe Qiellin ti të trashëgosh,
Për ty unë jetën e kam dhën’
Po ti për mua çfarë ke lënë?
Sa vite kalova në mundim
Me lot e helm dhe hidhërim
Durova që të bëhesh ti
Pjesëtar i gëzim’ve të mi
Për ty kam dhënë shumë vjet
Po vitet ti ende i humbet
Asnjë nga t’gjithë gjer më sot
S’më ke dhën’, veç i ke shkuar kot
Kam lënë të ndritçmen shtëpi
Kam lënë qiell edhe lavdi
Në botë erdha me dashuri
Të të ndriçoj me drejtësi
Lavdinë e ndërrova për mundim
Dhe fron’ e Qiellit për dënim
Mendo tashti, me ndershmëri
Ke dhënë gjë për mua ti?
Vuajta unë kaq shumë për ty
Helm dhe vdekje i pash’ me sy
Ah, tmerr më të madh nuk ka
Që pashë unë në Golgota
As gjuha jote nuk shpreh dot
Se tërë fjalët do t’jenë kot
Mendo fajtor, me ndershmëri
Për mua a ke vuajtur ti?
Nga Qielli o fajtor për ty
Të solla ushqim që s’gjen këtu
Për ty që e plot me ligësi
Shpëtim me ndies e përdëlli
Gëzim e prehje dhe paqtim
T’u dha nga Ati pa kursim
Mendo fajtor, me ndershmëri
Për mua vallë ç’ke dhënë ti?