Home Jehona 34 VITRINË LIBRI

VITRINË LIBRI

Lëvizja Protestante midis shqiptarëve 1908-1991

Autori, David Young, 267 faqe. Botuar nga shtëpia botuese Tenda, Prishtinë

Në këtë vepër, albanalogu David Young, trajton rolin e ungjillorëve në Kongresin e Manastirit, punën e Shoqërisë Biblike Britanike në trevat shqiptare, historinë e Kishës Ungjillore Shqiptare, programet edukative ungjillore gjatë kësaj periudhe, si dhe programet humanitare.

Trajtohet situata e vështirë e Lëvizjes në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit por edhe jetën e këtij komuniteti mes shqiptareve në Kosovë, në Maqedonia, në Malin e Zi, por edhe në Itali, me arbëreshët dhe në Greqi me arvanitësit. Autori tregon për burimin e materialave të tij kur shkruan: “Kam përdorur shkrime të pabotuara, veçanërisht nga misionarët e mëparshëm në Shqipëri, kryesisht nga Edwin Jacquesi dhe Phineas Kennedy.

Kam intervistuar personalisht, ose në disa raste kam mbajtur korrespondencë me njerëz të ndryshëm, që tashmë kanë ndërruar jetë ose që janë larguar nga skena, në lidhje me punën e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë veçanërisht Edwin Jacquesin, anëtarët e mbetur të kishës së para luftës në Korçë, Simo Ralevićin nga Peja, Anton Krasniqin nga Prishtina.

Kam përdorur arkivat e Shoqërisë Biblike Britanike dhe të Huaj në Kembrixh, si duke gjurmuar në referenca të shpërndara për Shqipërinë dhe Kosovën në raportet e tyre te botuara, ashtu dhe duke lexuar materiale të pabotuara nga kjo periudhë.”

Në parathënien e tij, Dr. Femi Cakolli e cilë­son veprën Lëvizja Protestante midis shqiptarëve 1908-1991 si “vepra më përmbajtësore, më serioze dhe më e dobishmja për zhvillimin historik të Kishës Ungjillore mes shqiptarëve që është botuar deri më tani. Autori i kësaj monografie është një anglez që jeton në Uells të Britanisë së Madhe, por është miku i përulur i shqiptarëve.

Ai erdhi fillimisht në Kosovë qysh më 1974, dhe prej asaj kohe ai nisi ta mësonte gjuhën shqipe si një autodidakt me disa libra shqip të botuara qysh nga koha e Mbretit Zog e të cilat i kishte gjetur në Kembrixh. David Young në librin e tij monografik Lëvizja Protestante në Shqipëri 1908-1991 përfshin 83 vjet histori të kishës protestante shqiptare.

Ai e nis shkrimin e tij me vitin 1908 sepse është bërja e Alfabetit dhe kulmi i lëvizjes protestante në Shqipëri. Autori ka zgjedhur që t’i selektojë fenomenet dhe çështjet e temës duke i parë ato veç e veç kronologjikisht. Sigurisht se ky libër prezanton vlera të çmueshme historike, dhe si i tillë do të jetë me dobi për studentët, his­torianët, pastorët dhe për publikun e gjërë.”

Çfarë Besojnë Ungjillorët?

Në pjesën e parë të librit, autori David Young e shikon të nevojshëm të sqaroj lexuesin lidhur me besimin ungjillor: Ungjillorët theksojnë sakrificën e vdekjes së Krishtit në kryq si të mjaftueshme për t’i shpenguar ata nga paga e mëkatit, duke e parë këtë si një sakrificë shlyese e cila përbënte përmbushje të plotë për kërkesat e Perëndisë; shpëtimi i blerë në këtë mënyrë merret vetëm nëpërmjet besimit, jo për shkak të meritave personale apo për shkak të ceremonive fetare.

Kisha të tjera theksojnë nevojën dhë shërbesën e priftërinjve dhe të sakramenteve; ose mësojnë që njeriu duhet të kontribuojë në shpëtimin e tij. Ungjillorët besojnë se ka një pranim të menjëhershëm të faljes së mëkateve dhe në një lindje të re në një jetë shpirtërore në bashkësi me Krishtin, në atë moment besimtari kthehet nga mënyra e kaluar e të jetuarit, e mëkatshme, dhe e përkushton veten ndaj Krishtit përgjatë tërë jetës së tij drejt një jetesë të shenjtë.

Ungjillorët duke e provuar gëzimin dhe lirinë e shpëtimit, mezi presin ta përhapin këtë lajm, dhe të punojnë për të sjellë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur në një pranim dhe përjetim të ngjashëm të besimit.

Ata e marrin seriozisht urdhërimin e Perëndisë për të predikuar ungjillin në të gjithë botën, te të gjithë njerëzit dhe kanë qenë aktiv në përhapjen masive të krishterimit në botë nga periudha e 1720-ës e në vazhdim.

Duke patur parasysh faktin se Dëshmitarët e Jehovait ishin dhe përsëri janë aktiv midis shqiptarëve, është e nevojshme të nxjerrim në pah se ata janë një sekt tjetër fetar, dhe kurrsesi një degë e krishterimit. Si rrjedhojë ata nuk janë ungjillorë.

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments