Home Jehona 37 VITI I RI, STRES I MADH!

VITI I RI, STRES I MADH!

15 Këshilla për uljen e stresit gjatë Vitit të Ri

A e dini që Viti i Ri është një nga periudhat më stresuese të vitit? Dhe që njerëzit zihen më shumë dhe që ka më shumë aksidente gjatë kësaj kohe? Përse pas pushimeve të Vitit të Ri kemi nevojë për pushim? Përse ndihemi të zhgënjyer pas një feste që duhet të na shtonte gëzim në jetë?

Kemi përgatitur disa këshilla për t’ju ndihmuar me menaxhimin sa më të mirë të festave të fundvitit dhe uljen e stresit të panevojshëm:

• Përpara festës merr pak kohë për të menduar se çfarë është vërtetë e rëndësishme për ty dhe për familjen tuaj gjatë Vitit të Ri, dhe i bëni prioritete pikërisht ato gjëra.

• Mos i bëni planet në momentin e fundit. Edhe pse nuk duhet të planifikojmë çdo gjë, po të keni një plan në vija të përgjithshëm, do t’i ulni stresin vetes.

• Mos krijo pritje jo reale për festat e fundvitit. Ne nuk jetojme në një botë të përsosur dhe nuk jemi njerëz të përsosur, prandaj mos mendoni se gjërat duhet të dalin të përsosura në këtë Vit të Ri.

• Hani mirë, por mos e teproni as në të pirë dhe as në të ngrënë. Duke mos qenë i dehur apo i plogësht nga ushqimi i tepërt do të jesh në gjendje të shijosh gjëra të tjera të mira gjatë festës. Më së paku, nuk do të jesh prishës i gëzimit të të tjerëve.

• Gjatë ditëve përpara festës, fikni kompjuterin, televizorin dhe telefonin në darkë, dhe mbyllni çdo gjë tjetër që ju prish gjumin, në mënyrë që kur të vijë Vit i Ri, t’ju gjejë në gjendjen e duhur.

• Në blerjen e dhuratave, mos u ndiko nga sasia e parave që shpenzojnë të tjerët, sepse festa e Vitit te Ri nuk është konkurs. Dhe, sigurisht, që nuk ja vlen të hysh në borxhe për të blerë artikuj që janë luks. Kush mund të jetë i gëzuar gjatë festës kur po e vret mendjen për vrimën që i është hapur në xhepin e pantallonave apo për barrën që ka vënë në kurriz?

• Mos prit që të tjerët të kenë të njëjtat plane si ju për festat e fundvitit. Është mirë të ketë organizime dhe bashkime familjare, por ato duhet të jenë me dëshirë e jo me detyrim.

• Është mirë që çdo familje të krijojë disa tradita që përsëriten çdo vit. Sidomos ato familje që kanë fëmijë të vegjël. Megjithatë, kur rriten fëmijët, duhet të pranoni që traditat ndryshojnë.

• Kërko ndihmë me organizimin e gatimit apo me pastrimin pas festës. Nësë nuk kërkon ndihmë, nuk ke pse mërzitesh me tjetrin që s’të ndihmoi.

• Burri që ndihmon gruan, fëmijë që ndihmojnë prindërit, dhe çdo anëtar i familjes që ndihmon në shtëpinë e tij, do të zbulojë që ka kontribuar në krijimin e një atmosfere më pozitive në periudhën e festës.

• I lini mënjanë konfliktet për disa ditë dhe jini të duruar. Do vijë një kohë më e përshtatshme për sheshimin e gjerave sesa Viti i Ri, kur nivelet e stresit janë në kulm dhe si rrjedhojë nuk sqarohesh dot, përkundrazi mund t’i përkeqësoni ato.

• Shpesh herë është më mirë të falësh tjetrin dhe të vazhdojë jeta përpara, sesa të hysh në kohën e festave i mbushur me mllef e me inate. Kur mbushesh me inat thjeshtë dëmton veten tënde.

• Jini të sinqertë me ndjenjat tuaja. Nëse ka patur një fatkeqësi apo ka ndodhur diçka që të ka trishtuar, është më mirë t’i pranosh ato ndjenja dhe të gjesh një person me të cilën mund të bisedosh hapur, sesa të shtiresh. Njeriu mund të hiqet si i gëzuar, por gëzimi i vërtetë nuk lind me detyrim.

• Nëse je i mërzitur apo i pezmatur në kohën e festave kërko ndihmë. Njeriu është një qenie shpirtërore dhe ka nevojë për diçka më shumë sesa një festë me shumë zhurmë. Vizito një kishë apo merrni kohë për të qenë vetëm e për t’iu lutur Zotit. Njerëz më të mërzitur dhe më nevojtarë sesa ti kanë bërë po të njëjtën gjë dhe kanë gjetur qetësi për shpirtin e tyre.

• Mos merr vendime radikale në kohën e festës kur nuk je i kthjellët dhe për të cilën më vonë do të pendohesh. Normalisht, vendimet e rëndësishme kërkojnë një kohë më të qetë, kur mendja mund të reflektojë siç duhet.

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments