HomeAktualitetVezët e Pashkës

Vezët e Pashkës

Rënia e këmbanave, ndezje e zjarreve, gatime të veçanta janë disa nga traditat që praktikohen për pashkët, por lyrja e vezës është tradita më e njohur e kësaj feste.

Edhe pse nuk i festojnë pashkët në të njëjtën kohë, katolikët, orthodoksët, protestantët, madje edhe hebrenjtë, e kanë një gjë të përbashkët – vezën e pashkës!

Mëgjithëse veza është një simbol që historikisht është përdorur në kultura të ndryshme, në traditën e krishterë ajo është një simbol për Krishtin. Lyerja e vezës me bojë të kuqe është një nga praktikat më të vjetra të festës.

Në kohën e komunizmit, kur feja ishte e ndaluar në Shqipëri, shumë njerëz e lyenin vezën me bojë të kuqe në mënyrë të fshehtë për pashkë. Vitet e fundit veza e kuqe është zëvendësuar me një vezë prej çokollate dhe në disa vende është si traditë që vezët të mos lyhen me një por me shumë ngjyra.

Por çfarë lidhje ka ndërmjet vezës dhe pashkës? Përse i lyejmë të kuqe? A është e rëndësishme kjo gjë? Në traditën e krishterë, lyrje e vezës me bojë të kuqe përfaqëson gjakun e Krishtit që u derdh në kryq për të paguar për mëkatet e njerëzve. Në shumë kisha thyerja e vezës në ditën e pashkës simbolizon daljen e Jezus Krishtit nga varri.

Që prej kohëve të lashta veza ka qenë simboli i jetës. Disa të krishterë gjithashtu e shohin vezën e Pashkës si simbol i jetës së re që Jezus Krishti na jep. Jo të gjithë të krishterët e ndjekin traditën e lyerjes së vezëve për pashkët. Disa të krishterë e shohin traditën e vezës si diçka të parëndësishme që largon vëmendjen nga kuptimi i vërtetë i pashkës.

Ata theksojnë anën shpirterore të kësaj feste që shfaqet thjesht në lutje dhe në adhurim. Duhet të pranohet se përdorimi i vezë- ve për pashkët nuk është diçka që Zoti ka udhëzuar por është një traditë që ka lindur nga të krishterët e hershëm.

Për këtë arsye nuk është një pjesë e domosdoshme e besimit të krishterë. Kishat në përgjithësi e shikojnë të padëmshme praktikimin e traditave popullore përderisa ato nuk e zëvendësojnë besimin e vërtetë në Jezus Krishtin. Është e drejtë se njerëzit mund të ndjekin tradita fetare në mënyrë të verbër pa patur një besim të sinqertë.

Vet Krishti paralajmëroi mbi rrezikun e respektimit të traditave njerëzore në vend që t’i bindemi Zotit. Nëse nuk besojmë, jo vetëm vezët e pashkës, por as festa e pashkës nuk do të ketë ndonjë vlerë për ne.

ID.

Most Popular

Recent Comments