HomeAktualitetVARRI BOSH

VARRI BOSH

Zbardhi agimi! Gratë që kishin qenë pjesë e rrethit të Jezusit shkojnë te varri-shpellë (aty ku ishte vënë trupi i tij) mirëpo, kur arrijnë aty, gurin e madh e gjejnë të rrokullisur nga hyrja e varrit dhe kur shikojnë brenda, në vend që të gjejnë trupin, atyre u del para engjëlli i Zotit që i drejtohet me këto fjalë, “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk ështe këtu por është ringjallur”! Dhe vazhdoi duke i porositur, “Shkoni shpejt t’u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall…”

Po marr shkas nga kjo histori në këtë prag feste, t’ju shpall lajmin e madh të pashkës që: Varri është bosh!

VARRI BOSH TREGON SE GJITHÇKA QË PRETENDOI JEZUSI ËSHTË E VËRTETË

Jezusi bëri shumë shenja kur ishte në tokë. A s’ishin ato të mjaftueshme për njerëzit të kuptojnë cili është ai? Sigurisht që po. Kush e kishte prekur ndonjëherë lebrozin, edhe më një të prekur të dorës ta shëronte? E kush e kishte bekuar një bukë fshati në mënyrë që ajo të dilte për të ushqyer pesë mijë e ca njerëz. E kush i kishte urdhëruar ndonjëherë djajtë siç bëri Jezusi?

E megjithatë, e pranoj që pretendimet e Jezusit për veten e tij dukeshin bombastike. Sepse mirë që shëroi, por ai tha që mund të falte mëkatet. Mirë që e shumëzoi bukën, por tha “unë jam buka e jetës”! E mirë që dëboi djajtë, por ai tha që Perëndia është Ati i tij – dhe jo në sensin e përgjithshëm, por duke e paraqitur veten si Birin e Perëndisë.

Çdo njeri që binte në kontakt me Jezusin u detyrua të pyeste, “Kush është ky që flet kështu?” Sepse Jezusi tha, “Unë jam drita e botës”, e “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”. Ai shpalli, “Unë jam ringjallja”! Mirëpo, fakti që varri është bosh tregon në mënyrë bindëse që fjalët e tij nuk ishin bosh.

VARRI BOSH TREGON QË VEPRA E KRISHTIT NË KRYQ U KURORËZUA ME SUKSES!

Përse kishte ardhur Jezusi në këtë botë? Për të ndriçuar mendjet e njerëzve me fjalët e tij hyjnore? Po. Për t’i zbuluar botës (një botë e mbushur me perëndi të rreme) se kush është Zoti i vërtëtë? Patjetër që po. Për tëshfaqur dashuri ndaj nevojtarëve dhe për t’i hequr maskën hipokritëve? Të gjitha këto qëndrojnë! Por këto nuk janë të gjitha. Sepse Jezusi bëri edhe diçka tjetër qëvetëm ai mund ta bënte: U ofrua si flijim për të shlyer mëkatet e botës.

Kjo është pikërisht arsyeja përse ai duhet të vdiste në atë mënyrë. Që të përmbushte drejtësinë hyjnore. Por si mund të kuptojmë që ia doli në këtë detyrë? Si mund të dimë me siguri që fajet tona u lanë dhe që duke besuar në “qengjin e Perëndisë” të kemi dalë të shfajësuar përpara Zotit të madh e të shenjtë…?

Sepse varri është bosh! A e dini ç’do të thotë kjo? A e kuptoni? Që vepra e Jezus Krishtit në kryq ka dalë me sukses! Që kemi një shpëtimtar të gjallë që del garant për ne sot në qiell.

VARRI BOSH TREGON QE KA LINDUR NJE EPOKË E RE

Jo vetëm sepse datojmë kalendarin dhe historinë e njerëzimit duke u orientuar prej jetës së Krishtit në tokë, por fakti që varri është bosh tregon shumë më tepër. 

Asnjë nuk ia hedh vdekjes. Varri fiton gjithmonë dhe çdo njeri, herët a vonë, i kthehet pluhurit. Ky ISHTE rregulli i pathyeshëm – por Krishti e theu. Dhe mos mendoni që doli nga varri siç ishte, jo, jo! Ai u ngrit me jetë të amshueshme në trupin e tij tani të pavdekshëm!

Duke parë atë varrin bosh, shikojmë që kanë filluar të ndryshojnë të gjitha gjërat. Sepse e reja që ka nisur në trupin e Jezus Krishtit do të ndryshojë gjithçka. Kemi të bëjmë me fillimin e një bote të re!

Në trupin e njeriut mund të mos ndihet akoma, por ata që janë lidhur me Krishtin kanë filluar ta ndiejnë në zemrën e tyre dhe në mendjen e tyre forcën e jetës së re. Mos më thuaj që kjo nuk ka vlerë! A e ke parë nga afër një që po ndërron jetë që ka njohur Krishtin, që ka shpresë? Dhe a e ke parë nga afër një që po ndërron jetë, që po vdes në mëkatet e tij? 

Dhe pse trupi plaket e sëmuret, Krishti i dhuron njeriut shpresën e gjallë – sepse varri nuk do të jetë shtëpia jonë e fundit, por stacioni ku e ndërrojmë trenin për të shkuar drejt Zotit.

ÇFARË DO TË THOTË VARRI BOSH PËR JU? 

E keni menduar ndonjëherë rëndësinë e kësaj?

A nuk e dini që “varri bosh” ju tregon që Jezusi është shumë më tepër sesa një profet?

A nuk ju gëzon zemra që Krishti doli nga varri për të treguar që çmimi u pagua dhe që mallkmin na e hoqi?

A e dini që nuk është vetëm kjo botë – dhe që varri bosh është prova bindëse e kësaj?

Ju që keni përjetuar jetën e re të Jezus Krishtit në jetën tuaj – jeni gjithë hare në këtë festë sepse keni një Zot të gjallë, një shpëtimtar të përjetshëm që nuk do t’ju harrojë kurrë. Ashtu sikurse ai nuk mund të vdesë më kurrë.

Ndërsa për ju që këto të vërteta “të varrit bosh” janë fjalë të huaja, dhe për të cilët shpresa e Krishtit është veçse një fjalë kalimthi çfarë t’ju them? Nuk jeni të shqetësuar për mungesën e shpresës? Apo për gjendjen tuaj shpirtërore? Se trupi mund të jetë i gjallë, por shpirti jo. 

Kur shkuan gratë për të vajosur trupin e Jezusit, nuk e dinin që ai ishte ngjallur, nuk e dinin që varri ishte bosh. Mirë që e rrokullisi engjëlli që të kuptonin që ai nuk ishte më aty, se ai ishte gjallë. Mos vallë ka një gur të madh që nuk ju lë juve të shikoni që shpëtimtari rron? Cili është ai gur? Cila është ajo pengesë?

A është një gur intelektual? Se thua që nuk mund të besosh që mund të ndodhi diçka kundër ligjeve të natyrës? Por ato ligje kush i krijoi? Pse, Ai Perëndi që krijoi njeriun e parë, nuk mund ta ngjalli Jezusin? Le t’i lëmë këto diskutime.

Mos vallë është një gur shpirtëror? Se nuk do të besosh. Se nuk do të pranosh autoritetin e Zotit mbi jetën tënde. Por kjo nuk ka kuptim. A dëshiron të refuzosh shpëtimin? Me se do ta këmbesh shpresën që jep Krishti?

Urimi im për ju është ky: Siç u rrokullis guri nga varri i Jezusit, i largoftë Zoti gurët nga zemrat tuaja dhe derdhtë hirin e tij mbi ju. 

Krishti vdiq. Krishti u varros. Por Krishti u ngjall!

Previous articlePASHKËT: SHPRESA TE ZOTI
Next articleNGJANKEMI SHUMË!

Most Popular

Recent Comments