Ka një përqindje të madhe njerëzish, edhe të atyre që janë të sëmurë, që nuk tregojnë kujdesin e duhur për shëndetin e vet. Një doktor familjeje tregon për fatalizmin e disa pacientëve të shprehur me fjalën që përsëritet shpesh: “Do të bëhet ç’është e shkruar!”
Në këto raste duket qartë se njeriu kërkon të largojë përgjegjësinë për shëndetin e tij në një drejtim tjetër. Shqetësues gjithashtu është qëndrimi i disa rrymave fetare që nënvlerësojnë rolin e mjekësisë për kurimin e të sëmurit.
Një rast konkret është ai i Dëshmitarëve të Jehovait që kanë përhapur idenë se është gabim të bësh transfuzion gjaku. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur ndjekësit e tyre kanë humbur jetën si rezultati i kësaj bindjeje. Bibla, burimi i krishterimit, tregon për mrekullitë e shërimit që ka kryer Jezus Krishti.
Megjithatë, vihet re se mësimet e Biblës nuk hedhin poshtë rëndësinë e mjekësisë, por, përkundrazi, i japin një vend asaj. Vetë Jezus Krishti tregoi historinë e mirëbërësit samaritan që mjekoi plagët e një të plagosuri dhe përfundoi tregimin duke shqiptuar fjalët: “bëni edhe ju kështu”.
Gjithashtu, ka disa pjesë të Biblës ku mbështetet përdorimi i mjeteve mjekuese për të sëmurin. Duhet pranuar se këndvështrimi i Biblës ishte shumë i vlefshëm në një kohë kur shumica e njerëzve jetonin me mendime të prapambetura të paganizmit dhe besonin gabimisht te magjia.
Si përfundim, pyetja: “A ka ndonjë kontradiktë mes besimit te mjeku dhe besimit te Zoti?” merr këtë përgjigje: Besimi te mjeku dhe te Zoti nuk është kontradiktor, ata plotësojnë njëri-tjetrin.
Siç u shpreh një doktor i famshëm: “Edhe aftësitë e mia si doktor, intelekti, arsyetimi, si dhe ilaçet që ne përdorim, burojnë që të gjitha nga Perëndia, i cili i ka krijuar të gjitha gjërat”.
Pra, ai që i lutet Zotit dhe ai që i drejtohet mjekut, janë që të dy në dorën e Perëndisë.