HomeJehona 21UNË JAM THOMAI, DYSHIMTARI

UNË JAM THOMAI, DYSHIMTARI

Një këndvështrim për Pashkët

Ai kishte ikur. Zoti im, iku. Të gjitha planet tona u shkatërruan. Të gjitha shpresat tona u thyen. Ai u gozhdua në një kryq dhe vdiq. Atëherë e ulën dhe e vunë trupin e Tij në një varr. Gjithçka mori fund. Unë jam Thomai, një nga të dymbëdhjetët. Unë isha i përkushtuar ndaj Tij. Besoja tek Ai.

Në fakt, isha gati të vdisja për Të. Kur erdhi lajmi që shoku i Tij Llazar kishte vdekur, Jezusi na tha se do të shkonte në Betani ku banonte familja e tij. Por kjo do të ishte e rrezikshme; armiqtë e Tij do të ishin afër, dhe ata që donin vdekjen e Jezusit mund të gjenin rastin e duhur.

Kështu, nuk doja ta lija të shkonte vetëm dhe shkova bashkë me Të, edhe pse kjo mund të më kishte çuar në rrezik. Tani, sigurisht, mbaj mend mësimet e Tij. Tani e kuptoj që Ai po na thoshte që kjo do të ndodhte. Por në atë kohë, asnjëri prej nesh nuk e shihte dot. Ai tha se do të ikte për të përgatitur një vend për ne.

Ne nuk e dinim se çfarë po thoshte. E pyeta, “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon, kështu si mund ta dimë rrugën?” Nuk po dyshoja; vetëm se nuk e kuptoja. Kur e zunë dhe e kryqëzuan ne u arratisëm. Kishim frikë për jetën tonë. Besonim që kryepriftërinjtë ose ushtarët romakë do të ndiqnin pastaj dishepujt e Tij.

Prandaj u fshehëm në shtëpi të ndryshme në Jeruzalem për dy ditë. Të dielën në mëngjes Pjetri, Gjoni dhe disa prej grave shkuan tek varri. Ata u kthyen duke thënë se varri ishte bosh, dhe duke pretenduar që Jezusi ishte ringjallur nga të vdekurit. Atë natë të gjithë u mblodhën fshehtazi, dhe më vonë më treguan që Jezusi i vizitoi dhe pastaj u zhduk.

Por unë thjesht nuk e besoja dot. Një i vdekur nga një varr, i gjallë? M’u kujtua që Llazari doli nga varri. Por Llazari nuk u shfaq dhe u zhduk në mënyrë misterioze. Jo, u thashë, vetëm nëse mund të vendosja duart në plagën e gozhdëve në dorën e Tij, të shihja dhe të prekja atë të çarë të tmerrshme në anën e tij, të shikoja me sytë e mi dhe të prekja me duart e mia dhe të kisha provën që Ai ishte i gjallë, ndryshe nuk mund ta besoja dot.

Dishepujt e tjerë ende ngulën këmbë që e kishin parë të gjallë. Dy prej tyre treguan që ai kishte ecur me ta gjatë rrugës për në Emaus. Por nuk mund të besoja pa e parë vetë unë. Duhej që ta shihja vetë. Unë isha zëri i dyshimit. Një javë më vonë të gjithë u mblodhëm në të njëjtën dhomë ku të tjerët thoshin se e kishin parë më parë. Papritmas, Ai u shfaq.

Jezusi u shfaq në mesin tonë. E dija që Ai nuk kishte hyrë përmes derës. Dera ishte kyçur ngaqë kishim frikë. Ai na përshëndeti. Atëherë m’u drejtua mua. Zemra më rrihte fort. Sytë e tij më vështruan drejtpërdrejt në sy. Ai shtriu duart dhe foli emrin tim. “Thoma, vëre gishtin këtu në duart e Mia. Vëre dorën në këtë plagë në anën Time dhe mos dysho, por beso!”

Ai e dinte se si kisha dyshuar. E dinte tamam ç’kisha thënë. Kisha thënë se nuk do të besoja përveçse po të shihja plagën e gozhdëve në duart e Tij. Ai tha, “Ja duart e Mia.” U kisha thënë dishepujve që nuk mund të besoja, vetëm nëse mund të vija gishtin në ato plagë gozhdësh. Ai më tha, “Vëre gishtin këtu.” Kisha thënë që nuk do të besoj përveçse nëse mund të vija dorën në anën e Tij.

Ai më tha, “Vëre dorën këtu në anën Time.” Edhe pashë ato shenja. Shenjat e ushtarëve dhe kryepriftërinjve. Shenjat e njerëzve që e refuzuan, e përçmuan, e keqpërdorën mizorisht. Ato ishin shenjat e njerëzve të cilët nuk donin të besonin. Edhe unë isha bërë njeri që nuk donte të besonte. Rashë në gjunjë dhe i thashë, “Perëndia im dhe Zoti im.”

Po ju? Gjithsecilit prej jush që dyshon që Jezusi është i gjallë, gjithsecilit që dyshon nëse Ai është Zoti i ringjallur dhe i gjallë, gjithsecilit prej jush që dyshon nëse Ai është shpëtimtari, unë po ju them, mos dyshoni më, por besoni. Ai më qortoi me butësi ndërsa të tjerët vështronin.

Ai tha që unë kam besuar sepse kam parë, por Ai tha që një bekim akoma më i madh do të vinte mbi ata të cilët nuk kanë parë si unë e prapë besojnë.

I adaptuar nga Ungjilli sipas Gjonit.

Most Popular

Recent Comments