“Udhëtari nga kjo botë në tjetrën”

0
353

Ribotohet përkthimi i librit klasik të rilindasit Gjergj Qiriazi

Gjergj Qiriazi përktheu një prej veprave më të njohura të letërsisë botërore, “The Pilgrim’s Progress” në vitin 1894. Ky përkthim arriti të botohej vetëm në vitin 1927, në Korçë. Libri pati ndikim te lexuesi shqiptar deri në periudhën e diktaturës ateiste në Shqipëri, kur u ndalua të qarkullonte. Me kalimin e kohës u fshi nga kujtesa dhe nga vëmendja e studiuesve.

Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante ndërmori një projekt për rishkrimin e librit, duke e risjellë për lexuesit shqiptar në shqipen standarde, për ata që dëshirojnë ta lexojnë librin pa u ngatërruar prej regjistrit të vjetër gjuhësor. Ribotimi kërkon të ruajë origjinalitetin përkthimor të Gjergj Qiriazit, duke bërë modifikime modeste më qëllim që lexuesit të sotëm t’i jepet një përvojë leximi më e rrjedhshme. Krahas variantit të rishikuar është botuar edhe varianti origjinal që mund të ketë interes më shumë për studiuesit e letërsisë shqipe.

“Udhëtari nga kjo botë në tjetrën” u botua për herë të parë në Angli, më 1678. Libri u përhap me përmasa të mëdha si libër i këndshëm dhe popullor, duke pasqyruar jetën e besimtarit me anë të alegorisë. Shpejt, libri filloi të përkthehej dhe të botohej në gjuhë të ndryshme të botës, si Shoqëria e Broshurave Fetare, një shoqëri që më vonë do të botonte edhe disa libra të Konstandin Kristoforidhit në gegërisht e në toskërisht. Libri “Udhëtari” ishte aq prestigjioz saqë, në kohën kur Gjergj Qiriazi e përktheu më 1894, ishte libri i dytë më i përkthyer në botë (pas Biblës). Deri më sot, ky libër është përkthyer në mbi dyqind gjuhë.
Autori i librit, Xhon Bënjian (John Bunyan, 1628–1688), është ndër autorët më të njohur në historinë e letërsisë angleze, me rreth tridhjetë libra të shkruar prej tij. Bënjiani kaloi një fëmijëri të varfër. Ai nuk arriti të ndjekë shkollën e lartë dhe punoi si kallajxhi. Rreth moshës 30-vjeçare, përqafoi përzemërsisht besimin e krishterë (sipas traditës ungjillore) dhe, pas pak kohësh, ndjeu një thirrje për t’u bërë pastor dhe predikues i ungjillit. Megjithatë, në vitin 1660, në Angli, me rikthimin e monarkisë, vetëm një kishë u njoh nga shteti: kisha anglikane. Çdo predikues duhet të liçencohej nga kisha shtetërore. Për arsye të ndërgjegjes, Xhon Bënjiani nuk e pranoi këtë dhe, si pasojë, u burgos për dymbëdhjetë vjet. Kjo rrënoi gjendjen ekonomike të familjes së tij duke e lënë gruan e Bënjianit të kujdesej vetëm për fëmijët (ndër të cilët, edhe një vajzë e verbër). Pikërisht nga burgu e shkroi Udhëtari-n Xhon Bënjiani.

Libri është një alegori përmes së cilës përshkruhet jeta e një burri që udhëton nga “Qyteti i Humbjes” (kjo botë) për në “Qytetin Qiellor” (Parajsë). Protagonisti (“I Papenduari”, i cili më vonë merr emrin “I Krishterë”) lexon një libër (Biblën) dhe zbulon se në shpinën e tij ka të lidhur një barrë (që simbolizon fajin dhe mëkatin e tij). Pesha e barrës është aq e rëndë, saqë ai kërkon me çdo kusht të çlirohet prej saj. Një burrë me emrin “Ungjilltar” e takon dhe e drejton te një portë, ku mund të niset shtegtimi i tij drejt Qytetit Qiellor. Miqtë e tij i luten që të mos largohet nga Qyteti i Humbjes, por ai vazhdon derisa mbërrin te vendi i çlirimit (kryqi dhe varri bosh i Jezus Krishtit). Te kryqi, zgjidhen rripat e barrës së udhëtarit dhe kështu ai vazhdon shtegtimin, ndonëse mes shumë vështirësive dhe peripecive, deri në çastin kur ai detyrohet “të kapërcejë lumin” (lumin e vdekjes), për të hyrë, më në fund, në Qytetin Qiellor.
Xhon Bënjiani spikat si historitregues, duke paraqitur personazhe tipike nga përvoja njerëzore, me emra alegorikë, si: Dyfaqësi, Shumëfjalësi, Mendjetrashi, Ungjillori, Monedhëdashësi, Urtëbotësi, Radhëdashësi, Fitimmiku, Besëmira, Besëtari, Urtësia, Mirëshpresësi, I Padituri, Humbësi etj. Me kalimin e kohës, libri u njoh jo vetëm si një libër popullor, por edhe si një klasik i letërsisë botërore, një vepër e sofistikuar që përfshin poezi, teologji, dialogë dhe tregime. Ende sot, në universitetet e huaja, studentët e letërsisë e studiojnë si model të shkëlqyer të alegorisë, dhe kishat e përdorin si mjet për të studiuar doktrinat dhe disiplinat e jetës së krishterë, sidomos meqë libri është i pajisur me qindra citate apo perifrazime biblike, gjë që tregon se “rrugëtimi i udhëtarit” nuk është i shpikur nga mendja e autorit, por i nxjerrë drejtpërdrejt nga Shkrimi i Shenjtë dhe, sigurisht, i plotësuar nga ana artistike me përvojat vetjake të autorit. Ndoshta ka ardhur koha që të lexohet edhe nga lexuesi shqiptar.

Viti i përkthimit, 1894, përputhet me periudhën kur po themelohej kisha e parë ungjillore shqiptare, si dhe dy vjet pas themelimit të “Vëllazërisë së Ungjillorëve në Korçë”. Me interes është fakti se, nga të gjithë librat e krishterë që mund të zgjidheshin për të mbështetur komunitetin e ri ungjillor, u zgjodh “Udhëtari”.

Mirëpo, historia përsëritet. Pas rrëzimit të diktaturës, filloi të rimëkëmbej kisha ungjillore ndër shqiptarë. U rithemelua Kisha Ungjillore e Korçës, dhe filluan të themeloheshin bashkësi të reja ungjillore në trojet shqiptare. Ashtu si në vitin 1894, si edhe në vitin 1992, “The Pilgrim’s Progress” u vlerësua si një libër me vlerë aq të madhe për kishën ungjillore, saqë duhet të ishte ndër librat e parë të krishterë që do të botohej. Megjithatë, për çudi, as botuesi, as përkthyesi dhe as redaktori i librit nuk e dinin se Gjergj Qiriazi paskësh përkthyer të njëjtin libër në shqip, plot një shekull më parë! Libri u botua në vitin 1992 me titullin “Rruga e Shtegtarit nga kjo botë në atë që pason”.

D. Hosaflook

Gjergj Qiriazi, në parathënien e tij shkruan: Nga ana ime i falem nderit Zotit të Madh Perëndisë, që më ka shfaqur edhe mua këtë udhë, dhe me anë të hirit të tij guxoj të quhem edhe unë një udhëtar që udhëtoj për në Qytetin Qiellor. I falem Zotit të Madh Perëndisë për gjithë mëmëdhetarët e mi dhe për gjithë njerëzit mbi dhé të jenë udhëtarë të vërtetë, të cilët pa frikë të kapërcejnë lumin dhe duke lavdëruar Zotin të hyjnë në dyert e Qiellit, në atë Qytet që s’ka as sëmundje, as hidhërim, as faj, as vdekje, po prehje të plotë, gëzim dhe jetë të pasosur.

Kapërcimi i Lumit për të arritur te Portat e Qiellit

Pashë atëherë në ëndërr, se ecnin bashkë derisa arritën të shihnin Portën e Qytetit.

Edhe pashë se ndërmjet tyre edhe Portës ishte një lumë fort i thellë, i cili s’kishte urë që ta kalonin.

Kur panë udhëtarët lumin, u shtangën shumë, por burrat, të cilët ecnin me ta, u thanë: “Duhet ta kaloni këtë lumë se përndryshe s’mund të arrini te Porta”. Atëherë, udhëtarët zunë të pyesnin nëse kishte ndonjë udhë tjetër që t’i nxirrte te Porta

Burrat u përgjigjën: “Ka, po qëkurse është bërë bota, vetëm dy veta, Enoku edhe Elia, kanë kaluar nëpër të[1] dhe asnjë tjetër nuk do të kalojë nëpër të derisa të bjerë trumbeta e fundit e Kryeengjëllit[2]

Atëherë udhëtarët, po më tepër i Krishteri, zunë të humbnin shpresën e tyre dhe po shikonin andej-këtej që të gjenin ndonjë udhë që të shpëtonin e të mos e kapërcenin lumin, por nuk e gjetën.

Atëherë burrat i pyetën: “A është lumi kudo njëlloj i thellë?”.

Ata u përgjigjën: “Nuk është, po dhe me këtë ne nuk mundim t’ju ndihmojmë. Do ta gjeni lumin më shumë a më pak të thellë, sipas besimit tuaj që keni në Mbretin e këtij vendi”.

Atëherë u afruan tek ujërat edhe, si hynë, i Krishteri zuri të fundosej edhe i thirri shokut të mirë Mirëshpresës, e i tha: “Mjerë! Po fundosem në ujëra të thella, valët më kalojnë mbi krye, gjithë ujërat më mbuluan!”[3].

Atëherë i tha shoku: “Merr zemër, vëllai im, unë po prek fundin dhe është i fortë”. 

Atëherë i tha i Krishteri: “Ah, shoku im, hidhërimet e vdekjes më kanë rrethuar edhe s’kam për të parë unë atë tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë”.

Atëherë ra mbi të Krishterin një tmerr dhe një terr kaq i madh sa s’mundi më të shikonte përpara. Kishte humbur pothuaj mendjen, nuk mbante mend më, as nuk mund të fliste për ato ngushëllime të ëmbla që kishte shijuar në gjithë udhëtimin e tij. Të gjitha fjalët që fliste tregonin vetëm një lebeti në mendjen e tij. Ai trembej se mos do të mbytej në lumë dhe mos nuk do të hynte kurrë në derë. Edhe kështu, siç vunë re ata që rrinin atje, dridhej duke kujtuar mëkatet e tij që i kishte bërë, para dhe pas nisjes së tij për në udhëtim. U duk sikur turbullohej edhe prej fantazmave e prej frymërave të liga, sepse kohë pas kohe kështu linte të kuptohej nga fjalët e tij.

Mirëshpresësi mezi mundi ta mbante përmbi ujë kokën e vëllait, i cili nganjëherë fundosej fare dhe përsëri pas pak kohe ngrihej si gjysmë i vdekur. Mirëshpresësi po përpiqej t’i jepte zemër duke thënë: “O vëllai im, merr zemër, tani shikoj derën dhe njerëzit që kanë dalë të na presin”. 

Po i Krishteri iu përgjigj: “Ata të presin vetëm ty! Që ditën që të njoha, ti ke qenë gjithnjë plot shpresë”. 

“Po edhe ti ke qenë i tillë”, – i tha Mirëshpresësi

“Ah! Vëllai im, – tha i Krishteri, – po të isha nga të shpëtuarit, me siguri Zoti do të vinte e të më ndihmonte,
por për mëkatet e mia gjendem në këtë grackë të tmerr­shme, dhe ai më ka lënë pa ndihmë”. 

Atëherë i tha Mirëshpresësi: “Vëllai im, këto hidhërime dhe këto mundime, me të cilat po kalon këto ujëra nuk janë shenja se Perëndia hoqi dorë prej teje, por të janë dërguar për të të sprovuar,
që të zbulohet nëse mban mend gjithë ato që ke marrë deri tani nga mirësia e Zotit, dhe nëse do të mbështetesh tek Ai në ditën e fatkeqësisë”.[4]

Atëherë pashë në ëndërr se i Krishteri për pak kohë ishte zhytur në mendime. Po në këto e sipër, Mirëshpresësi i tha: “Merr zemërZoti Krisht të shëron”.[5]

Atëherë i Krishteri thirri me zë të madh: “Oh! Vërtet e shoh prapë! Dhe ai më thotë: Kur kalon nëpër ujëra, do të jem bashkë me ty, edhe kur të kalosh lumenjtë, nuk do të vërshojnë mbi ty”.[6]

Atëherë që të dy morën zemër dhe armiku ngriu si gur, derisa e kapërcyen lumin. I Krishteri, pra, menjëherë zuri të prekte fundin dhe qëndronte në tokë të fortë,[7]
dhe pas kësaj pjesa tjetër e lumit nuk ishte e thellë. Dolën
më në fund në atë anë ku panë përsëri të dy burrat e shndritshëm, të cilët u kishin dalë përpara për t’i pritur. Edhe porsa dolën nga lumi, i përshëndetën e u thanë udhëtarëve: Ne jemi frymëra që shërbejmë, jemi dërguar t’u shërbejmë atyre që do të trashëgojnë jetën.[8] Edhe kështu u nisën së bashku drejt Portës

Shkonin, pra, nëpër hapësirë duke folur me gëzim e duke ngushëlluar njëri-tjetrin që kishin kaluar lumin me siguri dhe që i kishin përkrah këta shoqërues kaq të lavdishëm.

Ja, udhëtarët, si po ecin e udhëtojnë!

Re për karroca, e engjëjt i drejtojnë!

Për Zotin kush s’do të rrezikonte gjithçka?

Më të mirë se Ai kjo botë nuk ka! Marrë me leje nga “Udhëtari nga kjo botë në tjetrën


[1] Zan. 5:24; 2 Mbre. 2:11

[2] 1 Kor. 15:51–53

[3] Psa. 42:7, 69:1–2

[4] Psa. 50:15

[5] Gjoni 16:33; Vep. 9:34

[6] Isa 43:2

[7] Joz. 3:14–17

[8] Heb. 1:14