Home Mesazhi 4 Tradita që na bashkojnë

Tradita që na bashkojnë

Festat e fundvitit janë një shans i shkëlqyer për të forcuar lidhjet familjare. Koha e investuar së bashku mund të japë fryte madje në brezat e ardhshëm. Ajo familje që krijon tradita të veçanta për festat është një familje që e ndien veten më të pasur shpirtërisht. Jeta moderne është bërë gjithmonë më e shpejtë e më individualiste, por tradita familjare, nëse krijohen, mund t’i bëjnë ballë këtyre presioneve që na largojnë nga njëri-tjetri.

Shumë herë traditat familjare të festave të fundvitit kanë të bëjnë me ato gjëra që ne i bëjmë tashmë, vetëm se duhen bërë në mënyrë më kolektive dhe ndofta me pak ceremoni. Tradita e zbukurimit të pemës së krishtlindjes, apo të vitit të ri, është një rit që mund të përfshijë gjithë familjen. Dhe jo vetëm zbukurimit të pemës por të shtëpisë gjithashtu.

Gatimi i ushqimeve festive, sidomos ëmbëlsirat mund të përfshijnë disa pjestarë të familjes, edhe pse jo dhe fëmijët. Fëmijët gëzojnë kur përfshihen në punët praktike festive. Mund të jetë më shumë punë për mamin, por të bërit diçka bashkë ndihmon në forcimin e marrëdhënies dhe krijon kujtime të bukura.

Edhe pse mund t’ju duket normale që një familje ha së bashku, në ditët e sotme nuk është normale për të gjithë, ndofta për shkak të punës apo sepse jeta shijohet ndryshe sot. Por të paktën për krishtlindjet dhe per vitin e ri, duhet krijuar një traditë që familja të hajë së bashku.

Ky është një moment që shumë familje bëjnë një lutje falenderuese Zotit për të mirat që ata gëzojnë – një detyrë kjo që i takon kryetarit të familjes. Nuk ka pse të jetë e sikletshme, sidomos nëse e bën traditë.

Ka tradita të tjera që praktikohen, siç është leximi i një libri së bashku gjatë festës – për krishtlindjet mund të jetë historia e lindjes së Krishtit, për vitin e ri, mund të jetë një libër humoristik – gjithsesi, fëmijët ndiejnë kënaqësi të veçantë dhe do të ndiejnë afrimitet të madh me babanë apo me gjyshin nëse i merr në prehër dhe ua lexon disa rreshta, dhe pse jo disa faqe!

Ka familje që e kanë bërë traditë një shëtijte së bashku në ditën festive. Shumë familje shkojnë në kishë ditën e krishtlindjes. Kishat normalisht organizojnë shërbesa familjare për krishtlindjet ku këndohen këngë festive të bukura. S’ka shumë kuptim të festoni krishtlindjet nëse nuk shkoni në kishë. Një aktivitet familjar që mund të kthehet në një traditë të bukur është të krijoni dhe të shkruani bashkë kartolina për kushërinjtë apo të afërmit e tjerë.

Media digjitale është bërë shumë dominuese, por asgjë nuk ia zë vlerën e një kartoline të bërë vetë. Shume familje kanë lojëra që i bëjnë për krishtlindjet apo për vitin e ri. Ka lojëra tavoline që mund të jenë pjesë e një tradite që përsëritet çdo vit. Dhe nëse bie dëborë mos i lër fëmijët ta bëjnë vetëm njeriun prej bore. E gjithë familja mund të përfshihet!

Ka disa tradita që kanë lidhje të veçanta me krishtlindjet, por që në Shqipëri i lidhim edhe me vitin e ri. Një nga traditat e kësaj feste është të japësh dhurata, dhe jo vetëm rrethit të ngushtë familjar. Krishtlindjet, që në kohët e para, kanë qënë një rast për t’i bërë dhuratë një familje tjetër që, për çfarëdo arsye, nuk ka shumë mundësi ekonomike ta festojë fundvitin.

Ato familje që e praktikojnë bujarinë si pjesë e traditës së tyre festive zbulojnë harmoni më të madhe brenda shtëpisë se vet. Bujaria është një mënyrë e fuqishme për të kultivuar mirënjohjen në zemrën e fëmijëve që janë pjesë e familjes dhuruese. Ka familje që praktikojnë dhurimin e lodrave të vjetra që nuk i përdorin më – se mosha e fëmijës tashmë kërkon të tjera gjëra.

Paketimi i këtyre lodrave të vjetra, gati për t’ia dhuruar dikujt tjetër, mund të jetë një traditë e bukur për familjen tuaj. Përveç kësaj ia hap rrugën dhuratave të reja që do t’ju vijnë! Ka njerëz që nuk kanë nevojë për dhurata, aq sa kanë nevojë për një fjalë të mirë. Të moshuarit gëzojnë kur ndiejnë se nuk janë të harruar.

Dhe mund të ketë një të moshuar në rrugën tuaj, zemra e të cilit do të gëzojë për ditë të tëra vetëm se i bëtë një vizitë. Cilat janë traditat tuaja familjare? Shpresoj që nuk është vonë të pasuroni botën tuaj shpirtërore me praktika festive që do t’ju lidhin së bashku më shumë.

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments