Home Jehona 38 T’i Festosh Pashkët Me Frikë

T’i Festosh Pashkët Me Frikë

Sipas shtypit të jashtëm (Gazeta Daily Mail dhe Uashington Times) udhëheqësi suprem i Kores së Veriut sapo ka udhëruar ekzekutimin e tridhjetë e tre besimtarëve të krishterë vetëm për shkak të besimit të tyre. Këta të fundit u arrestuan për shkak të kontaktit të tyre me një misionar nga Korea e Jugut, Kim JungUook, i cili u arrestuar vitin e kaluar.

Liria e besimit është gëzuar për 23 vjet në Shqipëri, çka mund të na bëjë të mendojmë që kjo është normale për gjithë botën. Por raportet e shoqatave humanitare kohët e fundit na kanë vënë në dijeni të rritjes së përsekutimit të besimtarëve nëpër botë, madje ndalimin total në disa prej këtyre vendeve edhe të festimit të Pashkës.

12 vjetët e fundit, Koreja e veriut ka qënë vendi nr. 1 në botë për persekutimin e besimtarëve. Është një shtet tërësisht komunist, i vetmi në botë që ngjan me Shqipërinë ish-komuniste, ku çdo lloj praktike besimi është e ndaluar dhe ku kërkohet adhurimi i udhëheqësit të vendit. Vendi ka afërsisht 300 mijë të krishterë. Besohet se më shumë se 25% e tyre janë në kampe pune dhe burgje me kushte çnjerëzore. Të krishterët takohen fshehtas, në frikë dhe terror të vazhdueshëm. Ata pak që kanë lënë vendin tregojnë për tortura çnjerëzore për besimtarët që kapen nga autoritetet.

Edhe vende si Afganistani, Somalia dhe Arabia Saudite nuk lejojnë që besimtarët të mblidhen publikisht dhe të festojnë pashkët apo të adhurojnë Jezus Krishtin. Këto shtete (dhe të tjera si këto) ndalojnë ekzistencën e kishave sepse janë vende që lejojnë praktikimin e vetëm një feje. Në Afganistan sot, nuk ekziston asnjë ndërtesë kishe me një popullsi 35 milionë banorë. Besimtarët kristian takohen në fshehtësi, pasi të gjithë vijnë nga tradita muslimane dhe nëse zbulohen, rrihen dhe torturohen ose vriten. E njejta situatë është edhe në Somali. Edhe pse kushtetuta flet për liri besimi, nuk ka asnjë bashkësi të krishterë që funksionon hapur. Shumë besimtarë janë vrarë gjatë vitit 2013 dhe presioni kundër të krishterëve është i madh dhe në rritje.

Në Arabinë Saudite ka shumë besimtarë kristian, por ata kryesisht kanë ardhur aty si punëtorë nga vende të tjera. Në 2013 dhjetra besimtarë nga vende të tjera u zbuluan dhe u larguan nga vendi me forcë.

Siria ka tre vjet që është zhytur në një luftë civile të ashpër që është kthyer në një luftë fetare midis dy sekteve të Islamit. Iraku ka pësuar të njëjtin konflikt sektesh për dymbëdhjetë vjet me rradhë. Të dyja këto shtete kanë një pakicë të krishterë shumë të vjetër që kanë pothuajse 2000 vjet që jetojnë në ato troje. Mirë po, si një pakicë jo e fuqishme, të krishterët janë shkelur nga ekstremistët dhe mblidhen me shumë frikë të festojnë pashkët për shkak të atentatave kundër tyre. Edhe pse kushtetuta në këto vende lejon liri besimi, ata që lënë islamin persekutohen shumë ashpër.

Në prag të pashkës situata është e vështirë për besimtarët në shtete të tjera si Pakistanti, Iran, dhe Libia ku rrahjet, dëmtimet, kërcënimet me vdekje, martesat me forcë të vajzave më djem muslimanë, janë disa nga problemet për ata që besojnë në Jezus Krishtin në këto vende.

Vietnami vazhdon të jetë një vend komunist që i sheh të krishterët me dyshim, si agjentë të perëndimit. Në 2013 qeveria kaloi ligje të reja që e bëjnë më të vështirë jetën për të krishterët, për punën me të rinjtë, dhe për trajnimin e udhëheqësve.

Përveç këtyre vendeve të listuara më lart, ka edhe të tjera si: Egjipti, India, Algjeria, Jordania, dhe Kolumbia ku persekutimi i të krishterëve është i madh dhe shpesh në rritje.

Jezus Krishti paralajmëroi përndjekjen e ndjekësve të tij kur tha: “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush”.

Previous articleKrishti u bë kurban
Next articleÇ’është Pashka?

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments