Home Jehona 20 Supriza e Krishtlindjes

Supriza e Krishtlindjes

Lufta e një doktori me ndërgjegjen e tij

Po merrja pjesë në darkën spitalore me rastin e krishtlindjeve, një rast ky që i ngjante një feste madhështore në kishë… një dritë e madhe blu në fund të dhomës u ndez shumë ngadalë, duke mbuluar pemën e krishtlindjes dalëngadalë me shkëlqim që vinte edhe bëhej gjithnjë e më të çelët, deri sa gati u ndez flakë çdo stoli.

Në anën tjetër të skenës një perde u hoq gradualisht dhe ne pamë tre muzikantë të rinj dhe të dashur, që të gjithë të veshur me rroba të bardha që xixëllonin. Ata luajtën shumë butësisht bashkë me organo, me një harpë, një violonçel dhe një violinë. Mua më ka pëlqyer gjithmonë harpa, dhe më pëlqen të shikoj hijeshinë e një njeriut që di t’i bjerë mirë.

U mahnita veçanërisht nga kjo harpiste e re. Ajo i binte jashtëzakonisht mirë, sikur ta donte. Gishtat e saj të hollë lëviznin shkathët nëpër tela, dhe ndërsa infermieret këndonin, fytyra e saj, e zbukuruar nga një sasi e madhe flokësh gështenjë, ishte kthyer lart sikur bota në atë çast të ishte një vend i mrekullueshëm dhe i shenjtë….

17 vjet më parë

Ishte shtruar një grua me një lindje të rrezikshme. Fëmija ishte pozitsionuar për një lindje podalike (d.m.th. këmbëposhtë). Gjëja më e vështirë për doktorin në rast të çdo lindjeje këmbëposhtë, është t’i mbajë duart larg deri sa forcat natyrore të nxjerrjes t’i kenë zgjeruar mirë strukturat e forta të nënës të cilat pengojnë ecurinë e lindjes.

Në këtë rast, unë prita me aq durim sa munda, duke i dërguar lajme të shpeshta familjes së emocionuar jashtë në korridor. Më në fund koha kishte ardhur, dhe hoqa një këmbë të vogël. Kapa tjetrën, por për ndonjë arsye që nuk e kuptoja, ajo nuk zbriste dot pranë këmbës së parë.

E hoqa përsëri, me butësi por me pak forcë, bashkë me një presion të lehtë mbi barkun nga lart, dhe trupi i bebit zbriti mjaft sa të vija re që ishte një vajzë e vogël – dhe atëherë, u habita dhe u shqetësova kur pashë që këmba tjetër nuk do të rrinte kurrë pranë këmbës së parë.

Vajzës i mungonte e gjithë kofsha nga vithet e deri tek gjuri, dhe ajo këmbë nuk mund të zbriste poshtë gjurit tjetër. Dhe një vajzë e vogël do ta pësonte këtë, një të metë të çuditshme që nuk e kisha parë kurrë më parë.

Lufta më e vështirë

Pastaj filloi lufta më e vështirë që kam patur brenda vetes. E dija se çfarë efekti të tmerrshëm do të bënte kjo e metë në sistemin nervor të nënës. Isha i sigurt që familja gati do ta varfëronte veten duke çuar fëmijën te çdo ortopedër i famshëm i botës, arritjet e të cilit mund t’i ofronin ndonjë pikë shprese.

Mbi të gjitha, pashë këtë vajzë të vogël të ulur, të trishtuar dhe vetëm, ndërsa vajzat e tjera qeshnin, kërcenin, vraponin dhe luanin – dhe atëherë kuptova papritmas që diçka do të shmangte çdo brengë veç njërës, dhe kjo diçka ishte brenda mundësive të mia. Një nga dhjetë bebet që lindin këmbëposhtë vdesin gjatë lindjes* sepse nuk nxirret mjaft shpejt, dhe tani – sikur të mos nxitoja!

Sikur ta ndaloja pak dorën, sikur ta lëvizja pak më ngadalë. Normalisht nuk do të ishte një lindje e lehtë. Askush në botë nuk do ta dinte të vërtetën. Nëna, pas tronditjes së parë të hidhërimit, ndoshta do të gëzohej se kishte humbur një fëmijë me një të metë të tillë të trishtueshme. Për një-dy vjet, ajo do të provonte përsëri dhe ky fat tragjik nuk do të përsëritej më kurrë.

‘Mos ua sillni këtë vuajtje,’ më tha zëri i vogël nga brenda. ‘Kjo bebe nuk ka marrë kurrë frymë – mos e lër të marrë frymë kurrë. Sido që të vijë puna, ti ndoshta s’ke për ta nxjerrë brenda afatit. Mos u nxito. Mos u sjell atyre këtë gjë të tmerrshme. Po sikur të të brejë pak ndërgjegjja; a nuk mund ta durosh më mirë se ata? Mbase do të të vrasë ndërgjegjja më keq nëse e nxjerr bebin brenda afatit.’

Çdo sy, i ngulitur tek unë

I bëra shenjë infermieres për peshqirin e ngrohtë dhe të sterilizuar që rri gjithmonë gati për mua për rastet e lindjeve këmbëposhtë, që ta mbështjell rreth trupit të bebit me qëllim që ajri i ftohtë i botës së jashtme të mos shkaktojë shtrirjen e shpejtë të gjoksit të bebit, duke shkaktuar kështu thithjen e mukozës ose të lëngut me pasoja fatale.

Por kësaj radhe, peshqiri do të përdorej vetëm për të fshehur nga infermieret që më ndihmonin, atë që vetëm sytë e mi kishin parë. Duke ndier në dorë atë këmbë të vogël dhe të mjerë, më përshkoi një brengë hidhërimi për të ardhmen e bebit, dhe vendimi im u bë. Hodha një shikim nga sahati.

Tre nga shtatë-tetë minutat e caktuara kishin ikur. Çdo sy në dhomë ishte ngulitur tek unë dhe ndieja tensionin në gatishmërinë e tyre për të bërë menjëherë çdo gjë që do t’u kërkoja, ndonëse ishin krejt të padijshëm për atë që po ndieja. Shpresoj se ata nuk mund të zbulonin tensionin e luftës sime në atë çast.

Këto infermiere më kishin parë të arrija me sukses lindjen e dhjetra bebeve ‘këmbëposhtë’, po madje më kishin parë edhe të dështoja. Tani do të më shihnin të dështoja përsëri. Për herën e parë në jetën time në mjekësi po flakja qëllimisht atë që më kishin mësuar si të drejtë, për diçka që isha i sigurt se ishte më e mirë.

E futa dorën poshtë peshqirit për të ndier rrahjet e litarit të bebes, një tregues ky i pagabueshëm i gjendjes së saj. Edhe dy-tre minuta të tjera dhe koha do të mjaftonte. Që të dukesha sikur po bëja diçka, e zbrita bebin pak më poshtë që t’i ndaja krahët, dhe ndërsa bëra këtë, këmba e vogël rozë e krahut të mirë doli nga peshqiri që e mbronte dhe shtyu mirë dorën time që po lëvizte ngadalë, në atë dorë pra, së cilës i ishte kushtuar siguria e nënës dhe bebes.

Trupi i bebit lëvizi papritmas dhe me vrull, me një ndjenjë të vërtetë force, jete dhe energjie. Kjo ishte më shumë nga ç’mund të duroja. Nuk e bëra dot atë që kisha menduar. E nxorra beben me gjithë këmbën e vogël të mjerë. Të nesërmen i thashë famijes dhe me një të ngecur në zërin tim i thashë edhe nënës për të metën. Çdo parashikimi im i zi u realizua. Nëna u shtrua në spital për disa muaj.

E pashë disa herë dhe ajo dukej si një hije e asaj gruaje që kishte qenë më parë. Dëgjova hera-herës për ta në mënyrë të tërthortë. Ata kishin shkuar në Roçester të Minesotës, në Çikago dhe në Boston. Më në fund, humba krejtësisht kontaktet me ta. Fajësova veten time sepse nuk u tregova i fortë. . .

Rikthehemi në koncertin e krishtlindjes

Kur mbaroi programi i shkurtër, prita për të përgëzuar kryeinfermieren për efektet e pazakonta që kishte porositur. Dhe ndërsa rrija ulur vetëm më erdhi duke vrapuar një grua që nuk e njihja. Ajo erdhi tek unë me krahë hapur. ‘Oh, e patë apo jo?’ më tha. ‘Duhet ta kishit njohur beben tuaj. Ajo që i binte harpës ishte vajza ime dhe ju pashë duke e shikuar atë.

A nuk ju kujtohet ajo vajzë e vogël e cila lindi vetëm me një këmbë të mirë, para 17 vjetësh? Ne provuam çdo gjë tjetër në fillim, por tani ajo ka një këmbë të tërë artificiale nga ai krah – kurse ju nuk do ta dinit kurrë apo jo?’ ‘Ajo mund të ecë tani, por ç’është më e mira, gjatë gjithë atyre viteve kur nuk ecte dot, ajo mësoi të përdorte duart në mënyrë të mrekullueshme.

Ajo do të bëhet një nga harpistët e mëdhenj të botës. Ajo do të hyjë sivjet në shkollë të lartë, në moshën 17 vjeçe. Ajo është e gjithë jeta ime, dhe tani është shumë e lumtur. . . dhe ja ku është!’ Ndërsa po bisedonim, kjo vajzë e re dhe e ëmbël na ishte afruar qetësisht, me sy që regëtinin, dhe tani ajo qëndronte pranë meje.

‘Ky është doktori yt i parë, e dashur, doktori ynë,’ i tha e ëma. Po i dridhej zëri. E pashë duke u çuar mbrapa, bashkë me mua, përmes të gjitha viteve të dhimbjes së zemrës, deri te dita kur i thashë se me çfarë duhej të përballej. ‘Ai ishte i pari që më tregoi për ty. Ai të solli tek unë.’

Natë e qetë

Si i rrëmbyer e mora fëmijën nëpër krahë. Përtej supit të saj të ngrohtë dhe të ri, pashë sahatin e zvarritur të maternitetit 17 vjet më parë, dhe përjetova përsëri ato çaste të tmerrshme kur jeta e saj ishte në dorën time, kur kisha vendosur ta vrisja foshnjën me qëllim. E mbajta pak larg meje dhe e vështrova.

‘Ti s’ke për ta ditur kurrë e dashur,’ i thashë, ‘ti s’ke për ta ditur kurrë, as ti as ndonjë njeri tjetër në mbarë botën, se ç’kuptim ka patur kjo natë për mua. Të lutem, kthehu te harpa jote dhe luaj ‘Natë e Qetë’ vetëm për mua. Mbi supe kam një barrë që nuk e ka parë njeri, një barrë që vetëm ti mund ta heqësh.’

Nëna e saj u ul pranë meje ndërsa e bija luajti. Mbase ajo e dinte se çfarë i rëndonte mendjes sime. Dhe ndërsa tingujt e fundit të këngës ‘Natë e Qetë, Natë e Shenjtë’ u venitën përsëri, besoj se gjeta zgjidhjen dhe ngushëllimin që kisha pritur për një kohë kaq të gjatë.

Historia e Dr. Frederic Loomis, një doktor nga Kalifornia. E botuar me leje nga gazeta Evangelicals Now, në Angli. *Këto ngjarje kanë ndodhur në pjesën e parë të shek. XX. Që atëherë mjekësia ka ecur përpara dhe normalisht sot një lindje të tillë do të bëhej me anë te një operacioni.

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments