Home Jehona 37 Rreziqet më të mëdha për vitin 2014

Rreziqet më të mëdha për vitin 2014

Kanë shpërthyer protesta të fuqishme kundër propozimit se mund të vijnë armë kimike në Shqipëri. Në muajin nëntor u diskutuar se Shqipëria mund të ishte një nga vendet që do të merret me çmontimin e armëve kimike, armë të cilat qeveria siriane po ua dorëzon amerikanëve.

Një pjesë e popullit shqiptar ka reaguar kundër këtij propozimi, për shkak të rrezikut të madh që mbart një punë e tillë. Kjo ngjarje shërben si shkas të pyesim cili është rreziku më i madh për planetin tonë në vitin 2014?

Rreziku më i madh, natyra?

Shumë studiues i konsiderojnë katostrofat natyrore si rreziku kryesorë për njerëzimin. Vetëm në dhjetë vitet e fundit kanë rënë disa tërmete mjaft shkatërruese: Tërmeti që ra afër Japonisë në 11 mars, 2011, me forcën 9.0 ballë shkaktoi një tsunami të madh që shkatërroi bregun perëndimor të Japonisë.

Tërmeti që goditi Haitin në 12 janar 2010 ishte më i dobët, por si pasojë 300.000 njerëz humbën jetën, sepse tërmeti rrafshoi kry­eqytetin e këtij vendi. Kurrë nuk mund të harrohet tërmeti që ra në afërsi të Indonesisë para disa vjetësh me një forcë prej 9.1 ballë i cili shkaktoi një tsu­nami të jashtëzakonshëm që mori jetën e 230.000 mijë njerëzëve.

Nuk jane vetëm tërmetet që marrin jetën e njerëzve në mënyrë masive. Edhe ekstremet e motit kanë shkaktuar stuhira gjigante vrasëse. Vetëm para disa javësh ishujt Filipine u përfshinë nga një uragan aq i fuqishëm saqë era frynte me një shpejtësi marramendëse prej 300 km/h. Mijëra njerëz humbën jetën dhe qindra mijëra të tjerë mbetën pa shtëpi.

Para katër vjetësh gjithashtu, cikloni Nargis shkaktoi përmbytje të jashtëzakonshme në Myanmar, duke zhdukur fshatra të tëra dhe ku humbën jetën 138.000 njerëz. Natyra prodhon një lloj tjetër rreziku, i cili nga madhësia e saj fizike është e pa­përfillshme, por që mund të ketë pasoja shumë më të mëdha për njeriun se sa tërmeti: ai quhet viroza.

Vazhdimisht shkencëtarët i ruhen krijimit të një lloj viroze që mund të jetë shfarosëse për njerëzimin. A e dini që gripi që ra në vitin 1918, mori më shumë jetë njerëzish në 12 muaj sesa gjithë konflikti i Luftës së Parë Botërore. Të paktën 50 milion njerëz humbën jetën ku shumë prej tyre ishin me shëndet të mirë përpara se t’i zinte gripi.

Rreziku më i madh, njeriu?

Edhe pse rreziqet e natyrës janë të mëdha, shumë studiues i konsiderojnë rreziqet që vijnë nga vet njeriu si më problematike. Në këtë kategori futen jo vetëm luftërat dhe pasojat e tyre, por modifikimi me qëllim të virozës, helmimin që i shkaktojmë planetit dhe pse jo edhe sjelljet shkatërruese të njerëzve në jetën e tyre të përditshme.

Një pjesë të madhe të problemeve njeriu ia shkak­ton vet­vetes me mënyrën e tij të jetesës kaq negative. A e dini që 10% e njerëzve vdesin në botë nga sëmundja që kanë lidhje drejtpërsëdrejti me duhanin? Ky është vetëm një shembull por ka shumë të tjerë.

Profesor Arnold Toynbee, një historian i madh, që botoi veprën e tij masive “Historia e Botës” në dymbëdhjetë vëllime, kaloi gjithë jetën duke studiuar gjendjen e njeriut, ai tha në librin e tij të fundit: “Në zhvillimin e njerëzimit ekziston një boshllëk morali.

Njeriu shtrin vazhdimisht pushtetin e tij fizik mbi mjedisin, por ai është i paaftë të nënshtrojë pasionet e tij shkatërrimtare.” Sigurisht mund t’i vendosim njerëzit në sipërfaqen e hënës, por a po jetojmë ndopak më mirë? A ka ndodhur një përparim përkatës në çështjen e gjendjes shoqërore të njerëzve?

Rreziku më i madh është…

Po të flasim për vitin 2014, rreziku më i madh për jetën në planetin tokë është diçka që nuk po i jepet vëmendja e duhur nga shtypi botëror. Bëhet fjalë për qendrën e dëm­tuar të energjisë bërthamore, që gjendet në Fukushima, në Japoni. Më konkretisht, pranë reaktorit nr. 4 të kësaj qendre, ka një pishinë për ftohje të materialit reaktivë që rrezikon të shembet.

Bëhet fjalë për një sasi shumë të madhe materialësh radioaktive. Sa? Gjithsej, rreth 460 ton në shufra me nivele radioaktive tepër të larta, përfshirë plutoniumin. Për ta bërë akoma më të qartë: Pishina e magazinimit është në katin e tretë të një godine shtatë katëshe, që mund të rrëzohet nga një tërmet tjetër.

Nëse rrezohet godina, materiali radioaktiv do të bjerë në kontakt me atmosferën dhe rrjedhimisht ai do të shpërthejë, duke lëshuar 10 herë më shumë radioaktivitet në ajër sesa shpërthimi i Çernobilit.

Sa është mundësia e një tërmeti tjetër?

Shkencëtarët që merren me këtë punë thonë që ka një mundësi 70% të një tërmeti 7.0 ballësh, në afërsi të qendrës bërthamorë në vitin që vjen, dhe probabiliteti është 98% në tre vitet e ardhshme. Në rast se do të shëmbet godina, këshillohet evakuimi i krejt Japonisë, dhe pasojat do të jenë të jashtëzakonshme për gjithë botën.

Lajmi i mirë është që ka filluar transferimi i materialit radioaktiv në një godinë tjetër më të sigurtë aty afër. Mëgjithatë kjo është një punë e vështirë për shkak të dëmtimit të qendrës, dhe parashikohet që do të zgjasë ndofta dy vjet.

Si arritëm këtu?

Për të arritur në këtë situatë tepër emergjente bashkvepruan të dy faktorët në të njëjtën kohë: pakujdesia e njeriut dhe egërsia e natyrës. I lutemi Zotit në këtë fundviti, të na ruajë si nga njëra ashtu dhe nga tjetra.

Gjithashtu, i urojmë suksese në vitin 2014 gjithë atyre japonezëve, të cilët punojnë në qendrën bërthamore të dëmtuar të Fukushimës, dhe duan të na shpëtojnë të gjithëve nga katastrofa e madhe. Zoti i bekoftë!

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments