Home Jehona 27 Pyetje për ateistët

Pyetje për ateistët

prej librit të John Blanchard-it “A beson Perëndia tek ateistët?”

Nëse evolucionit i duhen miliona vjet që të ndodhë, si mund të jemi të sigurt se po ndodh vërtet?

Si është e mundur që proceset natyrore, duke vepruar në mënyrë plotësisht rastësore, të krijojnë mekanizma komplekse dhe funksionuese, dhe aq më pak të krijojnë qenie inteligjente njerëzore me anë të grimcave rastësore?

Çfarë vlere ose dinjiteti objektiv ka njerëzimi, nëse është krijuar thjesht nga miliona rastësi?

Sartri pretendon se heqja qafe e Perëndisë bën të mundshëm moralin e vërtetë, por a nuk është më e lehtë të tregosh se morali i Sartrit e bën mosekzistencën e Perëndisë të nevojshme? Me fjalë të tjera, a nuk duket se mohimi që Sartri i bën Perëndisë është vetë një dëshirë personale?

Nëse veprimet tona nuk kanë asnjë kuptim absolut, pse duhet konsideruar bamirësia si më e vyer se vjedhja e një banke? Nga ana morale, ç’kuptim kanë fjalët “e mirë”, “e keqe”, “më e mirë” dhe “më e keqe”?

A nuk është kërkimi i vazhdueshëm i njeriut për liri, kuptim, dinjitet, rëndësi dhe vlera, pikërisht ajo që do të prisnim të shihnim nëse ai është krijuar vërtet nga një Perëndi, i cili është pika absolute e referimit për të gjitha këto?

Nëse materia është gjithçka dhe gjithçka është materie, çfarë mund të themi për teoritë, kuptimet, konceptet, propozimet, ligjet e logjikës — dhe vetë të vërtetën? A mund të mohojmë seriozisht se këto gjëra nuk ekzistojnë, apo të themi se nuk kanë “realitet”?

Nëse ekziston vetëm materia, çfarë kuptimi të mundshëm mund t’u japim koncepteve të tilla si e mira, e keqja, morali, arsyeja, dashuria, bukuria, dëshira, qëllimi apo shpresa?

Nëse njeriu është thjesht një masë mate-rieje, si arrin të kujtojë të shkuarën, të vlerësojë të tashmen dhe të parashikojë të ardhmen? Si mund të mohojë deterministi ekzistencën e Perëndisë pa pranuar se një mohim i tillë nuk bazohet në asnjë lloj fakti?

A synon me të vërtetë që të zbulosh të vërtetën, apo thjesht po luan lojëra në mendje? I ke shqyrtuar në mënyrë të ndershme pretendimet e Biblës?

A të shkon në mendje ndonjë pyetje që, sipas fjalëve të William James, të jetë më ‘e gjallë, e detyrueshme dhe e rëndësishme’ sesa ekzistenca e Perëndisë? Si mund të kënaqesh me pasigurinë mbi një çështje që do të të ndikojë gjithë përjetësinë? A ke menduar ndonjëherë se çfarë lloj provash do të doje të të jepnin që të bindeshe se Perëndia ekziston? Çfarë lloj provash do të të bindnin se ai ekziston vërtet?

A je i sigurt se nuk po përpiqesh të shmangësh përballjen me realitetin e një Perëndie që thotë se duhet të marrë kontrollin e jetës dhe stilit tënd të jetesës?

Nëse dhënia e llogarisë për vetveten para një Perëndie të shenjtë dhe të drejtë, i cili do të vendosë për vendin tënd në përjetësi, është diçka e mundshme, a nuk do të ishte e logjikshme që të bëje gjithçka që mundesh për të zbuluar nëse kjo ide është fakt apo fantazi — dhe ta bëje këtë gjë urgjentisht? Vërtet mendon se mund të jesh i lumtur që të vdesësh në errësirë dhe të rrezikosh më të keqen?

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments