Home Jehona 39 Përse unë shkoj në kishë

Përse unë shkoj në kishë

Janë hapur me qindra kisha në Shqipëri gjatë njëzet e ca vjetëve që kur ra sistemi ateist. Disa prej këtyre kishave drejtohen nga predikues shqiptarë dhe disa prej misionarëve të huaj. Nuk pretendoj se të gjitha këto kisha janë njësoj, as që them se do të frekuentoja çdo lloj kishe. Por po ju jap këtu disa nga arsyet përse unë shkoj në një kishë ungjillore. Në qoftë se s’ke shkuar ndonjëherë në kishë, të ftoj t`i marrësh në konsideratë arsyet që ju paraqes më poshtë:

Kam nevojë për shoqëri

Njeriu është një qenie shoqërore. Ai ka nevojë për njerëz të tjerë. Kur Zoti e krijoi njeriun e parë, Adamin, ai tha që: “nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm”. Njerëzit që shkojnë në kishë, nuk janë të përkryer, por në kishë kam gjetur shoqëri të sinqertë. Ku tjetër, përveç kishës, mund t’i gjesh njerëz të mbledhur nga shtresa kaq të ndryshme shoqërore, me një përzierje të të gjitha grupmoshave dhe shpesh me kombësi të ndryshme gjithashtu?

“Po e le të la”

A e dini që sipas studimeve shkencore, frekuentimi i kishës është mirë për shëndetin? Studimet tregojnë që, mesatarisht, njerëzit që shkojnë në kishë, kanë tension gjaku më të ulët, vuajnë më pak nga stresi, kanë imunitet më të lartëndaj sëmundjes, përballojnë problemet më mirë, shërohen më shpejt pas operacioneve dhe gëzojnë jetëgjatësi më të madhe.

I them Zotit: “Faleminderit”

Përse njerëzit ankohen kaq shumë dhe shumë pak janë të kënaqur? Përse lakmojnë kaq shumë dhe nuk ndiejnë më tepër gëzim, për ato gjëra që i kanë? Kjo, vjen ngaqë njerëzit duhet të jenë më mirënjohës ndaj Zotit. Është mirë që ti të shkosh përpara Perëndisë, të paktën një herë në javë, dhe t’i thuash: “Faleminderit!”

Martesa ime është forcuar

E di që martesa ime ka përjetuar përmirësim kur kam frekuentuar kishën me bashkëshorten time. Nuk e di nëse kjo vjen për shkak të arsyeve që mund të shpjegohen ose jo. Kur i drejtojmë sytë te Zoti për një orë, sikur e shikojmë edhe njeri tjetrin më me respekt dhe më me dashamirësi. Nuk besoj që ka çifte që nuk do të përfitonin nga frekuentimi i kishës. Bota nuk është e pamend kur shkon në kishë për të marrë bekimin e Zotit.

Dua të pastroj shpirtin

Përse të shkosh në kishë? Sepse ke nevojë për falje. Dhe në kishë do të dëgjosh për të vetmin që ka fuqi të falë mëkatet. Kjo është një nga arsyet më të forta që duhet të shkosh në kishë. Krishti vjen për të na çliruar nga mëkati. Prandaj ai vdiq në kryq, për të siguruar faljen. Ai vjen në mes nesh më shumë për të dhuruar se sa për të marrë. Pasi ke kaluar një javë duke luftuar me mëkatin, sa mirë që mund të shkosh në kishë të dielën dhe të pastrohesh nga çdo gjë e keqe!

Kë të adhuroj tjetër?

Këngët e kishës janë disa nga këngët më të bukura që janë shkruar. Muzika e kishës ka frymëzuar njerëzit gjatë gjithë historisë. Por adhurimi nuk ka të bëjë vetëm me këngën dhe muzikën. Ngaqë njeriu ka një botë shpirtërore, ai do të adhurojë dikë apo diçka dhe kjo është e pashmangshme. Ose do të adhurojë Zotin, krijuesin e tij, ose do të adhurojë dikë apo diçka më pak të denjë: pasurinë, partinë, punën, ndofta këngëtarë apo jo pak herë veten e vet. Është fisnike të adhurosh Zotin dhe ti duhet të kuptosh që për këtë jemi krijuar, t’i japim lavdi Perëndisë.

Sepse kam nevojë për lutje

Ka fuqi në lutje. Sidomos kur populli i Zotit lutet së bashku. Jezus Krishti premtoi, “Në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë diçka, kjo do t’u jepet atyre nga Ati im në qiell.” Ata njerëz, për të cilët askush nuk lutet, janë më të vërtetë më të varfër shpirtërisht, sepse është e mrekullueshme kur rrethohesh nga njerëz që luten për ty.

Dua që fëmijët e mi të jenë në rrugë të mbarë

Fëmija që rritet në kontakt me kishën ka gjasa të dalë një njeri më i kompletuar në jetë dhe të jetë më pak i prirur ndaj veseve të shumta që ka shoqëria sot. Shumë prindër po vuajnë me fëmijët e tyre, adoleshentë të pakontrollueshëm. Mos prit t’ju ndodhë juve. Nëse i doni fëmijët tuaj, (dhe e marrë me mend që i doni) nuk bën keq ti shoqërosh për në kishë.

Unë besoj te Krishti

Përfytyro që Jezus Krishti viziton qytetin tënd. A nuk ke dëshirë të vesh ta takosh? Bashkësia është ky vend. Jezusi premtoi se aty ku dy ose tre njerëz bashkohen në emrin e tij, ai do të gjendej në mes tyre. Ndonëse është e drejtë të themi që Zoti është kudo, ai është i pranishëm në mënyrë të veçantë në bashkësi. Jezusi i quajti besimtarët trupi im. Kështu që pyetja,”ku mund ta gjej Jezusin sot?” merr përgjigjen: “aty ku është trupi i tij.”

Kam pyetje dhe më duhen përgjigje

Asnjëherë tjetër nuk kemi qënë të rrethuar nga kaq shumë zëra me fjalë kontradiktore. Jeta është konfuze, ndërsa ne mundohemi të kuptojmë rrugën që duhet të ndjekim. Kjo të jep një arsye tjetër të vesh në kishë. Sepse atje do të dëgjosh zërin e Perëndisë nëpërmjet këngëve, lutjeve dhe Shkrimeve të Shenjta. Zoti i flet popullit të tij në mënyrë kolektive. Zeri i tij të drejton në rrugë të mirë, të forcon, të jep kurajo, të qetëson, të korrigjon. Sa keq kur i lutemi Zotit për ndihmë, por pastaj nuk shkojmë në vendin ku Zoti na flet.

Më bën mirë të mos mendoj vetëm për veten

Nuk duhet të vesh në kishë me mendim vetëm të marrësh. Kisha është vendi ku duhet edhe të japësh. Nuk po flas vetëm për ofertën e kishës. Po flas për detyrimin që kemi të duam njeri-tjetrin. Jezusi na urdhëroi: “Po ju jap një urdhërim të ri; ta doni njeri-tjetrin, sikurse unë ju kam dashur ju, ashtu edhe ju ta doni njeritjetrin, prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi”.

Sepse e di që një ditë unë do të vdes

Nuk e di kur, as si, por e di që vdekja është e pashmangshme. Më çudit shumë që njerëzit nuk mendojnë për këtë, ose nëse e mendojnë, nuk përgatiten për ditën e tyre të fundit. Vdekja është prova e madhe që përballon njeriu. Pas vdekjes është vonë të ndryshosh drejtimin. Unë kam frikë të vdes larg Zotit, dhe nuk kam turp të them që edhe kjo është një nga arsyet që unë shkoj në kishë. Këto pra, janë arsyet e mia, përse shkoj në kishë. Por cilat janë arsyet e tua se përse ti nuk shkon në kishë? A janë ato vërtetë arsye të mira? Dhe a do të të duken të mira ato arsye kur të arrish në fund të jetës?

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments