HomeMesazhi 11PASHKËT: SHPRESA TE ZOTI

PASHKËT: SHPRESA TE ZOTI

Shpresa është një forcë e madhe. Mund të jetë e padukshme, por është e pamohueshme. Ka njerëz që mendojnë që shpresa është dicka iluzive. Por përvoja na tregon që shpresa ka një ndikim të madh te njeriu.

Shpresa e bën dallimin midis dy njerëzëve që ndodhen në rrethana krejt identike. Ndonëse nga jashtë të duken njësoj, njëri ka një burim të brendshëm, ndërsa tjetri është bosh.

Shpresa te Zoti është shpresa e vërtetë. Ajo është një shpresë e gjallë dhe hyjnore. Nuk po flas për optimizmin njerëzor. Ka njerëz që janë prej natyre optimist. Por shpresa është më shumë sesa aq. Se njeriu më optimist në botë mund të zhgënjehet edhe të përballet me situata që e lënë me shpirt të thyer. Por aty ku optimizmi bie në gjunjë, shpresa hedh hapa përpara, qoftë edhe përmes vuajtjes.

Dhe mos mendoni që shpresa është vetëm një gjendje emocionale e mirë. E nuk duhet të ngatërrohet as me filozofinë pozitive. Shih Jezusin. Pozitiv ndihej kur u tradhtuar, kur e fshikulluan, apo me padrejtësi e dënuan? Si e gyjkoni? E megjithatë, ai nuk ishte pa shpresë.

Njeriu që jeton me shpresë, nuk jeton pa halle. Kam parë njerëz që jetojnë mes të mirave, por u mungon shpresa. Dhe kam parë një njeri që ka një thes me probleme mbi kurriz, por shpresa në shpirtin e tij nuk e lë të dorëzohet.

Kështu edhe Krishti; me dhimbje të madhe ecte drejte Golgotës duke mbajtur kryqin e tij në krah, por sytë i drejtonte lart! Sepse të shpresosh është të dish që po beson në diçka më të madhe sesa vetja.

Shpresa e Zotit ka një bazë të fortë. Themelohet mbi të vërtetën e Perëndisë, e jo mbi premtimet bosh të njerëzve. Ai që e vë shpresën te Zoti, a nuk do të dalë i fituar në fund?

E sigurisht që shpresa nuk bazohet mbi probabilitet. Sa ishte probabiliteti që Jezus Krishti do të ngjallej? Kjo ishte diçka e pamundur, por prapë se prapë ai u ngjall!

Mund të shuhet jeta, por jo shpresa. Sepse shpresa është më e fortë sesa vdekja. E rrokullisën një gur të madh mbi grykën e varrit të Krishtit, dhe vendosën ushtarë të ruanin trupin e tij të pajetë. Por mundimi i tyre ishte i kotë. Se ai që vdiq duke shpresuar në Perëndinë, do të triumfonte pastaj mbi çdo gjë të keqe: mbi djallin, mbi vdekjen dhe mbi botën.

Çfarë do të thotë kjo për ne sot?

Zoti nuk ndryshon. Siç shpresuan në Jezus Krishtin në atë kohë, duhet të shpresojmë edhe ne.

Shpresa te Zoti është dritë për mendjen e errësuar.

Shpresa te Zoti është ilaç për zemrën e rënduar.

Shpresa e Zotit të jep kurajo kur je i vetmuar.

Shpresa e Zotit të ngre kur je i rrëzuar.

Shpresa është largpamëse. Vështirësitë të rrethojnë, por shpresa shikon përtej atyre. Ajo shikon të ardhmen përmes dashurisë së Jezusit që u shfaq në kryq për ne. Sepse ai që dha jetën për ne, si mund të na harrojë?

Pyesim: Cila është shpresa jonë? Që nuk do të vuajmë ndonjëherë? Jo. Por nëse vuajmë për Zotin, ai do të na ngushëllojë.

Ku qëndron shpresa e Zotit? Që nuk do të na bëhet asnjë padrejtësi? Jo. Por, nëse na bëjnë padrejtësi, do të vijë dita që Zoti do të na japë të drejtën.

Përse shpresojmë në Zotin? Që të shërohemi patjetër? Jo patjetër. Por nëse nuk shërohemi e dimë se ku do të shkojmë. Kjo është shpresa e vërtetë.

A s’kemi shpresë që do të ndërhyjë Zoti për ne? Zoti ndërhyn çdo ditë! Sa herë që të ndodh diçka e mirë është dora e Zotit që po të bekon.

Fundi i gjithë kësaj që po themi është kjo: Edhe nëse shpresa është e vetmja gjë që të ka ngelur, nuk je i pashpresë.

Shpriti yt ka nevojë për shpresë. Familja juaj ka nevojë për shpresë. Prandaj, shpresoni në Zotin!

Kush shpreson në Krishtin, nuk mund të humbasë. Por cili është ai që mund të jetojë pa shpresë?

Previous articleÇ’KUPTIM KA KRYQI?
Next articleVARRI BOSH

Most Popular

Recent Comments