Home Bibla Flet Sot NUK TË GËNJEN SYRI

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo

Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah të liqenit, apo të jesh ulur në kafe në një prej rrugëve të qytetit, apo të jesh duke vrapuar nga puna në punë, në çdo çast syri bën gjithë ato modifikime për të të siguruar një pamje të qartë të gjërave që të rrethojnë. Përnjëherësh syri regjistron edhe detajet e vogla, edhe panoramën e gjerë, duke u fokusuar tani te njëra e pastaj te tjetra, duke dalluar formën, distancën e ngjyrën e asaj që ti sheh. E ta mendosh se syri i përshtatet nivelit të dritës që mund të ndryshojë shumë shpejt, si për shembull kur je duke ecur me biçikletë, herë në diell e herë nën hijen e pallatit, e madje i realizon të gjitha këto kur je në lëvizje… e habitshme apo jo?

Kush i hyn me shkencë kësaj pune, mahnitet nga kompleksiteti i saj. A e dini që syri ka disa nga mekanizmat më të sofistikuara të të gjithë trupit? Jo vetëm që i ka gjithë ato pjesë të ndryshme, prej të cilave kornea, irisi, lentja, e retina janë vetëm disa nga më të njohurat, por ka një bashkërenditje fantastike midis tyre që të lë pa fjalë. Thonë që muskujt që e lëvizin syrin, janë muskujt më aktivë të të gjithë trupit, megjithëse puna e tyre do të shkonte dëm po të mos reagonin me kaq shkathtësi muskujt brenda syrit, si ciliari, që e ndryshon formën e lentes së syrit me një saktësi të tillë që mundëson një nivel fokusimi mbresëlënës. A e dini që syri i filtron rrezet e dritës në mënyrë që retina të marrë vetëm ato të duhurat për të formuar imazhin më efikas të gjërave? Përndryshe pamja juaj do të ishte tërë kohën veçse miza-miza e fije-fije. Dhe nuk e di nëse e keni marrë vesh që retina përbëhet prej më shumë se 120 milionë receptorësh të ndryshëm, të pozicionuar në mënyrë të tillë që të krijohet një ndijim sa më i dobishëm për trurin.

Prandaj, edhe nese i ke syte ngjyrë kafe, si shumica e njerëzve, apo i ke blu, a jeshilë, apo ndonjë ngjyrë tjetër, ç’rëndësi ka përpara faktit të madh që ti sheh?! Dëgjova dikë që ankohej pse tjetri e kishte syrin pushkë, ndërsa atij i duheshin syze, por vetëm njeriu që e ka humbur shikimin krejt e di sesa e shtrenjtë është dhuntia e të parit. Sa do të donte ky i fundit të shikonte përsëri, edhe sikur ai shikim të ishte jo perfekt!

Pashë me interes reagimin e një të riu kur i hoqën fashot pasi ishte operuar nga sytë. Ky e kishte humbur shikimin disa vite më parë, ndërsa tani që iu kthye drita e syrit ishte kaq shumë mirënjohës ndaj atyre që e ndihmuan! Kjo më shtyn t’ju pyes: kur ishte hera e fundit që, pasi të ka dalë gjumi në mëngjes, i ke hapur sytë për t’u mrekulluar nga fakti që ti sheh? Domethënë, kur është hera e fundit që i the faleminderit Perëndisë për sytë e tu? Zoti ta dhuroi shikimin duke të mundësuar bërjen e gjithë atyre veprimeve, të mira sigurisht. Të parit është një dhuratë edhe për të shijuar mrekullitë e shumta të krijimit që gjenden rreth teje. Është një dritare që e lejon mendjen të pasurohet me njohuritë që vijnë nga vëzhgimi i gjërave, i njerëzve, dhe i leximit të librave, apo siç e kemi sot, ekranit. Të parit nuk të shërben vetëm ty. Ai të jep mundësi të shikosh kur fëmija yt ka nevojë për ndihmë, kur miku yt është i mërzitur edhe kur tjetri është në rrezik.

Për çudi dëgjova dikë një herë që tha se nuk mund të besonte sepse s’e kishte parë ndonjëherë Zotin me sy. Si nuk e shikon? – i thashë unë. Ai duket në gjithë veprën e tij! Ai është kudo. Pastaj shiko fytyrën tënde në pasqyrë, i thashë, shiko veten në sy, e atëherë flasim. Vetë syri yt, vetë dhuntia e të parit, të tregon bindshëm që nuk po e shikon mirë këtë punë. Sepse kur Zoti shihet edhe prej atij që nuk ka sy, qysh thua ti që nuk e shikon?! Edhe pse e pranoj që ka njerëz që vërtet nuk mund ta shikojnë Zotin, kjo vjen ngaqë e kanë shpirtin të verbër. Kur mendja nuk sheh, ç’mund të presësh prej syrit?

Most Popular

ZOTI I FLET TË SËMURIT

Herët a vonë, çdo njeri sëmuret. Pavarësisht ku jeton në botë, apo në ç’grup shoqëror bën pjesë, është e pashmangshme që do...

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

Recent Comments