HomeJehona 38Nuk është e drejtë!

Nuk është e drejtë!

Një shëmbëlltyrë për gjykimin e fundit

Në fund të kohës, miliarda njerëz ishin shpërndarë mbi një pllajë të stërmadhe përpara fronit të Perëndisë. Shumica rrinin kruspull për shkak të dritës së shkëlqyer që kishin përpara. Por disa grupe pranë kreut po debatonin të nxehur — jo me turp, por me egërsi: “A mund të na gjykojë dot Perëndia?”

“Nga e di ai ç’është vuajtja?” bërtiti një brune e re dhe e zgjuar. Ajo shqeu njërën mëngë dhe zbuloi një numër tatuazhi nga një kamp përqendrimi nazist. “Ne hoqëm tmerr… duruam rrahje… tortura… vdekje!” Në një grup tjetër, një zezak uli jakën. “Po kjo?” pyeti ai, duke treguar një të djegur të shëmtuar litari.

“Krimi i vetëm pse më vranë ishte që isha zezak!” Në një tjetër turmë ishte një vajzë e re, me sy të trishtuar. “Pse duhet të vuaj?” murmuriti ajo. “S’ishte faji im.” Mbarë pllaja ishte mbushur me qindra grupe të tilla.

Gjithsecili kishte nga një ankesë kundër Perëndisë për ligësinë dhe vuajtjen që kishte lejuar në botën e tij. Sa fatlum ishte Perëndia që jetonte në qiell, ku gjithçka ishte plot me ëmbëlsi dhe dritë, ku s’kishte të qara ose frikë, uri apo urrejtje!

Ku e di Perëndia se çfarë detyrohen njerëzit që të durojnë në këtë botë? Sepse Perëndia vetë kalon një jetë shumë të sigurt, thoshin ata. Kështu që secili prej këtyre grupeve dërgoi nga një drejtues, i zgjedhur për shkak se kishte vuajtur më tepër se të tjerët. Një jude, një zezak, një person nga Hiroshima, një njeri i deformuar keqas nga artriti dhe një fëmijë me talidomid.

Në qendër të pllajës u këshilluan me njëri-tjetrin. Më në fund ishin gati të mbronin çështjen e tyre. Ishte një argument shumë i zgjuar. Përpara se Perëndia të mund të kualifikohej si gjykatësi i tyre, ai duhet të hiqte ato që kishin hequr ata.

Verdikti i tyre ishte që Perëndia të dënohet me jetë në tokë — si njeri! Le të lindë si çifut. Le t’i vihet në dyshim ligjshmëria e lindjes së tij. Jepini një punë kaq të vështirë, sa dhe vetë familja e tij të mendojë se i ka ikur mendja kur të përpiqet ta kryejë. Le të tradhtohet nga miqtë e tij më të ngushtë. Le të përballet me akuza të rreme, të gjykohet nga një juri me paragjykime dhe të dënohet nga një gjykatës burracak. Le ta torturojnë.

Në fund të kuptojë se ç’do të thotë të jesh tmerrësisht i vetëm. Pastaj le të vdesë në agoni. Le të vdesë në mënyrë të tillë, që askush të mos dyshojë se ka vdekur vërtet. Le të ketë një numër të madh dëshmitarësh për ta vërtetuar këtë.

Kur çdo drejtues shpalli pjesën e fjalisë së vet, murmurima të forta miratimi përshkuan turmën e njerëzve të mbledhur. Kur drejtuesi i fundit mbaroi së lexuari dënimin, pati një heshtje të gjatë. Askush nuk foli asnjë fjalë. Askush nuk lëvizi. Sepse, papritmas, të gjithë e kuptuan se Zoti e kishte vuajtur tashmë dënimin e tij.

 

Previous article
Next article

Most Popular

Recent Comments