Home Jehona 24 Një Thirrje Për Ndihmë!

Një Thirrje Për Ndihmë!

Historia e vërtetë e marinarit Xhon Njuton

“Zotëri, po mbytemi!” thirri një marinar i frikësuar që e takoi Xhonin te shkalla. Xhoni shkoi për t’i rënë alarmit. Kur u kthye marinari nuk ishte më.

“E mori dallga, zotëri!” bërtiti një marinar tjetër i befasuar.

“Mos harxho kohë duke u shqetësuar për të,” e urdhëroi Xhoni me zë të mekur.

“Nëse nuk ndodh një mrekulli, do të pësojmë edhe ne të njëjtin fat. Anija po mbushet shumë shpejt me ujë”.

Fortuna kishte ardhur aq shpejt saqë të gjithëve u erdhi e papritur. Dallgët e mëdha po godisnin anijen, sikur donin ta copëtonin përnjëherësh. Marinarët morën litarët për t’u lidhur pas parmakut të anijes që të mos binin në det. Me orë të tëra binte shi i rrëmbyer dhe era ishte aq e fortë saqë marinarët duhet të bërtisnin që të dëgjoheshin. Dallgët që përplaseshin kishin hequr trarët nga një anë e kuvertës dhe njerëzit panë ndërkohë që shumë arka me ushqime kishin rënë në det.

Edhe pse të gjithë po punonin me tërë forcë, asnjeri nuk mendonte se do të mbijetonte nga ajo stuhi e jashtëzakonshme. Kapiteni Xhon Njuton po e xhironte pompën me gjithë shpejtësinë e mundshme, por uji mbushi anijen më shpejt nga sa mund të hiqte ai.

“Ore ti!” i bërtiti Xhoni një marinari që ishte afër,

“Thirr edhe dhjetë të tjerë! Çdonjëri që nuk po bën punë të domosdoshme. Dhe filloni të hiqni ujin. Merrni kovat, kazanët, çajnikët, çfarëdo lloj gjëje që mban ujë”.

Mirëpo ata u munduan më kot. Anija vazhdoi të mbushej me ujë më shpejt nga sa njerëzit mund të hiqnin me kovë. Befas Xhoni ndjeu sikur ishte një njëmbëdhjetë vjeçar, kur ishte tmerruar me stuhinë e parë në det. Ai kishte kaluar shumë stuhi të frikshme që nga atëherë, por tani Xhoni u mbush me të njëjtin ankth të tmerrshëm që e ndjeu herën e parë.

“Anija do të mbytet dhe unë nuk di not”, mendoi ai i frikësuar. Pastaj, duke ngritur sytë drejt qiellit, Xhoni thirri:

“Të lutem o Perëndi, më ndihmo! Mos më lër të vdes! O Perëndi, unë e di që jam një mëkatar i madh. Me siguri nuk ka njeri më të keq se unë. Unë e di që nuk e meritoj mëshirën Tënde, por të përgjërohem, ki mëshirë për mua! Më fal për të gjitha ato gjëra të këqija që kam bërë dhe të betohem që sot e tutje, do të jem ndryshe! O Perëndi, ki mëshirë për mua dhe më shpëto jetën!”

Pas pak, Xhoni vuri re që stuhia filloi të qetësohej. Pas nëntë orëve me përpjekje për të shpëtuar anijen, Xhoni më në fund mund të linte punën te pompa. Deti ishte përsëri i qetë. Anija ishte dëmtuar shumë, por marinarët ishin aq të rraskapitur saqë nuk donin të bënin asgjë veç të shtriheshin mbi kuvertë dhe të pushonin. Mirëpo Xhoni pa që uji tashmë kishte filluar të mbushte përsëri anijen.

“Nuk duhet të humbim kohë,” u tha Xhoni atyre. Merrni gjithçka që mund të përdorim për të bllokuar këto rrjedhje. Batanije, rroba, gjithçka! Do të kthehemi mbrapsht në Angli dhe do të rrimë gjithë kohën me duart e zëna derisa ta kthejmë këtë anije në port”.

Marinarët i zuri frika sepse panë që gati gjithçka kishte përfunduar në det. Nuk kishte rëndësi për fuçitë me ujë, sepse binte shi. Problemi më i madh ishte se i gjithë ushqimi i tyre kishte përfunduar në det. Nuk kishte pothuaj asgjë për të ngrënë mbi anije.

Ata duhej të zinin peshk për të mbijetuar. Duhej ti zinin me duar sepse kallamat e peshkimit nuk ishin më. Gjithashtu drurët e zjarrit kishin rënë në det, kështu që peshqit duhet t’i hanin të gjallë. Megjithëse frynte era dhe koha ishte e mirë, anija ecte ngadalë, sepse velat ishin copëtuar.

Në fillim timonieri mendoi se anija ishte vetëm pesëqind kilometër larg tokës, por stuhia e kishte larguar aq shumë nga rruga saqë ata ishin shumë më larg. Pompat duheshin vënë vazhdimisht në punë me qëllim që anija të qëndronte mbi ujë. Gjithashtu njerëzit ishin gjysëm të ngrirë dhe të uritur.

“Ju e dini se çfarë do të na ndodhë, apo jo?” u ankua njëri i dëshpëruar.

“Edhe sikur të shpëtojmë nga e gjithë kjo stuhi, do të vdesim para se të arrijmë në bregdet”.

Çdo ditë njerëzit po bëheshin më të dobët dhe gjendja e tyre dukej pa shpresë. Pas dhjetë ditësh vdiq një marinar. Vetëm Xhon Njutoni ishte i bindur se do të ktheheshin gjallë në Angli. Me të gdhirë, më datë 8 prill, marinarët u zgjuan nga thirrja plot gëzim të marinarit që po qëndrontë mbi direk.

“Hej, tokë! Pashë tokë!” thirri ai “Arritëm! Arritëm!”

Atë ditë, tetëmbëdhjetë ditë pas stuhisë shkatërruese, anija shumë e dëmtuar, u fut ngadalë në port, në Laf Sulli, Irlandë. Ata sa kishin hedhur spirancën dhe kishin zbritur në breg kur filloi të frynte përsëri era dhe deti u përkeqësua.

Marinarët të rraskapitur panë me frikë ndërsa anija e tyre u zhyt nga njëra anë e pastaj ra në fund të detit.

“Tani e di me siguri,” thirri Xhon Njutoni, “që Perëndia ekziston! Dhe Ai me të vërtetë dëgjon dhe i përgjigjet lutjes. Shiko se si iu përgjigj lutjes sime!”

Previous articleNga Historia e Kishës
Next articleJohn Newton

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments