HomeAktualitetNGJANKEMI SHUMË!

NGJANKEMI SHUMË!

“Asnjë dallim thelbësor nuk i ndan njerëzit nga kafshët e tjera” thoshte kryeartikulli për evolucionin në revistën e famshme TIME. Sa më shumë mendova për këtë deklaratë përgjithësuese, aq më shumë fillova ta mirëkuptoja…

Si njerëzit, edhe majmunët kanë zotësi të dalluara gjuhësore. Fjalori i tyre është shumë i madh, gramatika e tyre është e ndërlikuar, dhe bisedat e tyre janë të thella dhe kuptimplota. Ndërsa aftësia e majmunëve për të shprehur gjuhën e tyre me shkrim është një provë tjetër e lidhjes së ngushtë midis tyre dhe njerëzve.

Përveç kësaj, majmunët kanë një prirje të fortë hetuese. Janë të çmuara kërkimet e tyre në fushat e matematikës, biologjisë dhe fizikës. Për më tepër majmunët (ashtu si njerëzit) kanë shumë dëshirë të mësojnë kuptimin e jetës. Kjo është arsyeja përse ata i kushtojnë shumë kohë filozofisë me një pasion mbresëlënës. Prova më e mirë që unë mund të paraqes në mbështetje të këtij pohimi është thënia e një filozofi të njohur majmun i cili tha, “Jeta është si një banane, e shijshme, por që mbaron shpejt”.

Ndërkohë, sa m’u bë qejfi kur pashë gjithë ata majmunë që i shkruanin revistës TIME në përgjigje të artikullit me titullin ‘Nga erdhi njeriu?’. Në mënyrë të veçantë më bëri përshtypje letra e një orangutangu që arsyetonte se majmunët kishin evoluar nga njerëzit dhe jo anasjelltas.

Gjithashtu, majmunët, ashtu si njerëzit, kanë një ndjenjë të mprehtë estetike. Ata admirojnë bukurinë dhe dëshirojnë fort të rrethohen nga sende të këndshme. Kur një majmun kultivon lule në vaso, ose var një pikturë në mur, vallë çfarë po bën veçse po shpreh dashurinë që ka për bukurinë? Përveç kësaj, majmunët kanë një shtytje të fortë krijuese. Kjo shihet te poezitë e tyre, te dramat, si dhe te muzika e tyre brilante.

S’mund të lëmë të papërmendur edhe ndjenjën e humorit që gjendet tek të gjithë majmunët. Edhe kjo është një provë e pakundërshtueshme që tregon lidhjen e ngushtë që kanë me njerëzit. Dëshira që kanë për një të qeshur të fortë duket qartë në ato shakatë e tyre të njohura prej majmunësh.

Në mbyllje, shpresoj që kam treguar më së miri që cilësi si arsyetimi krijimtaria, fantazia, dhe humori, edhe gjithë vetitë e tjera, nuk janë aspak ekskluzivitet i njeriut. Prandaj, sipas fjalëve domethënëse të revistës TIME: “Asnjë dallim thelbësor nuk i ndan njerëzit nga kafshët e tjera”, e si rrjedhojë, besimtarët lehin kot kur thonë se njerëzit dhe kafshët janë shumë të ndryshëm. Dhe duket qartë që ata e kanë shumë gabim kur insistojnë se ky dallim del prej faktit që Zoti na krijoi sipas imazhit të tij. Erdhi koha të lirohemi prej mendimeve të këtij lloj, e të përqafojmë dinjitetin që na jep barazia me kafshët.

Previous articleVARRI BOSH
Next articleBIG BROTHER-i BËN GOL

Most Popular

Recent Comments