Home Mesazhi 3 Nga xhihad në ungjilltar

Nga xhihad në ungjilltar

“U shpall një luftë e shenjtë dhe shkova të luftoja në zonën Xhamu. U tregova ushtar i zoti dhe kujtoj me turp se si u bashkova me të tjerët për t’u vënë zjarrin fshatrave, duke vrarë njerëz të pafajshëm dhe nganjëherë, duke i detyruar ata të ndërronin fenë.

Në një rast ne i kishim vënë flakën një fshati dhe po prisnim të qëllonim njerëzit që kishin mbetur gjallë. Një grua e moshuar vrapoi drejt meje duke mbajtur një fëmijë të vogël. Unë e kisha ngritur dorën lart ta godisja, kur papritur ajo e vuri fëmijën te këmbët e mia duke thënë :

‘Eja, vrite! Feja juaj është të vrasësh njerëzit dhe Zoti juaj kënaqet vetëm kur vrisni të tjerët.”

Unë shikova fëmijën që qante i frikësuar tek këmbët e mia dhe u shtanga e nuk mund të flisja. Gruaja e moshuar, duke parë hezitimin tim u afrua, më pa në sy, dhe më foli:

“Bir, a ke fëmijë?”

“Jo nënë, por kam nipër e mbesa,”- i thashë.

“A i ke parë ata fëmijë kur luajnë me baltën?”

Në zonën tonë të varfër, fëmijët shpeshhere luanin me baltën.

“Po nënë, edhe unë kam bërë kuaj, kafshë dhe shtëpi disa herë.”

Ajo vazhdoi:

“A të pëlqente, kur dikush i prishte ato lodra që ti krijoje?”

“Mërzitesha shumë,”- iu përgjigja me pak siklet.

“Atëherë bir, imagjino që Zoti ka krijuar këtë fëmijë këtu për të shfaqur mirësinë e tij. Nëse ti u mërzite kur ta prishi dikush gjënë që krijove ti, si mund të mendosh që Zoti kënaqet me këto që po bëni sot? Mos vallë, Zoti është kaq i dobët sa i duhet ndihma jote të vrasë të pafetë?”

Më pushtoi një valë neverie për atë çfarë po bëja. Dyshimet që kisha patur, arritën kulmin. Nuk mund të vazhdoja më në këtë rrugë. Me shpirtin e tronditur klitha:

“Mjafton nënë! Pas kësaj dite nuk do ta ngre më dorën time për të vrarë në emër të fesë. Lutu për mua nënë! Sepse e di që jam i humbur.”

E dhashë udhrin për grupin tim të largoheshin nga fshati. Luftëtarët e tjerë nuk e kuptonin përse, por m’u bindën, se isha komandanti i tyre. Atë natë reflektoja mbi dhunën që kisha kryer. U ndjeva se vetëm ferri po më priste për ato që kisha bërë. Sepse unë, me duart e mia, e kisha vrarë atë që i takonte Perëndisë.

Ç’kishte krijuar Zoti, unë e kisha shkatërruar. Në fillim nuk pranoja përgjegjësinë e plotë. A nuk kisha ndjekur mësimin e mësuesve të mi fetarë? Nëse unë nuk isha fajtor, a ishte fajtor Zoti? Këto mendime më torturuan dhe jeta m’u duk e pakuptimtë. U mbusha me dyshime dhe me frikë, sidomos me frikën e vdekjes dhe të skëterrës. Nuk shikoja fund tjetër.

Më përpara s’kisha ndier ndonjëherë frikë për këto gjera, edhe pse shpeshherë kisha qënë në rrezik për jetën. Po sikur të mos ketë Zot? Mendova me veten. Atëherë s’mund të ketë ferr! Por zëri i ndërgjegjes nuk pushonte.

Ndërgjegja ime bërtiste “Ka Zot!”. Ekzistenca e universit ishte prova e mjaftueshme për mua që ishte dikush që e krijoi. Bukuria e natyrës ishte një dëshmitare e pamohueshme. Pak kohë më vonë e paraqita dorë- heqjen nga forcat e armatosura dhe më lejuan të largohesha me kusht se s’do t’i tregoja askujt shkakun e largimit. Po ku të shkoja dhe çfarë të bëja?

Doja të lutesha, por zemra ime ishte plot frikë dhe ankth. Çfarë do të ndodhte me mua? Si mund t’i dilja para Zotit? Nuk gjeta ndihmë në fenë time, por rastësisht rashë në kontakt me disa besimtarë që më dhanë Dhiatën e Re (Biblën e Shenjtë). Fillova të lexoja dhe u binda se kjo është rruga e vërtetë. Pas kësaj, vëllezërit e mi më morën dhe thirrën disa mësues të besimit tonë tradicional të debatonin me mua.

Ata nuk mund të më ndryshonin mendjen dhe ikën të zemëruar, duke më kërcënuar. Më vonë vëllezërit e mi më rrahën dhe më mbyllën në një dhomë, duke më lënë për ditë me radhë pa ngrënë. Por besimi im i ri nuk më la dhe ata habiteshin me durimin tim përmes vuajtjesh. Kur ata shprehën habinë e tyre për faktin që unë sillesha ndryshe nga ai që kisha qenë më parë, u thashë ‘Tani jam njeri i ri.’

Si përfundim u bëra predikues i besimit ndaj Jezu Krishtit. U bëra predikues pra, i atij, ndjekësit e të cilit unë dikur i kisha urryer. Pas disa vjetësh, më kërkuan të predikoja në krahinën Sind. Këta ishin njerëz të besimit Hindu. Të tillë njerëz unë dikur i kisha urryer. Tani unë shkoja tek ata me mesazhin e princit të paqes.

Kjo është historia e Gulam Naamanit që vjen nga libri “Hiri im të mjafton”. Pasi besoi në Jezus Krishtin, ai punoi për ungjillin në kishën anglikane derisa vdiq.

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments