Home Jehona 32 Mirënjohja Sekreti i lumturisë

Mirënjohja Sekreti i lumturisë

Ankesa, ankesa, ankesa!

E dimë që është mirë të jemi mirënjohës, por se ç’kemi ne njerëzit që na pëlqen të ankohemi kaq shumë. Me sa duket, e kemi më kollaj të mendojmë për gjerat negative sesa për gjërat pozitive në jetë. Çdo njeri ka probleme, dhe nuk po them t’i mohojmë ato.

Por ka disa njerëz që asnjëherë nuk thonë faleminderit dhe asnjëherë nuk thonë “Jemi mirë!” pavarësisht se jetën e kanë plot me të mira. Mirënjohja është një virtyt që përmirëson gjendjen shpirtërore dhe shëndetin e njeriut. Është provuar që mirënjohja ul stresin dhe largon depresionin. Shumica prej nesh nuk e marrim mundimin të regjistrojmë bekimet tona.

Unë mendoj se ky është gabim i madh. Një njeri mirënjohës bëhet më njeri më i gëzuar, më i kënaqur në jetë, dhe pse jo të themi edhe më i mirë me të tjerët. Njeriu mirënjohës është më pak egoist, sepse ai e vlerëson kontributin e të tjerëve në jetën e tij. Ja disa gjëra për të cilën ja vlen të jesh mirënjohës:

Jeta—Dhuntitë e të parit, e të dëgjuarit, e të nuhaturit, e të folurit. Ndjesia e të prekurit. Të paturit dy këmbë dhe dy duar. Për cilën prej tyre të jesh mirënjohës më përpara? Njeriu është krijuar në mënyrë të mrekullueshme dhe me aftësi të jashtëzakonshme. Njeriu mund të ndërtojë, të zbukurojë, të pikturojë, të këndojë, të shkruajë, të dashurojë dhe të gëzojë. Jeta është një dhuratë. A je mirënjohës?

Paqe—Lufta është një e keqe e pallogaritshme. Lufta të merr çdo gjë. Ka shtete sot që kanë qenë në gjendje lufte prej 20 vjetësh. Nëse ti jeton një vend që nuk është në luftë, ji mirënjohës!

Arsimi—Nga pikëpamja historike, vetëm një pakicë e vogël njerëzish kanë ditur të lexojnë dhe kanë patur mundësi për të shkuar në shkollë. Dikur vetëm për të privilegjuarit, sot arsimimi është një mundësi që e gëzojnë pothuajse të gjithë njerëzit. Padituria në të kaluarën ka qënë jashtëzakonisht e madhe. Është e drejtë të jesh mirënjohës që jeton në dritën e dijes.

Ushqimi—Darkat në pallatet mbretërore mund të kenë patur një sfond më luksoz, por llojshmëria e frutave, e përimeve, dhe e ushqimevë në përgjithësi, për të mos përmendur ëmbëlsirat që ne i hamë sot, i kalon asaj që hanin mbretërit para 200 vitesh. Kur është hera e fundit që shfaqe mirënjohje për pjatën që ke përpara? Derrat nuk thonë faleminderit, njeriu po.

Transporti—Ndonëse mjetet moderne të transportit sjellin rrezik, përsa i përket shpejtësisë së tyre, asnjëri prej nesh nuk nguron t’i përdorë. Mundësia për të mbaruar punën shpejt, por dhe për të parë botën, të afërmit, të marrësh pjesë në gëzime apo në hidhërime, dhe të gjendesh kollaj afër atyre që i ke të dashur në jetë, nuk është diçka e vogël. Herën tjetër që je për rrugë të gjatë, ji mirënjohës që mund të arrish për një ditë e jo për një muaj.

Komunikimi—Si jetonin njerëzit pa telefonin dhe pa internetin? Mjetet moder­ne të komunikimit i konsiderojmë të domosdoshme. Kemi harruar se sa vuanim për të dërguar ose për të marrë haber në të shkuarën. Sa mirënjohës duhet të jemi që na shërben telefoni – por jo t’i shërbejmë.

Shëndeti—Kur jemi të sëmurë, sa shumë e duam shëndetin. Por kur jemi shëndosh, përse nuk jemi më mirënjohës? Jetëgjatësia është rritur shumë. Njeriu sot ka mundësi të mjekohet në mënyrë të tillë që nuk imagjinohej përpara disa brezash. Ka sëmundje të rënda sot, por përgjithësisht, sëmundjat e shumta që frikësonin brezat e mëparshme, nuk i përfillim më.

Familje—Nëse ka njerëz që kujdesen për ty, që të duan dhe të qëndrojnë afër, përse nuk i falëndëron? Përse e marrim të mirëqenë dashurinë e tyre? Mirënjohja forcon lidhjet familjare dhe krijon një harmoni në shtëpi. Tregohu ti mirënjohës sot në familjen tënde dhe shiko se çfarë efekti pozitiv që do të ketë.

Previous articleThënie për adhurimin:
Next articleGëzuar Vitin e ri!

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments