Home Jehona 37 MESAZHI

MESAZHI

Dhurata më e madhe e të gjitha kohërave

Festat e fundvitit është ajo kohë kur mendi­met e shumë njerëzve kthehen tek dhuratat. Prova e mjaftueshme për këtë fakt është shu­ma jashtëzakonisht e madhe e parave që shpenzohen për dhuratat e krishtlindjes apo të Vitit të Ri çdo vit. Ndërsa mendojmë për dhurata, tani që festat po vinë, le të mendojmë për dhuratën e parë të krishtlindjes…

Një dhuratë suprizë

Gjatë këtyre ditëve shumë herë më kanë pyetur fëmijët: “Çfarë dhuratë do të ma­rrim për krishtlindje?” Shpesh dhuratat janë rezultati i një kërkese të veçantë, por nuk ndodhi kështu me dhuratën e parë të krisht­lindjes. Dhurata e parë, zbritje e fëmijës së shenjtë në tokë, ishte një suprizë për pothuajse krejt njerëzimin.

Edhe pse shtatëqind vjet para lindjes së Jezus Krishtit, një njeri i Perëndisë parashikoi: “Na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë”1 , profeci kjo që u përmbush në krishtlindjen e parë, dhurata e Perëndisë nuk ishte diçka që ne e kërkuam.

Njeriu nuk e dinte se cila ishte nevoja e tij më e madhe, por Zoti e pa nevojën tonë dhe dërgoi Birin e tij për të qenë Shpëtimtari ynë.

Një dhuratë e pakufizuar

Disa dyqane tregtojnë mallra vetëm për njerëz shumë të pasur. Dhuratat që ata shesin janë kaq të shtrenjta saqë një njeri jo shumë i pasur nuk mund t’i blejë dot. Por dhurata e Perëndisë është e pakufizuar. Ja, premtimi i Biblës: “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”2 .

Asnjë nuk mund të thotë duke hedhur sytë nga qielli: “Unë doja të shpëtohesha, por Jezus Krishti nuk erdhi për mua!” Në faqen e fundit të Biblës, gjendet fjala e ngrohtë: “Eja! Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës”3 .

Një dhuratë e pandryshueshme

Kohët ndryshojnë, stilet ndryshojnë, qëndrimet dhe shijet ndryshojnë, historia dhe librat ndryshojnë. Pothuajse çdo gjë që njohim ka ndryshuar. Por Jezus Krishti është dhurata e pandryshueshme e Perëndisë. Bibla deklaron: “Jezus Krishti është i njëjtë dje, sot dhe përjetë”4 .

Nuk mund të ketë ndryshim moral te Krishti. Po të bëhej më i mirë do të thotë se nuk ishte i përsosur që në fillim; dhe po të bëhej më i keq, do të thoshte se nuk është më i përkryer. Por në Jezusin jo vetëm që nuk ka ndryshim moral, por nuk ka asnjë ndryshim brenda vetë atij.

Dhuratat për krishtlindje që kemi marrë para disa vitesh tani kanë dalë jashtë mode, por Jezusi mbetet përjetë, ai nuk është objekt mode; ai është gjithmonë i ri, nuk ndryshon asnjëherë. Ai është i njëjtë sot për ata që i besojnë atij si shpëtimtar, ashtu siç ishte për ata që i besuan dy mijë vjet më parë!

Ne i gëzohemi të njëjtit shpëtim që u bë gëzimi i besimtarëve të të gjitha kohërave. Dhurata e Perëndisë është e pandryshueshme. Për më tepër ajo është…

Një dhuratë e pameritueshme

Vetë fakti që shpëtimi është një dhuratë tregon se është i pameritueshëm. Nëse fitohet ose meritohet, nuk është më dhuratë. Shumë fe thonë se shpëtimi vjen pjesërisht nga hiri i Zotit dhe pjesërisht nga veprat tona, por kjo nuk mund të qëndrojë. A mund të fitojmë një vend në qiell?

Po të kishim një mijë jetë dhe të punonim ditë e natë, nuk do të kishte asnjë rrugë që të mund të fitonim këtë çmim. Ka vetëm një mënyrë që ne ta shijojmë bekimin e madh të faljes së mëkatëve: ai duhet të jetë një dhuratë.

Jezus Krishti i tha gruas samaritane që kishte rënë në faj: “Po ta njihje dhuratën e Perëndisë, dhe kush është ai që të thotë: “Më jep të pi!”, ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë”5 . Dhuratën e Perëndisë për krishtlindje është e pakufizuar, e pandryshueshme, e pameritueshme, dhe ajo është gjithashtu…

Një dhuratë falas

Nëna dhe babai shohin me fytyra të gë­ zuara ndërsa vajza hap një pako të bukur dhe pastaj thërret me gëzim: “Oh, mami! Kjo ishte dhurata që doja!”dhe pastaj, duke përqafuar nënën dhe babanë, vajza me mirënjohje thotë: “Faleminderit”. Pastaj e hap pakon tjetër dhe e njëjta skenë përsëritet.

Po sikur të mbetet një dhuratë e pahapur? Sa i trishtuar duhet të ndihet ai që dhuron kur mendon se dhuratën e tij nuk e duan! Ndoshta disa prej atyre, që nuk e kanë marrë dhuratën e Perëndisë, po i lexojnë këto rreshta. Nuk i ke besuar asnjëherë Krishtit? Nëse është kështu, më lejoni t’ju nxis që ta besoni atë tani.

Mos prisni ndonjë çast tjetër. Bibla paralajmëron “Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit”6 . Ardhja e Jezus Krishtit në këtë botë, dhe vdekja e tij për të paguar për mëkatet e botës është e mjaftueshme për të gjithë, por është e vlefshme vetëm për ata që besojnë.

Të pranosh dhuratën e Perëndisë për krishtlindje do të thotë se erdhi koha të pranosh se je nevojtar përpara Zotit, duhet të jesh i penduar për mëkatin dhe të besosh që Jezus Krishti është shpëtimtari që vdiq dhe u ringjall për ty. Ky është edhe mesazhi i krishtlindjes sot.

 

1. Isaia 9:5,   2. Gjoni 3:16,      3. Zbulesa 22:17,         4. Hebrenjve 13:8,       5. Gjoni 4:10,               6. 2 Kor. 6:2

Previous articleDhuroni
Next articleSikur…

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments