Home Mesazhi 2 Mesazhi nga Sidnei

Mesazhi nga Sidnei

Arthur Stace's "Eternity" lit up Sydney's Habour Bridge after a spectacular fireworks display welcomed in the year 2000 to Sydney January 1.

Fjala “Përjetësi” ka shtatëdhjetë vjet që i ka mahnitur banorët e Sidneit. Një ditë, fjala “Eternity” (Përjetësi), me një shkrim të stilit të vjetër dhe të bukur filloi të shkruhej me shkumës në trotuaret e Sidneit. Kush vallë po e shkruante dhe pse? Për shumë vjet askush nuk e dinte.

Njeriu përgjegjës nuk donte që të njihej. Ai vepronte në mënyrë anonime. Për një dekadë këto shenja: “Përjetësi”, shastisën Sidnein. Ato ishin një enigmë. Gazetat e Sidneit shkruan për të, hamendësuan se kush ishte autori, dhe disa njerëz hynë në redaksitë e gazetave dhe shpallën, secili, se ishin autori. Njeriu i vërtetë rrinte në heshtje. Misteri u zgjidh nga një Lisle Tomson.

Një natë, Lisle pa një burrë duke nxjerrë lapsin e tij me ngjyrë dhe duke shkruar fjalën e famshme “Përjetësi” në trotuar. Shkrimtari nuk e dinte se po vëzhgohej. Tomson i tha: “A jeni ju z. Përjetësi?” Artur Stajsë iu përgjigj: “Më kape, zotëri”. Arturi shëtiste nëpër të gjitha rrugët e Sidneit.

Ndërsa ecte, nganjëherë ai ndalonte, nxirrte një shkumës të madh, përkulej dhe shkruante mbi trotuar me gërmat e mëdha dhe elegante të stilit të vjetër dhe të bukur “PËRJETËSI”. Atëherë ai ecte njëqind metra poshtë dhe e shkruante përsëri, “PËRJETËSI”, asgjë më tepër, vetëm një fjalë e thjeshtë.

Për tridhjetë e shtatë vjet ai e shkroi me shkumës këtë predikim me një fjalë, dhe e shkruajti më shumë se 500.000 herë. Ç’kuptim kishte Përjetësia për Arturin? Kohë pa mbarim? Një botë tjetër? Përsosmëria? Vendi i Perëndisë? Çfarë e ka shtyrë atë ta shkruante një gjysmë milionë herë nëpër një qytet në skaj të dheut?

Historia e Arthur Stace

Artur Stajsë ka lindur në një lagje të varfër në Balmain. I ati dhe e ëma ishin që të dy pijanecë. Edhe dy motrat dhe dy vëllezërit gjithashtu ishin pijanecë, ata e kaluan në burg një pjesë të madhe të jetës së tyre. Stajsi flinte mbi qeska në shtëpi, dhe kur prindërit e tij ishin të pirë, ai duhej të kujdesej për veten.

Ai vidhte qumësht nga pragjet e dyerve të shtëpive të të tjerëve, nxirrte copëza ushqimesh nga plehrat dhe vidhte torta dhe karamele nga dyqanet. Ishte pothuajse i pashkolluar; aq sa kjo ra në sy të shërbimeve sociale. Në moshën 12 vjeçare, i mitur, ai kaloi nën përgjegjësinë e shtetit.

Kjo nuk e ndihmoi shumë. Në moshën 14 vjeç ai filloi punën e parë: në një minierë qymyrguri. Ai kishte filluar të pinte më parë në shtëpi, ndaj si të tjerët në familje ai u bë pijanec endacak dhe jetoi në një mjegull alkooli. Në burg për herë të parë u fut në moshën 15-vjeçare, dhe pas kësaj kjo ndodhi rregullisht.

Gjatë Luftës Botërore shkoi ushtar dhe u kthye në shtëpi i helmuar me gaz dhe gjysmëqorr nga një sy. Ai filloi huqet e tij të vjetra. Alkoolizmi i tij ishte aq i skajshëm, sa mendja filloi t’i ikte dhe rrezikonte të bëhej një pacient i përhershëm i spitalit psikiatrik.

Kthesa

Një natë, Arturi shkoi në një kishë që u shërbente të varfërve të qytetit për të marrë ushqime falas, por, së pari, u detyrua të dëgjonte predikimin. Duke vënë re gjashtë njerëz të veshur fisshëm afër kreut të sallës (që dalloheshin qartë nga shumica e të pranishmëve), ai pyeti burrin që i ishte ulur pranë, një kriminel i njohur: “Kush janë këta?” “Mendoj se janë besimtarë të krishterë,” iu përgjigj ai.

Arturi tha: “E pra, shikojini ata dhe na shikoni ne. Unë do përpiqem të marr atë që kanë ata,” – dhe ra në gjunjë e u lut. Kjo nuk ishte ndonjë ngjarje e madhe në pamje të parë, por pas kësaj ai zbuloi se ishte në gjendje të hiqte dorë nga pija dhe tha: “Ndërsa rifitova vetërespektin, njerëzit u treguan më zemërmirë ndaj meje”. Kështu ai arriti të gjente dhe punë të qëndrueshme.

Disa muaj më vonë, në një kishë Baptiste, ai dëgjoi një predikues të quajtur John Ridley. Ridley kishte fituar nderin e Kryqit Ushtarak nga Lufta e Parë Botërore dhe ishte një predikues i zjarrtë. Ridley bërtiti: “Sikur të mund të bërtisja ‘PËRJETËSI’ nëpër rrugët e Sidneit!”.

Arturi duke kujtuar atë ditë, tha: “Ai përsëriti veten dhe vazhdoi të bërtiste ‘PËRJETËSI, PËRJETËSI’, dhe fjalët e tij po kumbonin në trurin tim kur dola nga kisha. Papritmas fillova të qaja dhe ndjeva një thirrje të fuqishme nga Zoti për të shkruar “PËRJETËSI”. Në xhep kisha një copë shkumës, u përkula dhe e shkruajta. Është e çuditshme, se para se të shkruaja, mezi dija të shkruaja emrin tim.

Unë isha pa arsim, nuk mund të kisha shkruar “PËRJETËSI”, edhe sikur të më jepeshin 100 stërlina. Por kjo fjalë doli pa gabime, me një shkrim të bukur të stilit të vjetër. Nuk e kuptoja dot, as sot nuk e kuptoj”. Arturi vdiq në moshën 83 vjeçare.

Trupin e tij ia la Universitetit të Sidneit, në mënyrë që çmimi i shitjes të jepej për bamirësi. Mbetjet e tij u varrosën më në fund në Varrezën Botany, më shumë se dy vjet më vonë. Disa njerëz sugjeruan që qyteti të vendoste një pllakë në kujtim të tij. Disa thanë: “Më mirë se pllakat, paratë le t’i harxhojmë për shtigje të mira ku mund të ecet”.

Por më në fund Arthur Stace e mori pllakën e tij. Kjo ndodhi dhjetë vjet pas vdekjes së tij, falë arkitektit të Sheshit Sidnei. Ai vendosi fjalën “PËRJETËSI” në alumin të derdhur, pranë ujëvarës së Sheshit Sidnei.

Gazeta “Sydney Morning Herald” shkroi: “Me gërma gati 21cm të larta është mesazhi i famshëm ‘PËRJETËSI’, shkruar me një stil të vjetër dhe të bukur. Ky predikim njëfjalësh, i punuar me alumin, shkëlqen. Nuk ka dallueshmëri të tepërt. Nuk ka paraqitje që të vret syrin.

Vetëm fjala e thjeshtë ‘PËRJETËSI’ ashtu siç do ta donte Arturi.” Në festimet e Vitit të Ri në Sidnei në vitin 2000 fjala PËRJETËSI u vendos me gërma 20-metërshe në strukturën më të dukshme ndërsa në sheshin e qytetit qëndron një përmendore të përhershme me këtë fjalë e gdhendur në gur.

Previous articleSupriza e Krishtlindjes
Next articleVetëm kalimtar

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments