Home Mesazhi 4 Mesazhi i Vitit të Ri “Mos u dorëzo”

Mesazhi i Vitit të Ri “Mos u dorëzo”

Jeta frymëzuese e njeriut pa duar dhe këmbë

I lindur pa duar dhe pa këmbë, Nik Vojiçiç e kuptoi herët që ai ishte ndryshe nga të tjerët. Në fillim, Niku do të donte të kishte një trup normal si të tjerët, megjithatë erdhi dita që ai u pajtua me fatin dhe filloi të përqafojë jetën, ashtu siç ajo është. Niku zhvilloi aftësitë e tij dhe mbaroi shkollën e lartë me diplomë për financë.

Ai zbuloi gjithashtu një dhunti: të përdorë situatën e tij fizike për të hapur biseda që mund të ndryshojnë jetët e të tjerëve. Ai ka folur në shumë vende për tema si ngacmimi, depresioni dhe nevoja për të qënë këmbëngulës dhe për të përjetuar ndryshimin pozitiv. Në këtë intervistë ai iu përgjigjet pyetjeve për jetën e tij:

Çfarë mund të na thuash për lindjen tënde?

Mamaja ime ishte mami. Ajo kishte një parandjenjë që gjërat nuk do të shkonin mirë gjatë shtatzënisë. Megjithatë, kur bëri ekon te doktori nuk konstantuan ndonjë problem. Kështu që në momentin kur linda u shokuan të gjithë.

Babai, që ishte i pranishëm në sallë, u detyrua të dilte sepse i merreshin mendtë. Infermieret po qanin. Mamaja nuk mundi të më shikonte në fillim, por pasi e kaloi babai atë tronditjen e parë i dha zemër mamasë, duke i thënë “Ai është i bukur.”

Më morën në shtëpi por mamasë iu deshën disa muaj ta kapërcente tronditjen. E vetmja arsye që prindërit e mi qëndruan së bashku është sepse besuan te Zoti. Shumë prindër me një fëmijë që lind me probleme ndahen. Por ata besuan te Zoti dhe thanë që do ta përballojnë situatën.

Si e kalove fëmijërinë?

Prindërit e mi, jo vetëm që u kujdesën për mua por patën guximin të kenë fëmijë të tjerë. Ata kanë treguar dashuri të madhe për mua dhe kanë kultivuar gjithmonë një pikëpamje pozitive te unë. Provova këmbë artificiale kur isha në moshën 6 vjeçare, por pas përpjekjeve disa mujore hoqa dorë se m’u duk që më pengonin më shumë sesa më ndihmonin.

Si adoleshent, doja të isha sa më i pavarur. Prindërit e mi më thoshin, “Ti nuk e di sa mund të bësh po s’e provon.” Sot unë notoj, peshkoj, madje bëj edhe sërf. Në çdo situatë bëj më të mirën e mundshme. Jo çfarë ke, por çfarë bën me atë që ke ka rëndësi. Unë nuk kam frikë të provoj diçka të re edhe pse mund të dështoj.

Si kanë reaguar të tjerët ndaj teje kur ke qënë i vogël?

Isha fëmijë e parë me aftësi të kufizuar që u integrua në shkollë në Australi. Duhet të them se jam trajtuar jo mirë nga fëmijët e tjerë. Më kanë ngacmuar shpesh. Sigurisht, që nuk doja të isha ndryshe nga të tjerët. Doja të kisha këmbë e duar si të gjithë.

Sa herë që një fëmijë qeshte me mua, ose më përjashtonin nga loja, më ngjallej një frikë që jeta ime s’kishte vlerë. Prindërit më ngushëllonin duke më thënë që ata s’kishin për të hequr asnjëherë dorë së kujdesuri për mua. Kisha arritur në një pikë kur mendoja që nuk kisha asgjë. Doja të vrisja veten.

Si njeriu që ecën në një tunel dhe nuk shikon asnjë dritë në fund. Përjetoja një dhimbje shpirtërore që askush nuk e kuptonte.Mendova që do të isha gjithmonë një barrë për prindërit e mi. Ajo që më pengoi ishte ideja që prindërit e mi do të ndiheshin gjithmonë keq.

Kisha inat me Zotin. Momenti kyç erdhi kur e kuptova që jeta ime ka vlerë siç është. Pastaj takova një djalë tjetër si puna ime pa duar dhe këmbë, dhe e dija që mund ta ndihmoja atë dhe kjo më tha ndjenjën që jam i dobishëm.

Si fillove të punosh si folës?

Më kërkuan t’i flisja një grupi të vogël të rinjsh dhe ndërsa flisja një vajzë zuri të qajë. Unë nuk e kuptoja përse ajo po qante. Dhe e pyes, “Përse po qan?”, dhe ajo thotë, “U preka nga ato që the.” Në atë moment kuptova që mund të kem një dhunti të ndikoj për mirë. Më pëlqen sidomos të flas me të rinjtë sepse ata janë duke zgjedhur drejtimin e jetës.

Dua që ata të mos kenë frikë. Gjeja e bukur në jetën time është që njerëzit mund të krijojnë një lidhje me mua. Jo sepse ata kanë provuar të mos kenë duar dhe këmbë por sepse ata shikojnë gjendjen time fizike dhe shikojnë që prapë se prapë unë kam një buzëqeshje në fytyrë dhe kam paqe në sytë e mi.

Kjo do thotë që ato gjëra që unë ndaj më të tjerët kanë besueshmëri. Njëkohësisht unë kam siguri në jetë dhe kampatur sukses! Çdo njeri kërkon t’i ketë këto. Papritur njerëzit më kanë zili – Kë? Një njeri pa duar dhe këmbë!

Në një botë e mbushur me probleme, çfarë i thua atyre që janë duke përballuar prova të forta?

Unë nuk jam një person që i them tjetrit “Po, po, unë e kuptoj dhimbjen tënde”. Jo. Unë them që ka disa të vërteta që mund të ndihmojnë të ecësh nëpërmjet kohërave të vështira. Ne kërkojmë siguri në ato gjëra që kemi, si te marrëdhëniet, paraja dhe sendet materiale. Por që fëmijë kam kuptuar diçka të rëndësishme.

Nëse gëzimi yt bazohet mbi ato gjëra që janë të përkohshme, gëzimi yt do të jetë i përkohshëm. Ka shumë mundësi të jesh i shëndetshëm nga jashtë por i thyer nga brenda. Mund të zgjedh të jem i mërzitur për atë që nuk kam ose të jem mirënjohës për atë që kam.

Shumë njerëz fokusohen te ajo që kanë humbur dhe te dhimbja e tyre, por ka akoma gjëra për të cilat mund të falendërojnë.Mirënjohja është në themel të të paturit një qëndrim pozitiv në jetë. Unë kam njohur jetimë, skllevër dhe njerëz që janë shumë pranë vdekjes – dhe përsëri kam parë që kanë mirënjohje në jetën e tyre. Kam menduar se nëse këta njerëz janë mirënjohës atëherë ç’do të thotë kjo për mua?

A je gjithmonë kaq pozitiv?

Ka patur raste që kam përjetuar depresion. Dy përpjekje që bëra për të hapur biznese dështuan dhe dikush më mashtroi e më vodhi paratë kur isha 28 vjeç. Përsëri m’u kthye frika që do të isha barrë për prindërit e mi. U them njerëzve të mos dorëzohen. Ka raste që presim për një mrekulli por mrekullia nuk vjen.

Do të doja që shumë gjëra të ishin ndryshe në jetën time, por duke ditur që unë mund të ndikoj për mirë te dikush tjetër e bën jetën të vlefshme. Unë nuk jam një superhero por e përqafoj jetën dhe fokusohem në ato gjëra që kanë më shumë rëndësi.

Çdokush kërkon lumturi – shumë e kërkojnë te paraja, droga, alkooli. Unë besoj se jeta ka një qëllim. Duhet të shpresosh te Zoti dhe asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh. Mua më kanë rritur me këtë bindje dhe si rrjedhojë kam qënë mirënjohës për atë që kam.

Të eksperimentosh me drogën, me seksin dhe me alkoolin nuk ta mbush zemrën as me dashuri, as me gëzim, dhe as me paqe. Dhe paraja nuk i blen këto gjëra. Thjesht dua të flas për ato gjëra në jetë që kanë vërtetë rëndësi.

Kur i ke humbur të gjitha, si mund të jesh mirënjohës?

Këtu del në pah besimi im. Pa besuar te Zoti asgjë nuk ka kuptim. Nëse kjo jetë është e gjitha, çfarë të themi? Por për mua kjo nuk është e gjitha.

Shpresa ime është që ka një qiell dhe një ditë unë do të jem aty në atë lavdi. Ndërkohë, sa të jem në tokë, unë mund të përdor rrethanat e mia të çoj dikë tjetër në rrugën e duhur.

A ka shpresë vetëm për besimtarët?

Çfarë shpresë mund t’i japësh një gruaja që është rrëmbyer në moshën dhjetëvjeçare dhe ka lindur dy fëmijë ndërsa mbahej si skllave? Fëmija i ka vdekur, prindërit nuk e duan më dhe ajo është me sëmundjen e sidës. A ka shpresë për një njeri i tillë? Duhet të ekzistojë një e vërtetë absolute.

Duhet të ketë një shpresë absolute sepse përndryshe çfarë do t’i thuash gjithë asaj dhimbjeje? Pikërisht kjo gruaja më tha mua, “Unë e di që jeta ime mund të ketë akoma një qëllim sepse mund t’i drejtoj gratë e tjera te Jezus Krishti. Po të mos besoja në Zotin do t’i kisha dhënë fund.” Përse Zoti nuk më dha duar dhe këmbë?

Që unë të jem një inkurajim për të tjerët. Me pak fjalë kjo është e gjitha. Ka njerëz që përbrenda janë të mbytur nga faji, nga turpi, frika dhe keqardhja. Unë jam më i pasuri në botë sepse nuk i kam ato ndjenja. Nuk zgjohem çdo ditë i qeshur. Aspak.

Por këto parime të fuqishme më kanë ndihmuar mua. Nuk them që gjërat ndryshojnë kollaj, por unë vazhdoj duke hedhur hapa të vegjël çdo ditë.

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments