Home Mesazhi 5 Mesazhi i Pashkës

Mesazhi i Pashkës

Festa e Pashkës përcjell një mesazh dhe vlera për të cilat kemi shumë nevojë. Bëhet fjalë për vlerat e faljes, të dashurisë dhe të rilindjes. Vlera që burojnë nga besimi te Zoti. Jemi dëshmitarë të së keqes që po përhapet shumë kollaj në shoqërinë tonë. Ligësia është mbjellë kudo.

Egoizmi, urrejtja, zilia, dhe shthurja kanë zënë vend dhe po shtohen. Probleme si droga, bixhozi, imoraliteti dhe sjellje të tjera shkatërruese, kanë kohë që janë bërë plagë në shoqërinë tonë. Familja po tronditet dhe rinia po hutohet nga një media që i bombardon me ide dhe imazhe nga më të ndryshmet.

Nuk është nevoja të harxhojmë kohë për t’ju kujtuar këto gjëra. Ne po jetojmë në një botë krizash dhe fatkeqësish. Por duhet të kuptojmë se e keqja nuk gjendet te sistemi, por brenda njeriut. Problemet kryesore nuk janë politike por shpirtërore. Shkencëtari i famshëm Ajnshtajni ka thënë:

“Problemi i vërtetë qëndron në zemrën dhe mendjen e njeriut. Ky është problem jo fizik por etik. Ajo që na tremb nuk është fuqia e shpërthimit të bombës atomike, por fuqia e ligësisë së zemrës së njeriut, fuqia plasëse e saj për të keqen”.

Një historian i madh, Toynbee, botoi veprën e tij masive Historia e Botës në dymbëdhjetë vëllime, kaloi gjithë jetën duke studiuar gjendjen e njeriut sepse donte të jepte një kontribut për të. Në librin e tij të fundit tha: “Në zhvillimin e njerëzimit ekziston një boshllëk morali. Njeriu është i paaftë të nënshtrojë pasionet e tij shkatërrimtare. Teknologjia është e vetmja fushë e veprimtarisë njerëzore, në të cilën ka patur përparim.”

Shohim se jemi të pafuqishëm të mposhtim natyrën negative brenda nesh. Jo vetëm që forca njerëzore është e pamjaftueshme të përleshet me të keqen, por ajo është vetë e korruptuar.

Konkluzioni është i qartë: Njeriu ka nevojë për shpëtim. Kjo është një pjesë thelbësore e mesazhit të Pashkës. Duhet që Zoti të vërë dorë. Mesazhi i Pashkës, pra, është që ne kemi nevojë për një Shpëtimtar, dhe ai shpëtimtar është Jezu Krishti. Ai është e vetmja zgjidhje. Ai nuk ishte gjë tjetër veç Birit të Perëndisë dhe Zotit të lavdisë.

Kjo u vërtetua nga mrekullitë e tij; u vërtetua nga jeta dhe mësimi i tij, nga shembulli i tij i përsosur. Por mbi të gjitha, u vërtetua nga pushteti që pati ai mbi djajtë dhe çdo gjëje tjetër që sulmon njeriun. U vërtetua kur ai fashiti stuhinë, tërbimin e detit – Zoti i krijimit!

Dhe në mënyrë supreme u vërtetua nga ringjallja e tij e lavdishme, kur ai këputi madje edhe prangat e vdekjes dhe u ngjall triumfues nga varri – Jezu Krishti! Mesazhi i Pashkës është që Jezu Krishti, i panjollë, i pastër, i papërlyer, i cili nuk kishte kryer kurrë asnjë mëkat, u dërgua në kryq dhe vdiq për të na shpëtuar nga mëkatet tona.

Pashkët na orientojnë drejt shpresës së faljes së mëkateve, të shpëtimit të shpirtit dhe pajtimit me Perëndinë. Me anë të festës së Pashkës shohim zgjidhjen e problemit të madh shpirtëror të njeriut.

Mesazhi i Pashkës është që ne të mos mbetemi në këtë moçal të mëkatit, por të dalim mbi tokë.

Mesazhi është: të mos endemi në errësirë, por të jetojmë në dritën e Perëndisë; të mos mbetemi të prangosur nga djalli, por të çlirohemi nga të gjithë djajtë me anë të Krishtit. Dhe mesazhi i pashkës është: të mos vdesim në rrugën e gabuar, por të ngjallemi sot me anë të besimit te Zoti.

A është tabu? A është tabu të flasim për kuptimin e vërtetë të Pashkës? A kemi turp të themi se jemi mëkatarë dhe kemi nevojë për shpëtim? Nëse nuk illjomë të flasim për këto gjëra, si do të gjejmë bekimin dhe mbarësinë që na nevojiten aq shumë? A jemi kaq të ngurtë, sa nuk na interesojnë këto gjëra? Mos qoftë kështu! Mjaft e kemi lënë pas dore shpirtin. Mjaft më larg Zotit!

GËZUAR PASHKËN!

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments