Home Mesazhi 6 Lufta kundër Zotit: 50 vjet

Lufta kundër Zotit: 50 vjet

Në nëntor të vitit 1967 Shqipëria u shpall “vend i parë ateist në botë”
Kanë kaluar 50 vjet nga viti i kobshëm 1967 kur me mburrje të madhe e shpallën Shqipërinë tonë “shteti i parë ateist në botë”. Deklarata erdhi në muajn nëntor të atij viti pasi ishte zhvilluar një fushate e madhe kundër besimit në Zotin dhe ishin mbyllur të gjitha kishat dhe xhamitë në vend.

Në vijën e parë të kësaj lufte kundër fesë u vu rinia, e cila u përgatit me shumë merak nga komunistët shqiptarë për kryerjen e kësaj detyre të veçantë. Ngjarjet e vitit 1967 nuk ishin të
papritura. Në realitet, lufta kundër fesë kishte nisur që kur erdhi në pushtet Partia e Punës ndërsa ajo që ndodhi në vitin famkeq ishte kulmi i punës shumëvjeçare.

Që në vitin 1945 kishin filluar bastisjet, burgosjet, torturimet dhe dënimi e një pjesë të klerit, sidomos ai katolik. Dhe në vitin 1949, me anë të një dekrete të qevërisë, institucionet fetare u ndaluan të merreshin me edukimin e të  rinjve si dhe iu hoq e drejta të hapnin spitale, jetimore dhe institute të tjera sociale.

Në këtë mënyrë komunistët filluan dukshëm të ngushtonin hapësirat e besimit fetar ndonëse vazhduan ta toleronin pjesërisht për aq kohë sa pushteti i tyre ishte i pakonsoliduar dhe ndjenjat fetare të popullit ishin akoma të forta.

Por, pas 25 vjet propogande ateiste, dhe rritje e një brezi të ri të edukuar në shkollë me frymën marksiste anti-Zot, kishte ardhur koha për një goditje më të madhe ndaj fesë. Gjithçka e përgatitur Udhëheqja komuniste mati pulsin për mbylljen totale të fesë në vitin 1966.

Filloi mobilizimi i rinisë për të bërë propagandë kundër besimit fetar në zonat rurale. Një fushatë e tillë u zhvillua në fshatrat e Fierit, e organizuar nga mësuesit e shkollës. Pas Kongresit V të Partisë së Punës, në nëntor, punët filluan të merrnin një drejtim më të hapur. Ky kongres e cilësoi luftën kundër fesë si një aspekt me rëndësi në zhvillimin e luftës së klasave.

Pastaj vjen fjalim famkeq i Enver Hoxhës në datën 6 shkurt 1967 me mesazhin që: “Luftë klase është lufta kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, bestytnive e zakoneve prapanike”. Në datën 8 shkurt, të vitit 1967, “Zëri i Popullit” botoi në faqen e parë, me gërma të mëdha shtypi këto fjalë:“Me Shpatën e Mprehtë të Ideologjisë së Partisë Kundër Ideologjisë Fetare”.

Në këtë artikull, u lavdëruan në mënyrë të veçantë nxënësit dhe pedagogët e shkollës “Naim Frashëri”, në Durrës, për “inisiativën  revolucionare”, sepse ishin hedhur në luftë kundër fesë. Artikulli vijon: “…në këtë shkollë po zhvillohet një aksion i rëndësishëm ideologjik…” dhe vazhdon me sqarimin tmerrues “në fletë-rrufe të të gjithë shkollës flitet për zotimet dhe punën që kanë bërë klasat e ndryshme, aty kritikohen të rinj e të reja si dhe ato klasa që nuk janë aktivizuar si duhet në këtë lëvizje dhe kërkohet që ato të japin përgjigje për qëndrimet e tyre”.

Duke qënë se ky lajm botohej në gazetën kryesore të vendit (ZiP ishte Organ i Komitetit Qendror të P.P.SH) jepej kështu sinjali publik për ndezjen e flakëve në të gjitha shkollat e vendit.

Zgjerohet lufta

Si rezultat i mobilizimit të popullit kundër fesë, i udhëhequr sigurisht nga komunistët në
çdo rreth, brenda një kohe të shkurtër u mbyllën institucionet fetare. Me përjashtim të ndonjë
xhamie apo kishe me vlera arkitektonike apo historike, kishat, xhamitë, teqetë e tyrbet në të gjithë vendin u shndërruan në kinema, salla sportive, bar-restorante dhe magazina, ose u rrafshuan fare.

Fushata kundër feve u arrit deri atje që edhe kur i vije emrin fëmijës ajo duhet të ishte në përputhje me “standartet ideologjike të shtetit” d.m.th të mos kishte nuanca fetare, siç janë dhe disa emra të trashguara. Madje u vendos që disa fshatrat me emra fetare duhej të riemërtoheshin.

Nuk disktutohet për zëvendësimin e festave fetare me ato socialiste. Duhet sqaruar se këto veprime kundër institucioneve fetare, dhe dhunimi i ndërgjegjës së besimtarëve shqiptar, ishin që
të gjitha të paligjshme.

Dekreti nr.4337 me titull “Mbi abrogimin e disa dekreteve” që ndalonte të gjitha ritet fetare, doli në muajin nëntor të vitit ’67 vetëm pasi të ishte kryër fushata e tmerrshme. Përveç kësaj, dekreti i ri dilte plotësisht në kontradiktë me kushtetutën e asaj kohe (kap.III, nëni 18), që gjoja ende u garantonte të gjithë qytetarëve lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit!

Porosia e Enverit

Cilat ishin udhëzimet që jepte Enver Hoxha? Në datën 27 shkurt 1967, në një letër e shkruar prej tij, marrin instruksione drejtuesit e Partisë në rrethe: “Feja është opiumi i popujve. Këtë të vërtetë të madhe duhet të bëjmë çmos që ta kuptojë çdo njeri, edhe ata që janë të helmatisur e që duhet t’i
ç’helmatisim.

Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium. Bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove.

Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete  kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin… e duhet të vazhdojmë përderisa ti rrafshojmë nga faqja e dheut tonë. Feja kristiane duhet thënë se është më e egra, më reaksionarja. Por të gjithë derrat një fytyrë kanë.”

Muzeu Ateist

Në përpjekje të vazhdueshme për t’i bërë popullit lavazh truri, u hap në qytetin e Shkodrës muzeu më absurd: Muzeu Ateist. Muzeumi ishte vendosur në një godinë dykatëshe në qendër të Shkodrës. Aty ndodheshin sende të marra nga kishat dhe xhamitë. Në muret e godinës ishin fotografi të klerikëve para “gjyqeve popullore” ku ata “jepnin llogari para popullit”.

Gjithashtu, ishin vizatuar karikatura nga “rinia komuniste”. Vizita në Muzeun Ateist ishte e
detyrueshme për të gjithë, ku për nxënësit e shkollave, vizita në muze ishte vendosur edhe
si pjesë e programit mësimor. Përveç materialeve propagandistike të Muzeut Ateist, shumë intëresant është fakti që mbaheshin me kujdes librat e përshtypjeve.

Thuhet që ka personalitete të larta të artit dhe kulturës që kanë shprehur vlerësimin në këto
libra të vizitorëve, që sot mbase mund edhe të kenë turp të merret vesh cilët janë. Fushata mizore pati sukses në çrrënjosjen e adhurimit publik, por kishte njerëz që vazhduan të praktikojnë besimin
e tyre në mënyrë të fshehtë duke rrezikuar të merrnin ndëshkim të ashpër.

Mëgjithatë prindërit hezitonin të pasonin besimin e tyre te fëmijët nga frika se mos këta ua thoshin
të tjerëve. Individë që kapeshin me libra me përmbajtjen biblike apo me sende të tjera fetare përballeshin me dënime të gjata burgimi. Shqipëria në atë kohë u konsiderua nga opinioni jashtë shtetit si vendi me shtypje më të egër të besimit në gjithë botën.

Si t’ia vëmë emrin kësaj pune?

Nga këndvështrimi i sotëm është e vështirë të besosh atë që ndodhi në Shqipërinë tonë 50 vjet më parë. Faktikisht, janë të rrallë ata njerëz që flasin hapur për këto ngjarje ,ose që tregojnë për përfshirjen e tyre në aksione kundër besimit te Zoti. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon realitetin se ajo ndodhi me të vërtetë.

Vendi këtu nuk lejon të hymë në një analizë të hollësishme e të gjatë për shkaqet e kësaj historie të dhimbshme. Por të paktën le t’ia vëmë emrin e duhur kësaj historie të turpshme: U krye një shkelje kundër ligjit shqiptar. U krye një faj kundër ndjenjave fetare të popullit. Dhe u krye një mëkat i
madh kundër Zotit.

Mëgjithëse kanë kaluar 50 vjet nga ngjarjet famëkeqe të asaj kohe, mbetet për të pyetur: A i kemi duart të pastra nga kjo punë? Edhe pse feja gëzon tashmë liri në vendin tonë, nuk është ndërmarrë akoma sa duhet  një reflektim për këtë dëm të madh që iu bë shpirtit shqiptar. Ata që janë me moshë mund të bëjnë një analizë individuale për qëndrimin e tyre.

Ndërkohë më të rinjtë do të bënin mirë të mos tregojnë me gisht të moshuarit, por t’i bëjnë pyetjen vetes: “A jam unë në luftë apo në paqe me Zotin sot?” Shumica kanë të drejtë të thonë që s’kishin lindur atëherë.

Dhe nuk dyshoj që shumica e lexuesve të këtij artikulli nuk marrin pjesë në fushata ateiste, por ka shumë mënyra të tjera për t’iu kundërvënë apo për të injoruar Perëndinë. A u shmangesh ti këtyre?

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments