HomeAktualitetLËVIZJA E DUHUR

LËVIZJA E DUHUR

Wesley So sapo ia prishi festën e ditëlindjes Magnus Carlsen-it, njëshit të botës në lojën e shahut, duke e mundur në finalen e parë të këtij sezoni të ri. Magnus, i cili kishte qenë favorit, u tregua i hirshëm në humbje, duke e përgëzuar Wesley (Wezli) për fitoren e tij.

Duket që Wezli është në formë sivjet. Në muajn tetor u kurorëzua për herë të dytë kampion amerikan i shahut. Jo keq për një djalë me origjinë filipineze që u rrit në kushte që nuk favorizonin kultivimin e një mjeshtri shahu. Si tregon vetë: “Ngaqë familja ime nuk kishte para për një mësues shahu dhe as për të blerë libra, u përmirësova si shahist duke studiuar problemet e shahut që gjeja nëpër gazeta”.

Wezli fitoi kampionatin e tij të parë kur ishte vetëm nëntë vjeç. Sukses pas suksesi, u emërua mjeshtër i madh në një moshë çuditërisht të re. Sot ai ndeshet me rivalë nga maja e botës së shahut, duke arritur të cilësohet ndër lojtarët më të mirë në klasifikimin zyrtar.

Edhe pse ai tregon që nuk merret shumë me rrjetet sociale, e mban të hapur një faqe në Facebook ku poston përditësimin e ecjes së tij në fushën e shahut, postime që i mbyll gjithnjë me fjalë mirënjohëse ndaj Zotit. Pasi fitoi kampionatin amerikan shkroi komentin: “All glory, honor and praise to God!”

Duke komentuar mbi këtë pjesë të jetës së tij Wezli tregon: “Në faqen time të Facebookut më vijnë shpesh mesazhe duke pyetur sesi unë, një ndër shahistët më të mirë në botë, mund të jem një ndjekës i Jezus Krishtit. Madje, më japin këshilla të mos shprehem hapur që jam besimtar, sepse kjo do të ndikonte negativisht për afrimin e sponsorizimeve…”

Por mjeshtri i shahut shton, “Duhet të them që unë u rrita në Ishujt Filipine, një shtet ku është shumë normale për njerëzit të shprehin besimin e tyre. Është një vend ku pothuajse të gjithë besojnë në ekzistencën e Zotit, duke përfshirë dhe ata që nuk janë praktikantë të fesë”.

Ai shpjegon në mënyrë më të drejtpërdrejtë: “Nuk jam aq i pamend sa të mendoj që mund të arrij gjithçka vetë. Jam një djalë i zakonshëm nga një qytet i vogël. A kam lindur me një dhunti? Po. Por edhe shumë të tjerë e kanë këtë dhunti gjithashtu. Mundësitë që më erdhën mua, më erdhën në mënyrë misterioze. Nuk e di tamam se çfarë Zoti kërkon prej meje, por i besoj atij dhe çfarëdo që unë arrij të bëj, i jap lavdi atij gjithashtu”.

Pasi mbushi 18 vjeç, Wezlit i erdhi një ofertë nga një universitet amerikan për t’u bërë pjesë e ekipit të tyre të shahut. Ai shkoi të jetojë me një familje sponsorizuese dhe u regjistrua në shkollë. Megjithatë, pasi përjetoi sukses të madh në botën e shahut, i la studimet për të vazhduar punën si shahist profesionist.

Pati zhvillime edhe në jetën e tij shpirtërore: “Familja sponsorizuese kishin një besim më të zhvilluar sesa unë. Megjithatë, asnjëherë nuk më bënë të ndihem keq. Më merrnin me vete në kishë në fundjavë. Më lindnin pyetje dhe familja ime e adoptuar më përgjigjej me sqarime të thjeshta por të peshuara mirë, ndërsa më tregonin se si të përdorja Biblën vetë, gjë që ishte akoma më mirë. Me anë të Biblës mund të kontrolloja opinionet e të tjerëve, duke qenë se ai libër ka më shumë urtësi sesa opinioni shoqëror”.

“Më nxitën të bëja pyetje dhe të kërkoja përgjigje e të vija trurin në punë. Në të njëjtën kohë, unë shikoja sesi ata jetonin dhe si e shpenzonin kohën e tyre. Ata ishin njerëz të punës, dhe shmangnin ato gjëra që janë të dëmshme. E dija që edhe unë doja një jetë të tillë”.

Më lart sesa shahu

Ka shumë njerëz në botën e shahut që e ngacmojnë Wezlin për besimin e tij të çiltër: “Miqtë e mi në botën e shahut më pyesin nëse më ndihmon Zoti të fitoj. Përderisa Ai është Zot mbi gjithçka, përgjigja ime është që Zoti më bën edhe të fitoj edhe të humbas. Edhe nëse fitoj një lojë, edhe nëse e humbas atë, përsëri Zotit i takon lavdia. Patjetër që unë dua të fitoj, por njeriu nuk merr gjithmonë atë që do. Në vend që të shqetësohem për të ardhmen, mundohem të jem i fokusuar mbi gjërat që unë kam në dorë. Lidhur me shahun, përgatitem dhe përpiqem të luaj më të mirën e mundshme. Ndërsa prej Zotit e di që më kanë ardhur më tepër bekime sesa meritoj të kem”.

Si ndikon praktikisht në jetën e tij besimi?

“Dua të them se unë kam një jetë të thjeshtë. Punoj me shahun, studioj Biblën, stërvitem, merrem me punët e shtëpisë dhe në fundjavë shkoj në kishë dhe shikoj filma. Në krahasim me të tjerët jeta që unë bëj nuk ka shumë adrenalinë, por kështu më pëlqen. I qëndroj larg debateve në faqet sociale sepse nuk është vullneti i Zotit të flasim keq për të tjerët dhe më duket se interneti nxit komunikim negativ. Përfshihem herë pas here me projekte për të varfërit sepse edhe unë kam qenë i varfër dhe jam përgjëgjës për ato të mira që më ka besuar Zoti”. “Ka nga ata që thonë “Ke fat!” [në sensin e rastësisë], por ç’domethënë kjo fjalë? Unë mendoj se të duhet më shumë besim të mendosh që rastësia shpjegon jetën se sa të besosh te Zoti”.

Most Popular

Recent Comments