Home Jehona 25 Kush i mësoi bletët të vallëzojnë?

Kush i mësoi bletët të vallëzojnë?

Imagjino sikur je një bletë që prodhon mjaltë. Një mëngjes të bukur pranvere lë kosheren tënde dhe del në kërkim derisa të bie në sy një fushë plot me lule të reja në lulëzim. Ushqimi atje në koshere, me të cilin u ushqyen 15 000 bletë të kolonisë tënde gjatë dimrit, ka qenë duke u pakësuar.

Por tani, në këtë fushë, ke gjetur furnizim të ri ushqimi. Kështu që ti e mbush stomakun tënd të veçantë për mjaltë me nektar dhe fluturon 250 metra për t’u kthyer në kosheren tënde. Bletët e tjera nuk e dinë ku t’i gjejnë lulet që t’i ke zbuluar. Truri yt ka masën e një koke gjilpëreje, por është e qartë se nëse duhet të përdorësh plotësisht këtë burim të ri ushqimi do të të nevojitet ndihmë.

Para se të arrijë vera, kolonia jote do të ketë më shumë se 80 000 bletë. Por ai pak polen dhe nektar që do të mblidhje në çdo udhëtim do të bënte që kolonia të vdiste urie para se të ushqeje secilin anëtar të saj. Prandaj, si u thua bletëve të tjera në koshere se ku të gjejnë lulet që ke zbuluar?

Në fillim të viteve 1900, natyralisti austirak Karl von Frish, kërkonte të gjente një zgjidhje për këtë problem që ngjallte kureshtjen e tij. I mahnitur nga mënyrat se si bletët punëtore punonin së bashku, von Frish filloi t’i studionte thellë ato. Ai zbuloi se një prej karakteristikave më të spikatura të bletëve është mënyra se si ato komunikojnë.

Në fakt, bletët kanë një prej mjeteve të komunikimit më të jashtëzakonshme në botën e insekteve. Von Frish zbuloi se bletët shprehen jo vetëm nëpërmjet të ndjerit dhe të shijuarit, por edhe nëpërmjet vallëzimit. Për të identifikuar vendin e një burimi ushqimi shumë larg nga kosherja aq sa nuk mund të nuhatet apo të shihet nga bletët e tjera, ajo që e ka zbuluar bën një vallëzim mbi huallin brenda kosheres.

Bletët e tjera mblidhen rrotull dhe e ndjekin nga afër kërcimtaren. Ato imitojnë lëvizjet e saj (gjithë bletët punëtore që kërcejnë janë femra) dhe nuhasin prej saj erën e lules nga e cila valltarja ka mbledhur nektarin. Nëse burimi i ri i ushqimit është afër, të themi brenda 50 metrave nga kosherja, bleta bën një vallëzim rrethor mbi sipërfaqen e huallit. Ajo vjen rrotull dy ose tre centimetra pastaj vallëzon në drejtimin e kundërt.

Kjo u tregon bletëve të tjera se ushqimi është afër. Era që ato dallojnë prej saj i lajmëron ato se çfarë ere ka ushqimi i ri. Kështu bletët e tjera largohen nga kosherja dhe fluturojnë në formë rrathësh që zgjerohen gjithnjë e më shumë derisa gjejnë furnizimin e ri të luleve. Të vallëzosh për largësinë Nëse burimi i ri i nektarit apo polenit është larg, zbuluesja e tij bën një ndryshim të zgjuar në vallëzimin e saj.

Ajo vallëzon sipas formës së ‘numrit tetë’ me lëvizje të ndërprera përgjatë mesit të shifrës. Largësia në të cilën ndodh ndryshimi nga vallëzimi rrethor në shifrën tetë, varion mes tipeve të ndryshme të bletëve. Kjo nuk u shkakton atyre çoroditje sepse distanca është konstante brenda secilës koshere.

Çdo lëvizje nga zbuluesja ka kuptim për bletët e tjera. Ato mund të kuptojnë largësinë e burimit të ushqimit nëpërmjet numrit të herëve që valltarja vjen rrotull në formë rrethi gjatë një intervali të caktuar dhe po ashtu nëpërmjet barkut të saj që përdridhet. Sa më e madhe të jetë largësia, më ngadalë përdridhet ajo.

Drejtimi i ushqimit zbulohet nëpërmjet drejtimit dhe këndit që bleta valltare pret përmes rrethit. Nëse ajo përdridhet përmes rrethit drejt lart, bletët që e shohin e dinë se do ta gjejnë ushqimin duke fluturuar drejt diellit. Nëse e pret rrethin drejt poshtë, ato e dinë se duhet të fluturojnë larg diellit.

Nëse bleta valltare pret përmes rrethit në një kënd, bletët e tjera e dinë se duhet të fluturojnë në të djathtë ose në të majtë të diellit në të njëjtin kënd që valltarja lëvizi në të djathtë apo në të majtë të një vije vertikale të imagjinuar. Kjo shfaqje e shkëlqyer e bletëve punëtore valltare është me të vërtetë një karakteristikë goditëse në botën e insekteve.

Kur mendojmë për hapat e ndërlikuar të vallëzimit dhe informacionin e detajuar të përçuar dhe të kuptuar përmes tij nga gjithë bletët punëtore të botës (von Frishit iu deshën 20 vjet për ta deshifruar atë), na jepet e drejta që të dyshojmë fort se ky proçes mund të ketë evoluar rastësisht.

Mes mrekullive të krijimit të Perëndisë, bleta punëtore na jep disa dëshmi befasuese kundër evolucionit dhe pro dizenjimit nga Krijuesi. Detyrohemi nga logjika dhe gjykimi i shëndoshë të arrijmë në përfundimin se aftësia e bletëve të komunikojnë me anë të vallëzimit u caktuar në kohën e krijimit të tyre.

Previous articleFjale te arta
Next articleGjykimi

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments