Home Aktualitet KUJDES VETËMJEKIMIN

KUJDES VETËMJEKIMIN

Të gjithë praktikojmë vetëmjekimin nga pak. Është mëse normale që njeriu të reagojë ndaj simptomave që i shfaq trupi duke marrë masa të përkohshme (sa të shkojë te doktori) apo duke u vetëkuruar nëse problemi është diçka që ndodhet brenda kompetencave të tij. Një lloj vetëmjekimi quhet edhe menaxhimi i ilaçeve që të ka dhënë doktori, sepse duhet të jesh i ndërgjegjshëm t’i pish sipas recetës, por edhe të njoftosh për ndonjë reagim jo të duhur apo përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes. Megjithatë, duhet konstatuar që vetëmjekimi e kalon ndonjëherë cakun e duhur. Kjo vjen nga mbivlerësimi i njohurisë që ka individi për çështjet shëndetësore, apo nënvlerësimi i simptomave, apo mosbesimi ndaj personelit mjekësor, e kësisoj vetëmjekimi i gabuar mund të krijojë komplikacione të panevojshme. Ka raste edhe kur i sëmuri nis një trajtim të pasaktë për shkak të këshillave që i japin miq apo familjarë të tjerë, të cilët edhe pse e kanë gabim, e këshillojnë me këmbëngulje! Vetëmjekimi i gabuar nuk ndodh vetëm në sferën e sëmundjeve fizike. Njoh edhe raste kur njerëzit i janë nënshtruar një vetëkurimi të gabuar për problemet e tyre shpirtërore. Kjo përfshin përdorimin e ilaçit të gabuar, përdorimin e ilaçit të duhur në mënyrë të gabuar, apo vizitën te “doktori popullor” në vend të vajtjes te personi i kualifikuar. Që Bibla, lutja, pendimi e rrëfimi janë pjesë e një rimëkëmbjeje shpirtërore, nuk diskutohet. Por duhet thënë që feja autodidakte mund të jetë po aq e pakëshillueshme sa është vetëmjekimi fizik.

Most Popular

Recent Comments