HomeJehona 32Krishtlindje sipas Ungjillit

Krishtlindje sipas Ungjillit

Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria. Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: «Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë».

Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë. Dhe engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t`i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur».

Dhe Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?». Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: «Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe push­teti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme». Atëherë Maria tha: «Jam shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj.

Most Popular

Recent Comments