Home Jehona 32 Krishtlindje Mes (Ar) Miqsh?

Krishtlindje Mes (Ar) Miqsh?

Çfarë fuqie ka simboli i Krishtlindjes, lindja e Krishtit? Nuk e kam fjalën për vlerën që ka himni “Natë e Shenjtë” kur këndohet nga besimtarët së bashku në kishë. As për dhuratat e bukura, kartolinat dhe urimet për të dashurit tanë. Në këtë prag Krishtlindjesh, mund të bëjmë pyetjen:

A ka vërtet fuqi lindja e Krishtit? A mund të bëjë që të ketë “paqe dhe mirëdashje ndër njerëzit në botë”? Edhe midis armiqsh? Po mendoja: simboli i Krishtlindjes është se Biri i Perëndisë erdhi në botë si njeri. Erdhi t’u sjellë njerëzve paqe shpirtërore dhe t’u jepte një jetë të re. T’i bënte armiqtë e Perëndisë miq të Tij dhe të njëri-tjetrit. Por a do të jetë ndonjëherë në gjendje Krishtlindja (simboli i saj) që të bëjë njerëzit të duan njëri-tjetrin më tepër? Që t’i kërkojnë të falur njëri-tjetrit për gabimet që kanë bërë?

Që burri të pajtohet me gruan, vëllai me vëllanë, prindi me fëmijën, thjesht për fakt se Krishti ka lindur në botë dhe i ka dhënë jetë të re atij që beson në të? Që dhe armiqtë të falin armiqtë? Imagjino pak një provë të jashtëzakonshme të vlerës së Krishtlindjes. Ta zëmë sikur jemi në kohën e Krishtlindjes, 24 Dhjetor. Ta zëmë se kemi një konflikt të madh.

Që t’i japim peshë, le të themi që është një konflikt jo midis dy njerëzish, por shtetesh. Një konflikt që shkakton një luftë mes tyre. Luftë të përgjakshme, ku bij nënash vdesin përditë në front. Imagjino sikur, pas shumë luftimesh, këta njerëz të thjeshtë, këta ushtarë të drobitur nga pagjumësia e beteja, të mos pranonin të luftonin më. Imagjino sikur të linin mënjanë armët, të dilnin nga llogoret dhe të shkonin të takonin armiqtë e tyre në anën tjetër.

Të shtrëngonin duart, të përqafonin njëri-tjetrin, dhe të këndonin këngën “Natë e Qetë” së bashku, në dy gjuhë të ndryshme, por në një harmoni. Të paktën për një ditë. Kjo do të ishte vërtet një Krishtlindje që tregon vlerën e lindjes së Krishtit. Paqe edhe mes armiqve më të betuar. Thjesht sepse Zoti lindi si njeri. Meqë ra fjala, kjo histori është e vërtetë.

Gjermania po luftonte kundër Anglisë në Luftën e Parë Botërore. Të vrarët ishin disa miliona. Urrejtja mes palëve ishte e kuptueshme. Ushtarëve po u vriteshin shokët përditë. Por më 24 dhjetor, 1914, gjermanët dhe anglezët nuk pranuan t’i qëllonin njëritjetrit. Askush nuk u dha urdhër të bënin paqe (përkundrazi). Në frontin perëndimor, spontanisht, ushtarët dolën nga llogoret dhe bënë gjithçka që thashë më lart.

Një Krishtlindje mes armiqsh, që u kthye në një natë të gëzuar mes miqsh. Për gjermanët dhe anglezët, Krishtlindja simbolizonte lindjen e Njeriut që solli paqen e vërtetë në botë: atë shpirtërore. Dhe kjo i bëri ta kthenin në paqe me njëri-tjetrin. Një toger raportoi: “Sikur të mos e kisha parë vetë, s’do ta kisha besuar si histori.” Kjo është fuqia e Krishtlindjes. Krishti na bën vërtet të falim edhe armiqtë. Edhe sot. Aq më tepër na jep forcë të falim dhe të duam miqtë e të dashurit. Paç dhe ti këtë kohë Krishtlindjeje një paqe dhe zemër të tillë.

Most Popular

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

Recent Comments