Violinisti me famë botërore, Niccolo Paganini, po luante një pjesë të vështirë përpara një auditori të madh. Papritur një nga telat e violinës u këput, por ai vazhdoi të luante duke improvizuar bukur. Pastaj, dy tela të tjerë u këputën, dhe ai e përfundoi veprën duke luajtur vetëm me një tel.
Kur duartrokitjet pushuan, ai uli kokën duke i thënë kështu dirigjentit të fillonte përsëritjen. Violinisti buzëqeshi nga auditori dhe bërtiti, “Paganini, me një tel!” E duke e vënë instrumentin nën mjekër, ai luajti përsëri me atë telin e vetëm.
Dikush ka thënë që jeta është 10 përqind ajo që na ndodh dhe 90 përqind mënyra se si ne reagojmë ndaj saj.
Kur njerëzit përjetojnë prova të vështira, shpeshherë e pyesin Zotin “Pse?”. Por në vend që të kërkojmë përgjigje që mund të mos i gjejmë kurrë, do të ishte më mirë t’i bënim vetes pyetjen “Çfarë duhet të bëj unë tani?” se ka të ngjarë që kjo të jetë një pyetje shumë më e vlefshme sesa ajo e para.
Na ka ardhur Krishtlindja. Një javë më vonë vjen Viti i Ri. Festat e fundvitit mund të jenë ndryshe sivjet për shkak të situatës së vështirë ku gjendemi, e megjithatë, Krishtlindja nuk anullohet. A mund të anullojmë shpresën? A anullohet dashuria? Apo besimi?!
Jezu Krishti lindi para 2000 vitesh duke sjellë atë dritë për të cilën kemi nevojë sot. E gjithë kjo është një bekim që nuk kthehet mbrapa. Edhe pse mund të mos kemi mundësi të organizojmë festime masive si zakonisht, nuk do të thotë që s’mund të gjejmë gëzim dhe paqe gjatë këtij fundviti, po të dimë ku ta kërkojmë. Dhe nuk do të thotë se nuk mund të kemi një shpirt bujar dhe të dhurojmë mirësi, nëse duam. Në fakt, në kushtet ku jemi, veprat e mirësisë mund të jenë dy herë më të rëndësishme sesa në kohëra normale. Tani është koha të zbulojmë frymën e vërtetë të Krishtlindjes!