Home Mesazhi 10 Këpucari Papa Panov

Këpucari Papa Panov

Një histori e shkruar nga Leo Tolstoi

Ishte prag krishtlindjesh dhe dritat kishin filluar të ndizeshin në dyqanet dhe shtëpitë e fshatit, sepse dita e dimrit ishte e shkurtër. Papa Panov, këpucari i fshatit, doli nga dyqani i tij dhe hodhi nje sy përreth. Era e shijshme e gatimit të Krishtlindjeve, i kujtoi atij kohën kur gruaja e tij ishte ende gjallë dhe fëmijët e tij ishin ende të vegjël. Fytyra e tij zakonisht e gëzuar, tani dukej e trishtuar.

Ai u kthye në shtëpi, mbylli derën dhe vendosi cajnikun në sobë. Pastaj, me një psherëtimë, u ul në kolltukun e tij të vjetër. Papa Panov nuk e lexonte shpesh, por sonte ai e tërhoqi nga rafti Biblën e vjetër të familjes dhe gjeti pjesën ku tregohet për historinë e krishtlindjeve.

Aty, ai lexoi se si Maria dhe Jozefi, të lodhur nga udhëtimi i tyre në Bethlehem, nuk gjetën vend në han, kështu që Maria u detyrua të strehohej dhe të lindte fëmijën e saj në haur. “Oh, mos! – bërtiti Papa Panov, – Në qoftë se ata do kishin ardhur këtu, unë do t’u kisha dhënë atyre shtratin tim dhe unë do kisha patur mundësi të mbuloja fëmijën me jorgan tim, për ta mbajtur të ngrohtë.”

Ai lexoi në lidhje me Dijetarët që kishin ardhur për të parë fëmijën Jezus, duke i sjellë atij dhurata të shtrenjta. Fytyra e Plakut Panov u prish disi. “Unë nuk kam asnjë dhuratë që të mund tia jap atij,” – mendoi ai me trishtim. Në një çast fytyra e tij u çel. Ai e uli Biblën, u ngrit dhe shtriu krahët e tij te pjesa e sipërme e raftit. Ai mori një kuti dhe e hapi. Brenda ishin një palë këpucë të vogla prej lëkure. Plaku Panov buzëqeshi.

Ato ishin aq të mira sa s’kishte parë ndonjëherë. “Unë duhet tia jap atij,” – vendosi ai, dhe i hoqi mënjanë, duke i vendosur me kujdes në kuti. Ai ndihej i lodhur tani. Provoi përsëri të lexonte, por gërmat filluan të kërcenin para syve të tij. Duke menduar t’i mbyllte sytë vetëm për një minutë, Papa Panov ra menjëherë në gjumë të thellë.

Dhe, ndërsa flinte, ai ëndërronte. Ai ëndërronte se dikush erdhi në dhomën e tij dhe… siç ndodh në ëndrra, ai e dinte cili ishte ky person. Ai ishte Krishti. “Ti ke pasur dëshirë të më takosh, – i tha ai me mirësi, – Dhe nesër do të më takosh me të vërtetë. Është Dita e Krishtlindjeve dhe unë do të të vizitoj. Por shiko me kujdes.” Kur Papa Panov u zgjua, këmbanat e kishave binin pa pushim dhe një dritë e hollë po hynte në shtëpi.

“O shpirti im! – tha Papa Panov. – Kjo është dita e krishtlindjeve!” Ai u ngrit dhe fytyra e tij u mbush me gëzim ndërsa mendonte për ëndrrën e tij. “Kjo do të jetë një krishtlindje shumë e veçantë,” – mendoi ai.

Jezusi po vinte për ta vizituar. Si do të dukej? A do të jetë si një fëmijë i vogël, si në krishtlindjen e parë? Apo do të jetë një njeri i rritur, një zdrukthëtar, apo ndoshta Mbret i madh, siç ai është në të vërtetë, Biri i Perëndisë? Dhe i vuri detyrë vetes të ishte i vëmendshëm gjatë gjithë ditës, me qëllim që ai ta njihte.

Papa Panov e vuri tenxheren për kafe, hapi kanatet e dritares dhe pa nga jashtë. Rruga ishte e braktisur, askush nuk kishte dalë akoma, përveç pastruesit të rrugëve. Ai dukej i mjerë si gjithmonë, dhe me të drejtë. Kush do të punonte në ditën e Krishtlindjeve, në atë të ftohtë të hidhur të një mëngjesi të tillë?

Papa Panov hapi derën e dyqanit dhe thirri me dashamirësi: “Eja të pish pak kafe të nxehtë për t’u mbrojtur nga kjo erë e ftohtë!” Pastruesi ngriti kokën, i habitur nga ftesa e papritur. Ai ishte i kënaqur të vinte në dhomën e ngrohtë. Rrobat e tij të vjetra lëshonin avull, ndërsa ai ngrohej pranë sobës. Duart e tij të skuqura nga të ftohtit, mbërthyen filxhanin e ngrohtë.

Këpucari Panov e vështroi pastruesin me kënaqësi, por sytë i drejtonte shpesh nga dritarja. Ai nuk do të lejonte që vizitori i tij i veçantë t’i humbiste nga sytë. “Prisni dikë?” – i tha pastruesi më në fund. Dhe Papa Panov me çiltërsi i tregoi në lidhje me ëndrrën e tij. “Shpresoj që ai të vijë, – tha pastruesi, – ju më keni dhënë mua pak gëzim në këtë Krishtlindje. Unë nuk e prisja.” – tha ai duke buzëqeshur.

Kur pastruesi u largua, Papa Panovi vuri supën në sobë për drekën e tij, pastaj vështroi përsëri rrugën. Në fillim ai nuk pa asnjë. Por ai e kishte gabim. Dikush po vinte. Një grua e re po ecte ngadalë dhe në heshtje, duke qëndruar afër mureve të dyqaneve dhe shtëpive. Ajo dukej shumë e lodhur dhe mbante diçka në krah.

Kur më në fund e pa nga afër gruan, trishtimi i fytyrës së saj preku zemrën e Papa Panovit. Ai doli menjëherë nga dyqani. “Hajde brenda,” – i foli ai gruas së re, e
cila mbante në krahët e saj një fëmijë. “Ju të dy keni nevojë për t`u ngrohur dhe të bëni pak pushim.”

Kjo nënë shumë e re në moshë, e ndoqi këpucarin brenda dyqanit dhe u ul te stoli pranë zjarrit. Ajo lëshoi një psherëtimë të madhe. “Unë do të ngroh pak qumësht për fëmijën”, – i tha Papa Panovi, – Unë kam rritur fëmijë dhe e di si ta ushqej fëmijën për ju.” Ai e mori qumështin nga soba dhe me kujdes ia dha fëmijës. “Ajo ka nevojë për këpucë,” – tha Papa Panovi. Por nëna e re u përgjigj: “Unë nuk mund të blej këpucë, dhe s’kam burrë të më sjellë para në shtëpi. Jam nisur për në qytetin tjetër, për të kërkuar punë.”

Mendja e Papa Panovit shkoi te ato këpucë të bukura që ai kishte në raft. Por ai po i ruante ato për Jezusin. Ai vështroi përsëri këmbët e ftohta të fëmijës dhe mori vendimin e tij. “Provoni këto në këmbët e saj,” – tha ai, duke i dorëzuar nënës këpucët e bukura.

Këpucët shkonin për bukuri në këmbët e vajzës së vogël. Vajza buzëqeshi me të madhe kur i pa. “Ju jeni treguar aq të mirë me ne,” – tha nëna e re, kur u ngrit me fëmijën e saj për të ikur. Dhe shtoi: “Të gjitha dëshirat e tua u plotësofshin në këtë Krishtlindje!”

Por Papa Panovi kishte filluar të pyeste veten në qoftë se dëshira e tij do të realizohej. Ai vështroi me padurim lart e poshtë rrugën. Tani kishte shumë njerëz përrreth, por ata ishin të gjithë fytyra të njohura. Fqinjët e tij e uruan: “Gëzuar Krishtlindjet!”

Në shesh kishte dalë edhe lypsari. Papa Panovi hyri brenda shtëpisë dhe mori supë të nxehtë dhe një copë të madhe buke, për t’ia dhënë lypsarit të varfër. Dita po ikte dhe nata e dimrit ra shpejt. Kur Papa Panov shkoi përseri te dera, kuptoi që nga errësira e madhe, s’mund t`i dallonte më kalimtarët.

Megjithatë, tani pothuajse të gjithë kishin hyrë në shtëpitë e tyre dhe po i mbyllni kanatet e dritareve. Me një ecje të ngadaltë, Panovi kthehet në dhomën e tij dhe mbyll kanatet e shtëpisë. Pastaj me një lodhje në shpirtin e tij, ulet në kolltukun e vjetër. Pra, në fund të fundit ajo kishte qenë vetëm një ëndërr.

Jezusi nuk kishte ardhur. Në këtë çast, krejt papritur, Papa Panovi ndjeu që ai nuk ishte më vetëm në dhomë. Tani s’ishte ëndërr, sepse ai ishte plotësisht zgjuar. Përpara syve të tij kaluan personat që kishte ndihmuar atë ditë. Ai e pa përsëri
pastruesin e rrugëve, nënën e re dhe fëmijën e saj dhe lypësin që ai kishte ushqyer.

Si i kaluan përpara, secili prej tyre pëshpëriti: “A nuk më njeh mua, Papa Panov?” “Kush je ti?” – thirri ai i hutuar. Pastaj një tjetër zë iu përgjigj. Ishte zëri që i kishte folur në ëndrrën e tij, Zëri i Jezusit.

Ai i foli: “Isha i uritur dhe ti me dhe për të ngrënë, isha i zhveshur dhe ti më veshe. Isha i ftohtë dhe ti më ngrohe. Vërtet kam ardhur tek ti sot, brenda gjithë atyre njerëzve që ti i ndihmove.”

Në këtë moment gjithçka ra në qetësi. Vetëm zhurma e orës dëgjohej. Dukej sikur një paqe e madhe dhe një lumturi e mbushi dhomën dhe zemra e Papa Panovit u mbush aq shumë, sa ai donte të shpërthente në këngë dhe në të qeshura njëkohësisht. Dhe madje të hidhte valle nga gëzimi. “Ai paska ardhur! Ardhka vërtet!” – ishte gjithçka që tha Papa Panovi.

Previous articleE Mrekullueshme
Next articleDARVINIZMI, MBUSH 160 VJEÇ

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments