HomeMesazhi 10Jini Mirënjohës!

Jini Mirënjohës!

Ankesa, ankesa, ankesa! E dimë që është mirë të jemi mirënjohës, por se ç’kemi ne njerëzit që na pëlqen të ankohemi kaq shumë. Me sa duket, e kemi më kollaj të mendojmë për gjerat negative sesa për gjërat pozitive në jetë. Çdo njeri ka probleme, dhe nuk po them t’i mohojmë ato. Por ka disa njerëz që nuk thonë asnjëherë faleminderit pavarësisht se jetën e kanë plot me të mira. Unë mendoj se ky është gabim i madh.

Mirënjohja është një virtyt që përmirëson gjendjen shpirtërore dhe shëndetin gjithashtu. Është provuar që mirënjohja ul stresin dhe largon depresionin. Një njeri mirënjohës bëhet më i gëzuar dhe më i kënaqur në jetë. Përveç kësaj, njeriu mirënjohës është më pak egoist, sepse e vlerëson kontributin e të tjerëve në jetën e tij. Ja disa gjëra për të cilën ja vlen të jesh mirënjohës:

Për trupin

Syri, vesh, hunda, goja, dorën, këmbën… Për cilën prej tyre të jesh mirënjohës më
përpara? Njeriu është krijuar në mënyrë të mrekullueshme dhe me aftësi të
jashtëzakonshme. Ai mund të ndërtojë, të zbukurojë, të pikturojë, të këndojë, të
shkruajë, të dashurojë dhe të gëzojë. Jeta është një dhuratë. A je mirënjohës?


Për paqen

Lufta është një e keqe e pallogaritshme. Lufta të merr çdo gjë. Ka shtete sot që
kanë qenë në gjendje lufte prej 20 vjetësh. Nëse ti jeton në një shtet që nuk është në luftë, ji mirënjohës!


Për arsimin

Nga pikëpamja historike, vetëm një pakicë e vogël njerëzish kanë ditur të lexojnë
dhe kanë patur mundësi për të shkuar në shkollë. Dikur vetëm për të privilegjuarit,
sot arsimimi është një mundësi që e gëzojnë pothuajse të gjithë njerëzit. Padituria në të kaluarën ka qënë jashtëzakonisht e madhe. Është e drejtë të jesh mirënjohës që jeton në dritën e dijes.

Për familjen

Nëse ka njerëz që kujdesen për ty, që të duan dhe të qëndrojnë afër, përse nuk i
falëndëron? Përse e marrim të mirëqenë dashurinë e tyre? Mirënjohja forcon lidhjet
familjare dhe krijon një harmoni në shtëpi. Tregohu ti mirënjohës sot në familjen
tënde dhe shiko se çfarë efekti pozitiv që do të ketë.

Për bukën

Darkat në pallatet mbretërore mund të kenë patur një sfond më luksoz, por llojshmëria e frutave, e përimeve, dhe e ushqimevë në përgjithësi, për të mos përmendur ëmbëlsirat që ne i hamë sot, i kalon asaj që hanin mbretërit në kohën e parë. Kur është hera e fundit që shfaqe mirënjohje për pjatën që ke përpara? Derrat nuk thonë faleminderit, njeriu po.


Për transportin

Ndonëse makinat mund të shkaktojnë aksidente, ato e kanë bërë jetën tonë shumë më të lehtë dhe asnjëri prej nesh nuk nguron t’i përdorë. Mundësia për të mbaruar punën shpejt, për të parë botën, dhe të gjendesh kollaj afër atyre që i ke të dashur në jetë, nuk është gjë e vogël. Herën tjetër që je për rrugë të gjatë, ji mirënjohës
që mund të arrish për një ditë e jo për një muaj.

Për komunikimin


Si jetonin njerëzit pa telefonin dhe pa internetin? Mjetet moderne të komunikimit i konsiderojmë të domosdoshme. A kemi harruar se sa vuanim për të dërguar ose për të marrë haber në të shkuarën? Sa mirënjohës duhet të jemi që shërbimi telefonik na
jep mundësi t’i zgjidhim problemet aq kollaj.

Për shëndetin

Kur shtrihemi në spital, sa i lutemi Zotit për shërim, por kur jemi shëndosh, përse
nuk jemi më mirënjohës? Përveç kësaj, kur jemi të sëmurë, sa të gatshëm që jemi
për të shpenzuar që të bëhemi përseri mirë? Por kur jemi mirë, përse nuk i japim gjë Zotit? Në fakt, jetëgjatësia është rritur shumë. Edhe pse ka sëmundje sot, sëmundjat e shumta që frikësonin brezat e mëparshme, nuk i përfillim më. Dhe atë ndihmën mjeksore të thjeshtë që e gjen në çdo spital, brezat e mëparshme as që e imagjinonin se mund të ekzistonte. Jetonin e vdisnin pa e ditur çfarë është ilaçi. Lum si ne!


Për kishën

Në kohën e komunizmit nuk lejohej që njeriu të dëgjonte fjalën e Zotit. As të shkonte në një vend lutjeje. Flitej sikur njeriu i paska bërë të gjitha pa ndihmën e Perëndisë. Sa mosmirënjohës që ishim! Por sot të gjitha moshat kanë mundësi të shkojnë e të adhurojnë Zotin. Megjithatë, shumica prej nesh nuk e marrim mundimin të falendërojmë Zotin për bekimet tona. Mos ji i tillë. Mos ji mosmirënjohës!

Most Popular

Recent Comments