Home Mesazhi 11 JETA SIPAS BOB-IT

JETA SIPAS BOB-IT

Burri më i vjetër në botë që bën bujë për mendjemprehtësinë

Pasi pyet Bob-i se si ia ka dalë të jetojë aq gjatë, ai u përgjigj, “Sekreti është të mos vdesësh.” Në këtë mënyrë, Xha Bobi vërteton që, panvarsisht viteve të shumta që ka mbi kurriz, nuk i mungon humori.

Në kohën e botimit të këtij shkrimi, Bobi gëzon çmimin “guinnes”, për faktin e të qenit burri më i vjetër në botë. Mëgjithëse s’e ka më fuqinë e tij të dikurshme, Bobi nuk të krijon përshtypjen e njeriut që është 112 vjeç. Ai lëviz, gatuan, madje edhe ndërton modele prej druri që i shet për barmirësi. Zërin e ka të qartë dhe flet rrjedhshëm mbi një serë temash. Madje shkathtësia e tij mendore në bashkëbisedim ia kalon atyre që mund të jenë 50 vjet më të rinj në moshë.

Xha Bobi (emri i tij i plotë është Robert Weighton) ka lindur në mars të vitit 1908. Ka mbijetuar dy luftëra botërore dhe ka përjetuar shumë nga ngjarjet më të mëdha të kohës moderne. Gjatë jetës së tij kanë ardhur dhe kanë ikur 26 qeveri të ndryshme në Angli. Bobi ka qenë i martuar për 60 vjet, ka 3 fëmijë, dhe aktualisht sot ka me dhjetra nipër, mbesa e stërnipër.

 “Mbaj mend shumë prej ngjarjeve historike, –  thotë Bobi,- dhe u përshiva vetë në disa prej tyre.”

Bobi e ka akoma të freskët ditën, në vitin 1915, kur u bombardua qyteti i tij Hull, në veri të Anglisë, nga forcat ajrore gjermane me anijet ajrore të tipit Zepelin.

“Nuk i shkonte në mendje njeriu që do na binin bomba nga qielli atë ditë – tregon Bobi, – Dhe nuk kishim asnjë mbrojtje. U fshehëm nën tavolinën e bukës, të mbuluar me batanije!”

Bobi kujton ndryshimet teknologjike që kanë ndodhur gjatë jetës së tij, “Kur isha fëmijë, s’kishte makina. Bota lëvizte me kuaj dhe karroca. Im atë ishte veteriner dhe kujdesej për gjithë kuajt e qytetit. Shtëpia jonë nuk ngjante fare me një shtëpi moderne. Nuk kishim energji elektrike.”

Atij i kujtohet shpikja e televizorit dhe e telefonit të hershëm, madje ka një opinion edhe për internetin dhe për varësinë që tregon brezi i sotëm ndaj tij,  “Faqet sociale po hanë nga marrëdhëniet reale.”

Përveç shpejtësisë së komunikimit me anë të telekomunikacionit, edhe shpejtësia e transportit ka ndryshuar totalisht gjatë jetës se tij.

“Në vitin 1933 shkova në Hong Kong dhe udhëtimi me linjen detare zgjati 6 javë. Tani e bën për 8 orë me avion.”

Të çudit që nuk shpëtojnë nga vëmendja e tij edhe zhvillimet e fundit në politikë apo në shoqëri. Ka një opinion për brexit, si dhe për “atë zhurmën e kotë”, siç e quan ai, që bëhet lidhur me identitetin seksual në botën perëndimore.

Me gjithçka që ka parë gjatë jetës së tij, Bobi konstanton me urtësi, “Në mënyrë vizuale dhe në sensin fizik, bota ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë gjatë jetës sime. Ndërsa përsa i përket qenies njerëzore, fare. Nevoja më bazike e njeriut që ai të ketë marrëdhënie me të tjerët është plotësisht e njëjtë.”

Ku i kaloi Bobi gjithë ato vite? Cili ka qenë profesioni i tij? A ka udhëtuar në botë?

Bobi ka shkruar autobiografinë e tij duke i vënë titullin “Ne ishim 7”, në kujtim të faktit që kishte 6 vëllezër e motra. Mëgjithatë, është më e bukur historia e tij kur e dëgjon drejtpërdrejt nga goja e xha Bobit…

“Në shkollë, them se isha nxënës mesatar,” tregon Bobi me modesti, ndonëse vazhdoi studimet e larta, duke u kualifikuar si inxhinier.

Duke qënë se ekonomia botërore ishte në rënie në fund të vitëve ’20, Bobi kujton se si kërkoi të bënte diçka të vlefshme me jetën e tij.

“Kisha kultivuar një besim të fortë, si kristian. Gjatë kohës që isha në universitet, u përfshiva në një lëvizje studentore të krishterë dhe merrja pjesë në konferencat e tyre. Merrnin pjesë studentë edhe nga shtete të tjera dhe vihej në fokus puna botërore e kishës. Prandaj, edhe kjo më shtyu të shkoja edhe unë jashtë shtetit.”

“Shkova të punoj si mësues në një shkollë të hapur nga misioni në Tajvan. Në atë kohë, Tajvani ishte pjesë e mbretërise Japoneze. Edhe pse mund të kisha dhënë mësim vetëm në anglisht, për t’u përfshirë më shumë në jetën e shkollës, e mësova J,aponishten.”

Bobi tregon se sa përparimtare ishte shoqata e tij misionare, “Kishte tre objektiva: M’u theksua që puna ime ishte të ndihmoja në formimin e një kishe autoktone, e jo thjesht një kishë angleze aty. Synohej një bashkësi e krishterë që vetqeverisej, mbështetej në burimet e veta, dhe që do të ishte në gjendje të themelonte bashkësi të tjera.” 

Gjatë trajnimit në Angli u njoh me një vajzë që po përgatitej të shkonte në Afrikë si misionare. Për katër vjet shkëmbyen letra në distancë, pastaj vendosën të martoheshin dhe ajo u shpërngul nga Afrika në Tajvan.

Jetuan disa vjet në Azi bashkë, dhe në momentin që po kthehesin me vapor për në Angli, shpërtheu lufta e dytë botërore. Të gjitha anijet britanike u sekuestruan për kauzën e luftës duke e lënë Bobin me famijen e tij të bllokuar në Kanada.

“Ishim si refugjatë – thotë Bobi, – e nuk kishim as pare as ku të shkonim.” Fillimisht njerëz të panjohur i ndihmuan, para se të punësohej në një fabrikë për ndërtimin e avionëve në SHBA. Pastaj qeveria e rekrutoi të deshifronte komunikimet e ushtrisë Japoneze, duke qenë se ai e dinte mjaft mirë Japonishten.

“Ishin kohë të vështira, – tregon Bobi, – se më çonin nga një vend në tjetrin dhe gruan dhe fëmijët nuk i shikoja për muaj të tërë.”

Pas mbarimit të luftës, Bobi arriti të sjellë familjen e tij në Angli ku siguroi punë si pedagog në fushën e inxhinierisë në universitetin e Londrës. Edhe gruaja e tij punoi si mësuese gjithashtu. Besimi i tyre vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në jetën e tyre dhe të dy u angazhuan si vullnetarë me aktivitetet e kishës me moshat e reja për shumë vite. Madje, pasi dolën në pension (para 55 vjetësh!) vazhduan t’i shërbenin komunitetit si këshilltarë për martesën.

“Ishim shumë të lumtur bashkë!” e përfundon Bobi tregimin e kësaj pjese të jetës së tij.

Por pas gjithë asaj që ka parë në jetë, si e shikon të ardhmen Bob-i?

“Kam shpresë sepse besoj në fitoren e paqes në fund. Nuk është diçka naive. Duhet të ngrihemi kundër urrejtjes të çdo forme. Dhe megjithëse situata e sotme nuk duket shumë optimiste, unë jam optimist që e mira do të fitojë në fund.”

“Pas luftës së parë botërore, brez im ishte shumë i dhënë pas paqes botërore. Por sigurisht që nuk doli kështu. Kam kuptuar që nuk ishim më të mirë nga brezat e mëparshëm. Por prapë duhet të përpiqemi për të mirën. Sepse ka gjithmonë nga ata që e shikojnë luftën si zgjidhjen e problemeve të tyre. Ndërsa nuk është. Sot, unë i përkushtohem akoma më shumë kauzës së paqes. Kush mund të bëjë ndryshe? Çdo person që beson te Jezus Krishti duhet të ketë këtë qendrim.”

Bob-i vazhdon të jetë i dhënë pas librit. Por nuk prek më letërsinë artistike për arsye se, “lexova sa desha letërsi artistike kur isha i ri.” Ndërsa përpara një viti u botuar një vëllim të poezive të tij, për të ngritur fonde për një shoqatë bamirësie.

I pyetur në ç’moshë ka nisur të shkruajë, Bobi përgjigjet, “Kur isha në kolegj më filloi një pasion për të shkruar, kompozoja vjersha dhe predikime sepse mendoja që mund të bëhesha predikues.”

Mirëpo, ka diçka që e mërzit: “Nuk e di pse njerëzit duan të të fusin në një kuti. Ka paragjykime ndaj inxhinierëve në botën artistike, sikur të jesh inxhinier do të thotë që je i paditur në fushat e tjera. Është qesharake. Leonardo da Vinci ishte edhe inxhinier edhe artist. Identifikimi i personalitetit me profesionin, ose me vendlindjen, është totalisht e gabuar. Secili duhet përshëndetur si një qënie e vëçantë njerëzore!”

Mbretëresha e Anglisë, Elizabeta, i dërgon kartolina qytetarëve të saj që janë mbi 100 vjeç.

“Kartolina e parë më kënaqi, por pasi mora disa i kërkova që të mos më dërgojë më.” Pse? “Se është një harxhim i panevojshëm i parasë së taksapaguesve dhe mbretëresha ka probleme të tjera. Pastaj, më bëhet rrëmujë shtëpia me gjithë ato kartolina.”

A është tifoz i mbretëreshës? “Nuk jam tifoz i asnjërit nëse kjo do të thotë përkushtim i verbër, por ajo ka bërë një punë të jashtzakonshme.”

Të jetuarit kaq gjatë ka edhe anën e saj negative, sepse një nga një i përcjell nga kjo jetë të gjithë njerëzit që kanë qenë të dashur për ty. Është normale që Bob-i ka mbijetuar më tepër se motrat dhe vëllezërit e tij. Gruan e humbi para 23 vjetësh, dhe një nga fëmijët e tij ka ndërruar jetë gjithashtu.

Por i pyetur nëse vuan nga vetmia, Bob-i përgjigjet me bindje, “E pamundur!” duke shtuar “Kam shumë miq. Dhe të gjithë duan të më vijnë në shtëpi!”

Ndryshe nga sa mendohet për një njeri që ka mbijetuar kaq gjatë, Bobi ka kaluar edhe sfida të forta shëndetësore. E ka zënë malaria kur ishte në Tajvan dhe 20 vjet më parë iu hoq një tumor i madh nga stomaku. “Dhe ja ku jam, – thotë, – akoma gjallë!”

Lidhur me faktin që ai është burri më i vjetër në botë, Bobi thotë: “Nuk është diçka që e kisha planifikuar dhe as kam bërë ndonjë përpjekje të veçantë për ta arritur. Pastaj, që të bëhesh më i vjetri, do të thotë që ka vdekur dikush tjetër, prandaj s’e quaj dot rast gëzimi.”

Në një shoqëri që është e fiksuar pas të jetuarit sa më gjatë, Bobi tregon se nuk ka kuptim të arrish moshën e madhe, nëse je i varfër shpirtërisht.

“Humori është i domosdoshëm, – tregon xha Bobi, – Dhe ata që e marrin veten shumë seriozisht, ia fusin kot.” Çfarë burri! Çfarë shembulli pozitiv!

Most Popular

ZOTI I FLET TË SËMURIT

Herët a vonë, çdo njeri sëmuret. Pavarësisht ku jeton në botë, apo në ç’grup shoqëror bën pjesë, është e pashmangshme që do...

NUK TË GËNJEN SYRI

S’të gënjen syri, jo Brenda pak sekondash syri thith gjithë ato imazhe. Si të jesh duke ecur në krah...

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

Recent Comments