Home Jehona 38 Jeta ime ka vlerë

Jeta ime ka vlerë

Një fushatë ndërgjegjësimi kundër drogës është çelur nga Qendra Rinore “Albion” në jug të Shqipërisë, në bashkëpunim me kishat ungjillore. Fushata po zhvillohet nën flamurin e parullës “Jeta ime ka vlerë”. Stafi dhe vullnetarët e qendrës rinore po shfaqen përpara shkollave me bluzat e tyre karakteristike dhe me literaturën e tyre informuese.

Fushata është zhvilluar fillimisht me nxënësit e shkollave të mesme në qytetet e Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Ballshit, për t’u zgjeruar më pas në rrethe të tjera të Shqipërisë. Sipas mësuesve dhe atyre që punojnë me të rinjtë, fenomeni i përdorimit të drogës është bërë një problem i dukshëm dhe më shqetësues në dy vitet e fundit në vendin tonë.

E pyesim drejtorin e qendrës “Albion”dhe njëkohësisht nismëtarin e projektit, se si po funksionon fushata:“Në hapin e parë të fushatës ne po zhvillojmë një sondazh me qindra të rinj që frekuentojnë shkollat e mesme.” “Sondazhi i njeh të rinjtë me 10 arsye për të mos e përdorur drogën dhe kërkon që ata të zgjedhin 3 arsyet që atyre u duken më bindëse.

Sondazhi është i thjeshtë, i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë. Bashkë me sondazhin shpërndajmë literaturën informuese, por për ne është shumë e rëndësishme të nisim një bashkëbisedim direkt me të rinjtë”. E pyesim drejtorin e Qendrës Rinore se ku qëndron e veçanta e mesazhit të fushatës “Jeta ime ka vlerë” në krahasim me programe të tjera kundër drogës.

“Së pari, në rrethet ku ne veprojmë punohet shumë pak lidhur me këtë problem shoqëror. Për sa i përket programit tonë, mendoj se niveli i përgatitjes së skuadrës është një pikë e rëndësishme, por do doja të theksoja llojin e mesazhit që ne u komunikojmë të rinjve.

Fushata “Jeta ime ka vlerë” ka një mesazh shumë pozitiv brenda saj. Nuk mjafton t’u themi të rinjve ‘Mos e përdorni’ drogën, por duhet t’u japim atyre arsye bindëse për këtë. Askush nuk e ndryshon mendjen për një zakon të keq, pa patur një arsye të mirë. E veçanta e fushatës sonë është që ne u komunikojmë të rinjve jo vetëm informacion për dëmin që droga u shkakton atyre, por edhe mesazhin shpresëdhënës që jeta është një dhuratë nga Zoti, prandaj ata duhet ta vlerësojnë më shumë.

Problemet e rinisë së sotme janë më së pari shpirtërore. Kush nuk e kupton këtë, nuk e njeh realitetin.” 10 arsye për të mos e përdorur drogën Marrë nga fushata “Jeta Ime Ka Vlerë”

1. Droga të shkatërron trurin

Edhe pse përdoruesve u duket që droga po i bën më të shkathët, e kundërta është e vërtetë, nën ndikimin e drogës njeriu e humbet zgjuarsinë. Përveç kësaj, një person i droguar shpesh përjeton tjetërsimin e karakterit të tij. Madje duke qënë se disa mbetje të drogës qëndrojnë në trup për vite, efekti i tyre mund të zgjasë për një kohë shumë të gjatë. Mos e humb mendjen! Qëndro larg drogës!

2. Droga të helmon trupin

Përdorimi i drogës shkakton probleme të ndryshme shëndetësore dhe mbidoza të çon në vdekje. Lista e sëmundjeve që mund të të ngjiten nga përdorimi i drogës është mjaft e gjatë. Përdorimi i drogës harxhon vitaminat e domosdoshme për shëndetin duke dobësuar imunitetin e trupit. Pse të rrezikosh shëndetin? Ruaje trupin tënd!

3. Droga t’i zbraz xhepat

Varësia ndaj drogës të ul shkathtësinë, duke e bërë më të vështirë gjetjen dhe mbajtjen e vendit të punës, rrjedhimisht të shkatërron financiarisht. Përveç kësaj, blerja e drogës të kushton para. Pse t’i harxhosh paratë për të shkatërruar veten?

4. Droga të ndërpret mundësinë për të parë botën

Kushdo që dënohet për shkelje ligjore lidhur me drogën nuk do t’i gjej dyert e hapura për të hyrë në shtete të tjera. Përse të humbasësh mundësinë për të udhëtuar, për të punuar, apo për të jetuar në vende të tjera të botës?

5. Droga të thith jetën

Përdoruesit e drogës e humbasin entuziazmin për jetën duke u fiksuar gjithmonë e më tepër pas asaj. Nuk janë në gjendje të shijojnë më gëzimet e përditëshme të jetës. Nuk janë në gjendje më të mësojnë në shkollë. E humbasin kohën kot, pa arritur të bëjnë diçka me vlerë. Përdorimi i drogës të jep vërtetë një mënyrë të re jetese; atë të të qenit humbës.

6. Droga t’i prish marrëdhëniet

Varësia ndaj drogës kthehet në një makth për ata që të duan. Ajo i prish marrëdhëniet e tua, e shkatërron familjen dhe të shndërron në një njeri me të cilin miqtë më të mirë nuk duan të kalojnë më kohë.

7. Droga e ngatërron shoqërinë

Droga i shumëfishon problemet e shoqëris, probleme si dhuna, vjedhja, krimi dhe korrupsioni. Mos u bëj pjesë e këtij problemi!

8. Droga të pakëson mundësinë për të patur një familje

Përdorimi i drogës nga vajzat dëmton fëmijën e palindur. Edhe te meshkujt mund të shkaktojë një gjendje prej impotenti. A do të jesh i tillë?

9. Droga të merr shpirtin

Kur e krijoi Zoti tokën, ai e mbushi me lloj, lloj bimësh që ato t’i shërbejnë njeriut, edhe jo që njeriu të bëhet skllav i tyre. Jeta nuk është vetëm një rastësi. Jeta është një dhuratë nga Perëndia. Duke jetuar në varësi ndaj drogës, nuk po jeton me qëllimin e duhur. Mos abuzo me dhuratën e Perëndisë! Mbushe shpirtin tënd me diçka më të mirë.

10. Droga të rrëmben shpresat dhe ëndrrat

Të gjithë kanë ëndrra për jetën dhe për të ardhmen, por vartësit e drogës janë të fokusuar vetëm te doza e rradhës. Shpresë për të ardhmen the?! Vetëm dëshpërim për ata që kanë hyrë në rrugën e drogës. Rruga e drogës është rruga larg Zotit. Nese ke hyrë në atë rrugë, lutju Zotit të të shpëtojë.

Most Popular

HALLOWEEN-I SHQIPTAR

Po t’i marrësh për bazë imazhet që përzgjedh media, të krijohet ideja se Halloween-i na qenka festa e horrorit! Edhe pse mbrëmjet...

12 SHENJA KUNDËR HOROSKOPIT

Kur vjen puna te horoskopi, ç’parashikime ka një gazetë nuk e ka tjetra. Të krijon një pikëpyetje apo jo?Shkenca nuk ka...

S’KA HAJDUT NË PARAJSË

Në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo pallat, dhe në çdo ndërmarrje, ka njerëz që vjedhin. Disa i kryejnë vjedhjet me...

NJË ZË NGA QIELLI

Këto ditët e para të shkollës, dëgjova një mësues që ankohej që i ngjirej zëri, se duke dashur të dëgjohej përmes maskës,...

Recent Comments